-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Raporti ‘Big Deal’: Zbatim i ‘Brishtë’ i Marrëveshjeve Kosovë – Serbi

Më të lexuarat

Gjendja në terren për sa i përket marrëdhënieve Kosovë-Serbi, veçanërisht në katër komunat veriore të Kosovës, është larg të qenit normale. Ky është vlerësimi i raportit “Big Deal”, i publikuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, Internews Kosova dhe Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie – CRTA në Serbi.
 
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha se pajtohet që nuk është arritur progres në të gjitha fushat, por sqaroi përse gjërat po ecin ngadalë.
 
“Në të gjitha fushat ku ne kemi bërë marrëveshje është vënë parimi i reciprocitetit, siç bëhet në mes të gjitha shteteve, por përse po shkon ngadalë, duhet të kemi parasysh që bëhet fjalë për dy shtete që kanë një histori lufte, por edhe një gjenocidi që Serbia e ka bërë në Kosovë”, tha ajo.
 
Deklarata e saj për gjenocid, ngjalli reagim në konferencë. Bane Nesoviq, nga organizata joqeveritare “Aktiv” në Mitrovicë ia tërhoqi vërejtjen asaj që të mos e përdorë fjalën gjenocid.
 
“Dua të kritikoj zonjën Tahiri duke i thënë mos e përdor fjalën ‘gjenocid’, sepse kjo fjalë mund të diskutohet shumë”, tha ai.
 
Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se të dyja palët duhet të punojnë më shumë në drejtim të një normalizimi më efektiv.
 
“Të dyja palët janë të humbur në perceptimet e tyre për procesin , ekziston një mungesë e vullnetit për të kuptuar palën tjetër po flas për të dyja anët”, tha Zhbogar.
 
Valerie Hopkins – autore e raporti, tha se njëra ndër marrëveshjet që nuk është implementuar fare është njohja e diplomave nga të dyja vendet.
 
“Ne e pyetëm ministrin e Arsimi të Kosovës se çka po ndodh, dhe tha se fatkeqësisht nuk ka asnjë njohje të diplomave të kandidatëve serb, nuk është njohur për shkak të mungesës së një udhëzimi administrativ në këtë Ministri dhe janë bërë tanimë katër vjet. Shpresojmë ta bëjnë këtë më shpejtë”, tha Hopkins.
 
Drejtoresha ekzekutive e BIRN-it, Jeta Xharra, tha se ky raport do të vazhdojë të publikohet vazhdimisht me të gjetura të reja rreth implementimit të marrëveshjeve.
 
“Për tre vjet e ardhshme do ta monitorojmë këtë marrëveshje dhe 17 marrëveshje të nënshkruara në mes Prishtinës dhe Beogradit sepse kemi parë që një negocatë e tillë duhet me pas mbikqyrje të shoqërise civile sepse në fund nuk duam një version të dy palëve që mund të jenë shumë të ndryshme”, tha ajo.
 
Në këtë drejtim, Drejtori i Internews Kosova, Faik Ispahiu, bëri një kërkesë publike për të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces.
 
“I bëjmë thirrje edhe Qeverisë së Kosovës edhe Qeverisë së Serbisë, por edhe Unionit Evropian, i cili proklamohet se është vetëm lehtësues i marrëdhënies, e të gjithë e dimë që nuk është veç lehtësues. Ka aty hapësirë më të madhe për ta ndihmuar më fuqishëm procesin e dialogut”, kërkoi Ispahiu.
 
Për më tepër, në konkluzat e raportit thuhet që Serbia duhet të bëjë ndryshime  në Kushtetutën e saj për të mos rrezikuar progresin e arritur gjatë dialogut dhe që Serbia e Kosova, edhe Bashkimi Evropian, të jenë të kujdesshëm në mënyrë që marrëveshjet të mos mbështeten në sisteme të kuotave etnike.
 
më tej Raporti rekomandon një informim më të saktë nga të dyja palët, pasi që transparenca është një problem madhor për publikun./kallxo
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit