0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Rama, koha për “ministri edukimi”

Më të lexuarat

NGA AGIM BAÇI

“…duhet të jesh shumë edukues, i durueshëm, duke shpjeguar meritat e çdo veprimi”, shprehej kryeministri Rama në një intervistë publikuar tri ditë më parë nga “forbes.fr”. 
Thënë shkurt, shqetësimi i z. Rama pas gati tetë vitesh në krye të qeverisë, dhe 20 vite pas të qenurit në pushtet edhe si ish-kryebashkiak i Tiranës, është se në territorin që ai qeveris kanë mbetur ende qytetarë që nuk kanë arritur të kuptojnë siç duhet hapat e tij qeverisës.

E tmerrshme, sepse pas tetë vitesh propagande nga të gjitha anët dhe përballë medias që jep live thuajse çdo hap të tij, nga mëngjesi në mbrëmje, sërish ka njerëz që nuk besojnë se ai na ka integruar në Bashkimin Europian, sepse ka ende njerëz që besojnë versionin e opozitës sikur ai ka gisht në vjedhjen e votave, si në dosjet “184” apo “339”, se ka njerëz që ende dyshojnë te shëndetësia falas, se ka njerëz që nuk kuptojnë te ulja e akcizës së naftës për mjetet bujqësore, se ka ende njerëz që i kujtojnë premtimin për 300 mijë vende pune.

Tashmë, kur kanë mbetur edhe pak muaj nga zgjedhjet, kryeministrit i duhet të nxitojë në edukimin publik, pasi të kesh, pas tetë vitesh qeverisjeje, ende mosbesues ndaj meritave të çdo veprimi, të kesh ende një opozitë që në vend të duartrokasë arritjet, kërkon të kontestojë punët e tua, është diçka e rëndë, sidomos për dikë si z. Rama që ka harxhuar gjithçka që propaganda të jetë në kulmin e vet. Duke e botuar intervistën në revistën “forbes.fr”, Rama është treguar i matur, pasi e ka shpjeguar ndërkombtarisht se “është rastësisht në politikë” dhe se këtë “rastësi” dëshiron ta zgjasë deri sa të ketë sytë hapur në këtë jetë. Por, nëse duam vërtetet që në këtë përpjekje të tij për të dhënë “dobishmërinë e tij për vendin”, siç shprehej në intervistë, duhet të jemi edhe ne pak tolerantë që durimit të tij, siç e përshkruante vetë z. Rama, të mos i sosë durimi.

Në fakt, nuk është se z. Rama nuk ka bërë përpjekje në këto vite që të mësojë shqiptarët që të pranojnë si shenjë respekti talljen e tij të hapur ndaj tyre apo që ta kuptojnë dobinë që ka zëvendësimi i opozitës që e konteston me disa që e duartrokasin. Madje ai ka përdorur takimet publike për t’i tallur shumicën e shqiptarëve live dhe njëkohësisht ka përdorur edhe disa parti dhe disa njerëz që ka dashur t’i emërojë si përfaqësues të opozitës. Por ja, sërish ka pasur nga ata “kokëmushkët”, siç i thonë urtësisht shqiptarët, që ende vijojnë të besojnë te parti të tjera, e jo tek ato që sugjeron me politesë z. Rama. Ndoshta për këtë ai mund të mendojë të jetë pak më tepër edukues apo riedukues.

P.sh, ai fare mirë deri në zgjedhje mund të krijojë edhe një Ministri Edukimi dhe ta marrë vetë në dorë, ashtu siç ka edhe diplomacinë. Madje mund të ketë edhe një orë komunikimi në mbrëmje ku të fusë me detyrim dëgjesat ndaj tij, që në të ardhmen e shpejtë të ketë vetëm një mënyrë të menduari mes shqiptarëve – ajo që sugjeron z. Rama përmes “dobishmërisë” së tij. Edhe opozitarët duhet të jenë thjesht disa njerëz që presin radhën që ai t’i përfshijë në qeverisje ndoshta me rotacion disamujor dhe jo njerëz që kanë ide të ndryshme, apo që publikojnë dokumente që thonë të kundërtën e asaj që ai publikon çdo minutë në ERTV-të e tij.

Edhe ministrja Spiropali nuk duhet të jetë vetëm për marrëdhëniet me teatrin absurd që luhet në Kuvend, por edhe me Kinostudion, pasi tashmë nëpër botë bëhen filma, ku tregohet në jo pak raste se si përfundon dikush që nuk duartroket linjën e shefit të qeverisë. Trinomi i menduar nga z. Rama “edukim, durim dhe meritë” duhet të jetë e shkruar me kujdes nëpër tabela ndanë rrugës për t’i kujtuar kujtdo që e humbet fillin dhe mendon gjëra të tjera nga ajo që z. Rama i thotë me zemër të hapur dhe i shqetësuar që jeta e shqiptarëve të vijojë pa kokëçarje.

Madje, duket se qeveria e tij e ka nisur këtë ushtrim të një “edukimi me durim”, duke propozuar ndryshime në kodin penal që dënojnë ironinë e memeve që tallen me qeverinë në rrjete sociale dhe në anën tjetër kanë propozuar çlirimin e përdorimit të kanabisit nga ndëshkimi i derisotëm. Sepse qeveria e di që mënyra e hollë e të menduarit, apo shakatë që i prishin qetësinë shefit të qeverisë nuk janë as të shëndetshme, as dobiprurëse për ata që i aplikojnë. (Nuk është nevoja që qeveria të tregojë praktikisht mënyrën se si e humbin shëndetin dhe dobinë ndaj vetes disa që mendojnë ndryshe nga ajo që thotë Qeveria, sepse kush ka biznes apo punon në shtet e ka provuar disi).

Pra, pak kanabis i lejuar, e ndoshta edhe i kompensuar nga shteti për përdorim, ndoshta është konsideruar si një mënyrë që mund t’i japë jetë nisjes së një hapi të ri për qytetarët që të mos kenë më kokëçarje për ide që mund të ndryshojnë realitetin rreth tyre.

Pas kësaj platoforme të thjeshtë edukimi, z. Rama mundet që të sugjerojë lehtësisht zgjidhjen që jep Ushtari i Mirë Shvejk teksa kur bisedon me zonjën Myler, që është e zemëruar dhe i thotë se do të vrasë veten duke u hedhur nga dritarja, ndërkohë që ai i afrohet dhe “këshillon”: “- Në qoftë se doni të hidheni nga dritarja, shkoni në dhomë, se dritaren e atjeshme e kam hapur.

S’do t’jua këshilloja të hidheshit nga dritarja e kuzhinës, sepse do të binit mbi lulishten me trëndafila dhe do të shtypnit filizat e njomë, të cilët pastaj do të ishit e detyruar t’i paguanit. Nga dritarja e dhomës do të fluturonit bukur  drejt e mbi trotuar.  Dhe, në qoftë se do të keni fat, do të thyeni qafën…”. (“Ushtari i mirë Shvejk”, Jaroslav Hashek, përkthim i Gëzim Erebarës, Extra 2003, f.73).

Kush nuk e kupton më pas edhe pas këtyre “këshillave”, nuk është më faji i z. Rama, pasi as Shvejku nuk dha më shumë zgjidhje për ata që duken qartë se duan të jetojnë “si armiq”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit