Rasti “Monstra” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit ka vazhduar me kundërshtimet midis Prokurorisë dhe palës mbrojtëse lidhur me aktakuzën e ngritur.
Avokati Naser Raufi i cili po mbron gjashtë shqiptarët e dyshuar dhe ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë për terrorizëm ka dorëzuar ankesën pranë Gjykatës Themelore të Shkupit, duke hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga hetuesia.
“Unë kam dorëzuar ankimimin, sepse edhe njëherë nënvizoj se nuk ka prova dhe dëshmi lidhur me aktakuzën e ngritur”, ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA, avokati Raufi.
Nga ana tjetër, kryeprokurori i përgjithshëm në Maqedoni, Lupço Shvrgovski deklaroi se ka dëshmi të mjaftueshme që padyshim sipas tij do të vërtetojnë dhe dëshmojnë fajësinë e personave të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë.
“Në bazë të asaj që deri tani kemi grumbulluar si material dëshmues nuk ka asnjë dilemë se do të kemi sukses që të tregojnë fajësinë e atyre që janë të akuzuar për veprat kriminale. Por, ne nuk mund që të ndajmë të gjitha faktet, dëshmitë që disponojmë me opinionin publik”, ka theksuar Shrvgovski, duke shtuar se ajo është punë e gjykatës. Hetuesja kryesore për rastin “Monstra” është Gordana Geshovska së bashku me katër prokurorë të tjerë, përfshirë edhe një prokurorë shqiptarë.
Aktakuza e ngritur prej pesë faqeve ngarkon për vepër terrorizëm dhe vrasjen e kryer Alil Demirin, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Rami Sejdini si dhe Haki Haziri për ndihmën e dhënë gjatë kryerjes së aktit të vrasjes. Vrasja e pesëfishtë në Smilkovc ndodhi më 12 prill 2012 në liqenin pranë fshatit Smilkovc të Shkupit, ku u vranë katër të rinj maqedonas dhe një peshkatar. Pas kësaj vrasje, MPB më 1 maj ndërmorri operacionin “Monstra”, ku arrestoi dhunshëm dhjetëra veta, të gjithë shqiptarë, përfshirë gra dhe të moshuara, duke i akuzuar për kryerjen e vrasjes dhe përfshirjen në të. (INA)/kohaislame