Në takimin për liberalizim të vizave që u mbajt sot, në të cilin morën pjesë edhe përfaqësuesit e Komisionit Europian dhe ku u diskutuan gjetjet e këtij komisioni lidhur me progresin dhe sfidat e Kosovës në rrugën drejtë liberalizimit të vizave, u përmend edhe progresi dhe sfidat e bllokut 3 – Sundimi i Ligjit.
Në këtë bllok Komisioni Europian përmendi progresin e arritur në miratimin e legjislacionit në fushën e drejtësisë, duke veçuar progresin në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar.
Raporti gjithashtu ka ofruar një listë ligjesh dhe aktesh tjera të cilat duhet sjell apo amandamentuar në një të ardhme të afërt, gjithnjë duke qenë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, paraqiti të arriturat në sistemin e drejtësisë, me thekës të veçantë të arriturat në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit. Ai tha së Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në vazhdimin e reformimit të sistemit gjyqësor.
Ministri Kuçi tha së janë themeluar departamentet e veçanta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke shtuar së do të bëhet harmonizimi i ligjeve që ndërlidhen me krimin e organizuar, korrupsionin dhe terrorizmin.
Lidhur me hartimin e Ligjit të ri për Marrëdhëniet e Detyrimeve, plotësimin e Ligjit për Procedurën Kontestimore, Ligjin për Procedurën Përmbarimore, si dhe fillimin e punë së sistemit noterial, ndërmjetësimit, arbitrazhit dhe së shpejti edhe me përmbaruesit privat, Ministrit tha së këto ligje dhe këto mjete alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, do të ndihmojnë shumë gjyqësorin.
Ministri foli edhe për ndryshimet pozitive që ka sjell Kodi i ri Penal dhe ai i Procedurës Penale në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe veprave tjera, për miratimin e Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale dhe për përpjekjet që janë duke i bërë në arritjen e sa më shumë marrëveshjeve me vendet fqinje dhe të BE-së, për të lehtësuar bashkëpunimin ndërkombëtar.
Ministri Kuçi shtoi që gjatë implementimit të reformave në drejtësi, Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka në koordinim me Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial të Kosovës dhe me institucione tjera vendore dhe ndërkombëtare.
Me tej, ministri Kuçi prezantoi edhe shumë plane tjera të cilat do të ndikojnë në avancimin e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, thuhet në njoftim. /Telegrafi/