1.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Rama synon shumë gjëra me shkarkimin e Metës

Më të lexuarat

Fitim Zekthi

Qeveria e Kryeministrit Rama ka nisur prej disa ditësh procedurat e shkarkimit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Ka një angazhim të madh të Parlamentit, të deputetëve, të ministrave, të cilët po e akuzojnë për shkelje të rënda të Kushtetutës Presidentin dhe po e sulmojnë atë thuajse me gjithçka. Kryeministri vetë madje ka mbajtur dy fjalime në Parlament, ku ka thënë deri se Presidenti po sillet si i sëmurë dhe po e shtyn vendin në konflikt etj.

Shkarkimi i Presidentit të Republikës është një gjë shumë e vështirë për çdo vend, qoftë ai demokratik apo jo demokratik. Rregullat e shkarkimit të një Presidenti janë të atilla që i japin Presidentit një mbrojtje shumë të madhe.

Kjo mbrojtje shumë e madhe ka të bëjë me faktin se Presidenti është kreu i shtetit dhe duke qenë kreu i shtetit ai nuk mund të bëhet objekt shkarkimi, shantazhi, kërcënimi nga partitë apo nga organet e tjera shtetërore të një vendi. Kreu i shtetit duhet, në parim, të jetë aq i mbrojtur sa të mos ndikohet në vendimmarrjen e tij nga asnjë lloj presioni që mund t’i vijë nga qeveria, parlamenti, partitë etj.

Duke qenë kështu, numri i krerëve të shteteve ndaj të cilëve kanë nisur procedurat e shkarkimit është vetëm 25. Nga këta janë shkarkuar vetëm 11 krerë shtetesh deri më sot. Rasti i parë kur ndaj një presidenti apo kreu shteti janë nisur procedurat për shkarkim është Warren Hastings, i cili ishte guvernatori britanik për Indinë në vitin 1788, pra 231 vjet më parë. Ndaj Hastings nisën procedurat e shkarkimit nga parlamenti britanik, pasi ai u akuzua për vrasjen e një maharaxhai të rëndësishëm me anë të një manovre gjyqësore. Pas 6 muajsh hetime Hastings nuk u shkarkua.

Më pas bota ka njohur nisjen e procedurave për shkarkim ndaj presidentësh në vende nga më të ndryshmet, qofshin ato demokratike, si SHBA apo Koreja e Jugut, apo autoritare si Indonezia, Peruja, Paraguai etj.

Në të gjitha rastet akuzat ndaj krerëve të shteteve, ndaj të cilëve ka nisur procedura e shkarkimit, kanë qenë akuza të rënda që përbëjnë krim, që janë vepra penale. Guvernatori Hastings u akuzua për vrasje, Presidenti Klinton u akuzua për pengim drejtësie, Presidenti Nikson për përgjime të paligjshme, shantazh dhe pengim drejtësie, Presidenti koreanojugor, Park Guen Hye, u akuzua për korrupsion, Presidenti peruan, Fuxhimori, për korrupsion, shantazh, Presidenti filipinas, Estrada, për korrupsion dhe krime të tjera, Presidenti ukrainas, Janukoviç, për korrupsion, vrasje dhe shantazh etj.

Pra qoftë vendi një republikë presidenciale si SHBA-ja, si Filipinet apo një republikë parlamentare si Koreja e Jugut, qoftë një demokraci si SHBA-ja dhe Koreja e Jugut apo qoftë një autoritarizëm si Peruja, apo Filipinet, procedurat e shkarkimit të presidentit nisin për një akuzë të tillë që ka të bëjë me një krim. Sigurisht çdo kushtetutë në botë parashikon edhe shkarkimin e presidentit për atë që njihet si “shkelje e rëndë e kushtetutës”, por kjo shkelje e rëndë e kushtetutës, sipas doktrinës kushtetuese, sipas mendimit mbizotërues të jurisprudencës kushtetuese, vendimeve të gjykatave supreme ose kushtetuese, sidomos asaj supreme të SHBA-së, duhet të përbëjë doemos krim, pra vepër penale. Shkurt Presidenti i Republikës duhet të ketë një shkelje kushtetuese të tillë që ajo të jetë vepër penale. Pra Presidenti duhet që në vendimin në të cilin ai ka shkelur kushtetutën të ketë shpërdoruar detyrën, të ketë marrë ryshfet, të ketë dashur të ndihmojë armiqtë e vendit etj.

Le të shohim pak rastin tonë, rastin e nisjes së procedurave të shkarkimit ndaj Presidentit Meta. Pse Kryeministri Rama i nisi me kaq tërsëllimë, me kaq zulmë akuzat, sulmet dhe procedurat e shkarkimit të Presidentit Meta. Cili është konteksti, në çfarë gjendje politike, ekonomike dhe sociale ndodh e gjitha kjo.

Shqipëria sot është një vend ku botërisht qeveria ka nën kontroll të gjitha pushtetet. Parlamenti dhe qeveria janë pa dyshim në kontrollim të Kryeministrit. Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese janë shkatërruar dhe nuk ekzistojnë dhe për më tepër mënyra sesi po bëhet vetting, mënyra se si po konstituohet tërë pema e re e organeve të gjyqësorit tregojnë se Rama do t’i marrë nën kontroll këto dy gjykata fondamentale për një kohë shumë të gjatë. Policia është totalisht vegël e verbër e Lleshajt i cili është shërbyes edhe më i verbër sesa vetë policia ndaj Ramës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjithashtu është një vegël e verbër e Ramës. Shërbimi Informativ është nën kontrollin e Ramës. Agjencitë e kontrollit të parave, Banka e Shqipërisë, autoritetet mbikëqyrëse, media publike janë krejtësisht në kontrollin e Ramës. Nuk ka sot në Shqipëri asnjë institucion publik shtetëror që nuk kontrollohet nga Rama me përjashtim të Presidentit.

Në kushte të tilla, po të pyesësh nxënësin më të dobët të gjimnazit se në cilën anë është e drejta kur Kryeministri kërkon të shkarkojë të vetmin institucion që nuk e kontrollon, do të marrësh përgjigjen se e drejta është në anën e Presidentit. Nuk ia vlen të thuash se cila do të jetë përgjigjja po të pyetej një mësues, një arkitekt etj. Ndërsa do të fyhej po të pyetej një politolog, një jurist apo një analist politik (në Shqipëri për shkak të korrupsionit të lartë gjen juristë apo analistë që e mbrojnë Ramën edhe në kushte të tilla).

Pra vetëm kaq do të mjaftonte për të kuptuar që veprimi i qeverisë është krejtësisht i padrejtë, sigurisht antikushtetues. Kushtetuta garanton pavarësinë e presidentit si kreu i shtetit dhe përfaqësues i unitetit dhe mbrojtjen e plotë të tij nga kërcënimi.

Po të hyjmë pak më në brendësi do të shohim qëllimet e ulëta politike që instrumentalizohen përmes interpretimesh mediokre dhe të turpshme të Kushtetutës. Kryeministri dhe njerëzit thonë se Meta, me dekretin për të anuluar zgjedhjet, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, kështu që Parlamenti ka përgjegjësinë, thanë Rama, Balla, Fino, Spiropali, Murrizi, Hajdari etj., etj. Madje dy deputetë nga këta të opozitës së “re” thanë se do të votonin kundër një presidenti që thyen Kushtetutën. Pra për këta presidenti duhet të shkarkohet për çdo thyerje kushtetute. O ç’lemeri! Pra Presidenti Obama duhet të shkarkohej të paktën 20 herë, sepse atij Gjykata Supreme i rrëzoi të paktën 20 vendime si në kundërshtim me kushtetutën, Presidenti Bush duhet të shkarkohej po ashtu rreth 20 herë, Presidenti Trump po ashtu…

Dekreti i Metës për të anuluar datën e zgjedhjeve mund të gjykohet antikushtetues nga të gjithë ata njerëz të cilët e shohin ligjin dhe kushtetutën në mënyrë strikte konstruktiviste, të cilët besojnë se autoritetet e shtetit dhe vetë kreu nuk duhet të “bëjnë ligje nga tryeza e tyre” (legislate from the bench), nuk duhet të kenë kompetenca të tilla që ligjvënësi ia ka lejuar vetëm Kuvendit etj. Ata që kanë për zemër këtë lloj hermeneutike, ata që besojnë te shteti i vogël, që nuk zgjeron kufijtë, tek institucionet që rrinë të vogla dhe dallohen për vetë shtrëngim, ata do ta gjejnë ndoshta dekretin e Presidentit Meta antikushtetues. Të gjithë e kanë të qartë se Rama nuk beson te strict konstruktivizmi, nuk beson te kjo lloj hermeneutike e tekstit dhe kjo lloj filozofie e së drejtës. Gjithsesi edhe sikur të besojnë te kjo filozofi, edhe sikur të jenë të bindur në vetëdijen e tyre se Presidenti ka nxjerrë një dekret antikushtetues ata, sidomos duke qenë konstruktivistë striktë me këtë rast (por edhe po të mos jenë), duhet ta dinë se këtë gjë e vendos vetëm Gjykata Kushtetuese. Kaq është kjo.

Në anën tjetër, dekreti i Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve do të gjendej kushtetues nga të gjitha ata që mendojnë se ligji dhe Kushtetuta duhet të shërbejnë për të zgjidhur një gjendje, për të ndihmuar shoqërinë të jetë më e drejtë dhe më paqësore. Dekreti i Metës do të ishte kushtetues për të gjithë ata njerëz që mendojnë se Kushtetuta është një “pemë e gjallë”, që duhet të përdoret si e tillë nga Presidenti apo nga Gjykata Kushtetuese për të ndihmuar shoqërinë dhe të drejtën. Edhe në këtë rast, këtë duhet ta thotë gjykata. Sigurisht jo Rama, jo Biba, jo Balla.

Dekreti i Metës është thjesht dhe vetëm objekt gjykimi nga Gjykata Kushtetuese mbi dy filozofitë e mësipërme dhe kaq. Asgjë më shumë. Të gjithë njerëzit, politikanë apo analistë, juristë apo filozofë kanë të drejtë të japin mendime mbi të, por mendimet e tyre janë pa asnjë vlerë juridike dhe nuk prodhojnë asnjë pasojë. Janë thjesht çështje të debatit akademik apo publik.

Atëherë pse Rama merr një çështje të tillë, si askund tjetër në botë dhe kërkon ta shkarkojë Presidentin? Rama është në një krizë të thellë. Qeveria e tij është kapur publikisht në blerje votash duke bashkëpunuar me krimin. Qeveria e tij ka dështuar me ekonominë, me rendin, me arsimin, me shëndetësinë, me papunësinë, shqiptarët po ikin si kohë lufte. Rama është në krizë, sepse ka marrë një pushtet të palegjitimuar, ka marrë 61 bashki pa mundur askënd dhe me manipulime të hapura. Rama ka nevojë dramatike për të pasur armiq, për të konstruktuar armiq. Por Rama ka nevojë dramatike edhe për të mos lejuar që të flitet për bashkëpunimin e qeverisë me krimin, për dështimet, për korrupsionin, për përgjimet.

Rama do të ishte shumë i lumtur të kishte në Shqipëri ngjarje që i hutojnë njerëzit ose ngjarje që i mbajnë ata të zënë, të zënë, “keep them bussy, bussy”, thonë propagandistët. Sikur të binte një satelit, sikur të mos perëndonte dielli në orën 20:20 si tani, po për shembull në orën 12 të natës apo sikur të zbulohej “ndonjë grup armiqësor” që po synon të shkatërrojë Ramën dhe punët e qeverisë për integrimin etj. Veç këtyre shkaqeve, Rama kërkon ta shkarkojë Metën edhe për shkak se vendimi i tij absurd për të hyrë në zgjedhje i vetëm pa opozitën duhet mbrojtur. Si me thënë krimi duhet çuar në fund që të duket sikur nuk ka qenë i tillë. Ka shumë arsye pse Rama ka hyrë së prapthi në këtë rrugë, në këtë përballje me Metën. Kriza e rëndë politike, pasiguria dhe frika e humbjes së pushtetit i ka bërë këto arsye të mblidhen bashkë dhe të shfaqen në formën e kërcënimit për shkarkim. Procedura e shkarkimit në thelb nuk ka në fokus thjesht Presidentin, por në thelb apo në zemër të saj është kriza e vetë Ramës.

Kur të ngrihet Gjykata Kushtetuese, edhe sikur të jenë gjyqtarët më mediokër në botë të gjithë anëtarët e saj, edhe sikur anëtarë të saj të bëhen studentë të Juridikut apo Shkencave Politike, ata nuk do ta miratojnë kurrë shkarkimin e një presidenti me akuza të tilla gati idioteske. Por Gjykata Kushtetuese duket se do të jetë plotësisht politike dhe nën kontrollin e Ramës dhe ata sigurisht që do ta miratojnë shkarkimin e Metës në qoftë se Rama do ta dojë këtë gjë dhe në qoftë se Rama do të ketë llogaritur (shahisti i madh) se kjo i bën punë.

Gjithsesi, duhet thënë se Meta aty do të jetë i fortë dhe i domosdoshëm në këto kohë kur Rama po përpiqet të përdorë krizën e vet të thellë për t’i çuar gjërat në fund dhe të uzurpojë gjithçka apo mund këdo. Një President i tillë nuk mund të shkarkohet dhe sidomos nuk mund të shkarkohet kurrë me akuza të tilla apo me budallallëqe të tilla. Po të shkarkohet atëherë kriza e Ramës është e rëndë sa ai për të mbijetuar po shkon në ekstrem, po merr gjithçka dhe kërcënon këdo. Është pak a shumë gjendja fatale e kërcënimit total, siç kanë bërë në fund të gjithë, nga Sadam Hyseini te Gadafi, nga Janukoviç te Fuxhimori etj./Gazeta Liberale

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit