2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Rasmussen: NATO e ka bërë të qartë se nuk ka ndarje të Kosovës

Më të lexuarat

Anders Fogh Rasmussen, sekretar i përgjithshëm i NATO-s ka qëndruar sot në Prishtinë. Pas vizitës që  bëri në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë, Rasmussen, në bazën e KFOR-it në Prishtinë  është takuar me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin. Me këtë rast, kryeministri Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës falënderoi NATO-n si dhe të gjitha shtetet anëtare të NATO-s që kanë mbështetur dhe vazhdojnë t’a mbështesin Kosovën dhe popullin e saj. Gjithashtu z. Thaçi falënderoi edhe për mbështetjen e vazhdueshme për FSK-në.

Kryeministri Thaçi pas takimit bilateral me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ka marrë  pjesë në takimin e Këshillit Veri Atlantik të NATO-s, ku ishin të pranishëm të gjithë ambasadorët në NATO të shteteve anëtare. 

Në dy takimet kryeministri Thaçi tha se “Kosova është e përkushtuar që të jetë faktor i rëndësishëm i paqes, stabilitetit, dhe sigurisë në rajon, dhe këtë e ka dëshmuar edhe me bashkëpunimin e shkëlqyer që ka me KFOR-in”

Kryeministri Thaçi falënderoi  personalisht sekretarin Rassmusen për kontributin dhe përkushtimin e tij  personal ndaj Kosovës.

Rassmussen theksoi se NATO-ja është e përkushtuar të sigurojë një ambient të paqes, stabilitetit, dhe të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Rasmussen gjithashtu e falënderoi kryeministrin Thaçi për lidershipin e tij dhe zhvillimet që po ndodhin në Kosovë. Rassmussen theksoi se NATO-ja por edhe bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të qartë që nuk ka ndarje të Kosovës, dhe çfarëdo zgjedhje që do të gjendet për veriun e Kosovës duhet të gjendet në mes të Prishtinës dhe banorëve serbë në veriun e Kosovës.

 Kryeministri gjithashtu njoftoi përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s në takimin e Këshillit të NATO-s se falë mbështetjes së juaj FSK-ja i ka arritur kapacitetet e plota operacionale dhe është afirmuar në një institucion të besueshëm dhe kredibil në vend dhe rajon.

FSK-ja është një institucion i cili është ngritur nga vetë NATO-ja, dhe përkon me standardet e larta të NATO-s.

Kryeministri Thaçi po ashtu falënderoi vendet anëtare të NATO-s për fillimin e procesit të hapjes së hapësirës ajrore të Kosovës, sepse është vendim i drejtë dhe në të mirë të Kosovës por edhe të popullit të Kosovës.

Kryeministri gjatë takimit me Këshillin e NATO-s i paraqiti kërkesat e Qeverisë së Kosovës, të cilat përfshijnë:

 

a.       Aprovim i kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së nga ana e këshillit Veri-Atlantik të NATO-s sa më shpejtë;

 

b.      Vendosja e Raporteve Formale të partneritetit me NATO-n (anëtarësim në partneritet për paqe ;

 

c.       Anëtarësimi i Kosovës në kartën e Adriatikut A5,  (fillimisht në cilësinë e Vëzhguesit, dhe strukturat tjera rajonale të sigurisë); dhe

 

d.      Mundësi dhe ftesë për pjesëmarrjen e njësiteve të FSK-së apo Policisë së Kosovës në operacione jashtë vendit të udhëhequra nga NATO, apo BE-ja.

 

Për më tepër kryeministri Thaçi theksoi rëndësinë që të ketë një fokusim dhe përkushtim më të madh të NATO-s, respektivisht KFOR-it për sigurimin e lëvizjes së lirë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

 Thaçi i njoftoi anëtarët e Këshillit të NATO-s edhe për situatën në veri, të cilën e cilësoi si të tensionuar, “ku ende kemi barrikada dhe liria e lëvizjes edhe për KFOR-in, EULEX-in, e edhe për qytetarët në veri është e cenuar. Kështu që mirëpresim që KFOR-i në Kosovë të jetë më i vendosur për të siguruar lëvizjen e lirë”.

Kryeministri Thaçi gjithashtu u përgjigj në pyetjet e ambasadorëve, si për veriun ashtu edhe për situatën në përgjithësi në Kosovë, e posaçërisht shtrirjes së autoritetit të Republikës së Kosovës në veriun e Kosovës.

Thaçi në emër të Qeverisë së Kosovës gjithashtu falënderoi KFOR-in për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi, dhe theksoi përkushtimin e Kosovës që të vazhdoj me këtë koordinim të ngushtë me KFOR-in, EULEX-in dhe të gjithë partnerët ndërkombëtar që të ketë sundim të ligjit në pjesën veriore të Kosovës, të luftohet krimi i organizuar dhe dukuritë tjera negative.

“Veriu i Kosovës nuk duhet të mbetet vrimë e zezë, ku s’ka sundim të ligjit, ku ka krim të organizuar dhe kontrabandë. Kjo nuk i shërben qytetarëve në atë pjesë, nuk i shërben Kosovës, por as rajonit“,  theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se do të kemi bashkëpunim të ngushtë që të kemi sundim të ligjit dhe të sigurojmë lirinë e lëvizjes për të gjithë, si dhe një ambient të sigurte për të gjithë qytetarët pa dallim.

 Sekretari Rasmussen theksoi se e çmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për integrimin e komunitetit serbë që jeton në pjesën veriore të Kosovës, si dhe të gjithë hapat që po i ndërmerr Qeveria e Kosovës në atë drejtim. Gjithashtu edhe ambasadorët e vendeve anëtare e përshëndetën progresin e arritur, dhe theksuan se do t’i ofrojnë mbështetjen e pa rezervë  Qeverisë së Kosovës. koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit