3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Reagim ndaj shkrimit mbi “plagjiaturën” e Myftiut

Më të lexuarat

Shkrimi i djeshëm në gazetën ditore “Koha Ditore”, e paraqitur nga një e ashtuquajtur qendër islame me seli në Washington, se kinse disertacioni i Muftiut të Kosovës Mr. Naim Tërnava është plagjiaturë nga disertacioni im (Dr. Zija Abdullahut), është tendencioze dhe larg të vërtetës.
Të dhënat që jepeshin në atë shkrim janë të pasakta; miratimi i disertacionit së doktoratës sime ishte në vitin 1996, e jo 97-98, siç pretendohet në atë shkrim. Po ashtu janë bërë shtrembërime të emrit të temës, e që në realitet tema është “Ndikimi i besimit islam në sjelljen e muslimanit”, e cila së shpejti do ta sheh dritën e botimit edhe në gjuhën shqipe.
Temat në fjalë si e Muftiut po ashtu si e imja, janë të ngjashme në tematika, prandaj edhe trajtimet kanë mund të jenë të ngjashme. Tema ime (Abdullahut) trajton ndikimin e besimit në sjelljen e muslimanit, dhe në këtë aspekt ka përfshirë edhe ndikimin e besimit si në individ po ashtu edhe në shoqëri. Kurse tema e Muftiut është titulluar direkt me këtë titull, e që në shqyrtim të temave mund të ketë ngjashmëri. Madje edhe literatura mund të ketë qenë e të njëjtit burim, sepse dihet fare mirë, se në vendet arabe literatura nuk është e kufizuar me një shtet apo me një vend, por të njëjtin burim mund ta hasësh edhe në disa shtete. I njëjti rast mund të haset edhe te ne, ku të njëjtin burim e gjen në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Madje në punimet shkencore mund të ketë huazime nga literatura paraprake, por kjo assesi nuk do të thotë se ajo është plagjiaturë.
Është për t’u habitur se si kjo qendër që nga koha e arritjes së kësaj grade të Muftiut nuk e paska zbuluar këtë plagjiaturë nëse ekzistonte, por vetëm tani në këtë kohë!
Ndërsa pretendimeve të shkrimit në portalin informativ në internet “Telegrafi” se unë jam ankuar në Bashkësinë Islame të Kosovës për një çështje të tillë, aspak nuk janë të vërteta, sepse asnjëherë nuk kam dyshuar në një akt të tillë, e ky “ankim”, është vetëm trillim i autorit të tekstit.
Ndërsa deklarata se kinse unë jam graduar në postin e Prodekanit për këtë çështje, aspak nuk është e vërtetë. Sepse për postin e lartpërmendur as që kam bërë ndonjë tentativë që ta arrijë, dhe mezi pres të përfundojë ky mandat, e të lirohem nga kjo përgjegjësi, sepse kam punë tjera më me rëndësi se sa ushtrimi i këtij posti. Muftiu as që ka pasur gisht në këtë vendim, por e tëra ka rrjedhur sipas procedurave të parapara në statutin e FSI-së, ku me propozimin e Dekanit dhe miratimin e anëtarëve të Këshillit Mësimorë zgjedhet prodekani. Këtë përgjegjësi e mora përkundër vullnetit tim, pasi të gjithë anëtarët një zëri më ngarkuan me këtë detyrë. Këtë, ngase në këtë institucion punoj për trembëdhjetë vjet radhazi. Ndërsa sa i përket prejardhjes sime nga Maqedonia, e sipas tij, unë nuk duhej të pranohesha si profesor i rregullt, apo të gradohesha në ndonjë post, është në kundërshtim me vlerat kombëtare, e pse jo edhe njerëzore. Sipas këtij konstatimit duhet të dëbohen të gjithë profesorët nga Maqedonia që janë në universitetin “Hasan Prishtina”, e të tillë janë të shumtë, madje edhe nëpër poste të larta në këtë universitet si Prorektorë etj., dhe anasjelltas sa të tillë nga Kosova dhe Shqipëria japin kontributin e tyre në universitete në Maqedoni e Shqipëri u dashkan të dëbohen! Sa për informim ndonëse me origjinë vij nga Maqedonia, unë posedoj nënshtetësi kosovare si të gjithë banorët tjerë të Kosovës. Huazimi i profesorëve është një dukuri ndërkombëtare, sepse një numër i madh i profesorëve tanë japin kontributin e tyre në universitete botërore si në Perëndim po ashtu edhe në Lindje, por ngushtësia shpirtërore e individëve të caktuar nuk mund ta pranojë edhe atë që është më se normale. / Besimtari/kohaislame.com

Prof. ass. dr. Zija Abdullahu
Profesor në Fakultetin e Studimeve Islame – Prishtinë

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit