1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ramazani, muaji i Amanetit

Më të lexuarat

Falenderimi i plotë dhe i përsosur i takon Allahut që krijoi qiejt dhe tokën me hak, Zotit të botërave dhe Përsosësit të krijesës njerëzore, që i dha jetës sonë kuptim . Lutjet, salavatet dhe përshëndetjet më të ndjera dhe më të përzemërta qofshin për më Besnikun e të gjithë profetëve, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, i cili, me lejen e Allahut dhe ndihmën e Tij, e mbajti dhe e përcolli me sukses e faqebardhë amanetin e të gjithë Profetëve, amanet të cilin Allahu ia dha njeriut, pasi qiejt, toka dhe malet nga droja nuk e mbajtën.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ne ua ofruam amanetin, qiejve, tokës dhe maleve por ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, e atë e mori përsipër njeriu, vërtet ai është i padrejtë ndaj vetes së tij (kur nuk e përmbush emanetin) dhe jo i vetëdijshëm (për përgjegjësinë që mbart mbi vete)”.  Ahzab 72

Etimologjia e fjalës amanet, kjo fjalë kuranore e shqipëruar, na fton për të ndejtur gjatë e me nge me të, për shkak të lartësisë, thellësisë dhe gjerësisë të kuptimeve të saj. Por, trysnia e këtij konteksti e drejton dritën e mendjes dhe të shpirtit tek kuptimet e saj më jetike: besa, siguria, dhe qëndrueshmëria. Profeti alejhi selam na thotë: ‘Nuk ka iman ai që nuk ka amanet’, pra ai që nuk ka besë, nuk të jep siguri dhe nuk të mundëson jetëgjatësinë e marrëdhënieve të ndërtuara mbi të vërtetën dhe të drejtën.

Verseti kuranor i lartpërmendur na shpalos faktin se Allahu i Madhëruar e ka krijuar njeriun me kapacitetet dhe dhuntitë e mjaftueshmë për të qenë ruajtës  amanetit të Allahut, sepse Allahu nuk ngarkon njeriun me më shumë se ç‘ka mundësi. Pra e ka krijuar me kapacitetet dhe aftësitë e duhura për të ndërtuar marrëdhëniet e tij me Allahun lart tij dhe të gjithë krijesat rreth tij mbi bazën e besës, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në udhën e të vlefshmes dhe të vërtetës së përtjetshme.

Por ja që për ta mbartur këtë amanet nuk mjaftoka vetëm dëshira e sinqertë dhe entuziazmi në momentin apo stadin e mbartjes. Por që njeriu ta gëzojë me të drejtë statusin hyjnor të emanetqarit duhet që si i tillë të jetë edhe në momentin e takimit me Krijuesin e tij nga ku buron dhe statusi i tij.

Dy cilësitë e njeriut ‘i padrejtë dhe jo i vetëdijshëm’,  , të shënuara në fund të versetit të lartpërmendur kuranor, duken paradoksale me statusin hyjnor emanetqar. Mirëpo vetë natyra e luhatshme e këtij emanetqari, gjatë udhëtimit të tij drejt Zotit të Tij për të marrë trofeun e ruajtjes së statusit emanetqar, shpesh e bën njeriun, kjo natyrë, t’i dobësohen forcat dhe fuqitë që i mundësojnë vazhdimësinë e rrugës  dhe mjegullnaja e kësaj dobësie e bën të harrojë se kush është e për çfarë është, e bën të harrojë pozitën e lartë në të cilën e ka vënë Allahu, e kështu përshfaqen në të dhe rreth tij cilësitë e padrejtësisë dhe svenitjes së vetëdijes e për rrjedhojë rrezikon të humbasë statusin dhe trofeun e amshueshëm të emanetqarit.

Pra Allahu i Madhërishëm don që robi i Tij të jetë emanetqar deri në fund të garës së tij me veten e tij dhe me botën rreth tij. Sakaq sinqeriteti dhe entuziazmi që mishërojnë momentin e mbartjes së emanetit merr vlerë dhe kuptim vetëm nëse kapsula shpirtërore e këtyre vlerave parake e furnizon emanetqarin me forcën e mjaftueshme deri në fund të pistës së garës, pra deri në momentin e takimit me Allahun, Zbritësin e amanetit.

Pikërisht, në shërbim të suksesit të kësaj gare të veçantë të emanetqarit, Allahu i gjithësisë ka vënë edhe natyrën speciale të marrëdhënieve të emanetqarit me Krijuesin e Tij dhe me botën e tij.

E kjo natyrë e këtyre marrëdhënieve e ka emrin devotshmëri. E ka emrin gjendje që vazhdimisht të mban lidhur me pozitat më të larta të korrektësisë me Zotin dhe që merr konkretisht kuptim kur reflektohet qartë dhe saktë ndaj botës përreth. Gjendje që nga përherësia dhe vazhdimësia e të jetuarit me Allahun rrezaton vazhdimësinë e besës dhe sigurisë ndaj krijesave të Tij.

Në shërbim të kësaj gjendje të veçantë Allahu i Madhërishëm ka vënë edhe shtyllat e fesë së Tij. E në kuadër të sezonit që po përjetojmë dominon me reflektimin e tij agjërimi të cilit Allahu i ka posaçëruar në mënyrë obliguese një muaj të plotë, muajin e begatë të ramazanit që përmes agjërimit dhe të gjithë adhurimeve të ngërthyera e të mirëkoordinuara në të, synon ta lartësojë njeriun në gradat më të larta të gjendjes konsoliduese të aftësisë mbartëse dhe reflektuese të amanetit, në gradat më të larta të devotshmërisë.“O ju që keni besuar ju është bërë obligim agjërimi, ashtu siç edhe atyre para jush që të jeni të devotshëm”. Bekare 183

Vjen ky adhurim, kjo shtyllë shumë e lartë dhe e fortë e Islamit për t’i mundësuar njeriut pikërisht kultivimin e vlerave më jetike dhe më të domosdoshme që i duhen jo vetëm për të mbartur amanetin por edhe për ta çuar me sukses deri në fund. Profeti a.s thotë: “Allahu i Madhëruar thotë: ‘çdo punë e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, ai është për Mua dhe vetëm Unë Di ta shpërblej atë” Buhariu 1904, Muslimi 1151

Gjithashtu Profeti a.s thotë: “Kush agjëron dhe nuk heq dorë nga fjala e ligë dhe puna e ligë le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë për urinë dhe etjen e tij” Buhariu 1903

E kështu Profeti ynë i dashur na përgëzon për kënaqësinë dhe shijen e shpërblimit të madh të momenteve të mbartjes mujore dhe ditore të këtij adhurimi, pra gjendja e nijetit të sinqertë në fillim të ditës dhe të muajit të agjërimit, por në të njëjtën kohë na kujton se ky startim transparent duhet ruajtur deri në fund duke agjëruar me të tre nivelet e agjërimit; atë të barkut e të epsheve, atë të shqisave dhe atë të zemrës. Rjedhimisht gëzojmë me shpirtin dhe gjendjen tonë në çdo fund-dite në çastet e iftarit sepse e përcollëm me sukses deri në perëndim të ditës emanetin që mbartëm në fillim të saj dhe gëzojmë në fund të muajit të begatë të agjërimit, me anë të fitërbajramit, sepse e mbartëm me sukses deri në fund të tij emanetin që mbartëm për hatër të Allahut në fillim të muajit të begative, ramazanit.

Por mbi të gjitha gëzojmë, sepse kemi marrë dëshminë e aftësimit për të vazhduar rrugën tonë si emanetqarë të denjë, reflektues të vlerave të këtij statusi ndaj gjithçkaje që na rrethon, deri në momentin e fitimit dhe marrjes së trofeut përfundimtar të ruajtjes së këtij statusi, momentin e takimit me Statusdhënësin, Allahun e Madhëruar.

Profeti a.s thotë: “Agjëruesi ka dy gëzime; njëri kur çel iftarin e tij e tjetri kur takohet me Zotin e tij”  Ahmeti dhe Muslimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit