FITIM ZEKTHI
Lordi Acton, një mendimtar i madh anglez i shekullit të 19-të, në një letër që i dërgonte një peshkopi anglikan, shkruante se pushteti priret të korruptojë dhe pushteti absolut priret të korruptojë në mënyrë absolute. Historia e ka provuar të vërtetë këtë veti të pushtetit dhe në mënyrë që të kufizohet kjo veti ka pasur një përpjekje të vazhdueshme në gjithë botën, atë perëndimore sidomos, që pushteti të jetë sa më i kufizuar. Megjithatë, shumë studiues, duke parë më në hollësi historinë e regjimeve dhe liderëve politikë të korruptuar (sidomos të atyre që arrijnë të kthehen në liderë despotikë, autoritarë, diktatorë apo totalitarë), kanë vërejtur se korruptimi prej pushtetit të madh është i lidhur më së tepërmi me një aspekt tjetër.
Si për të rrëzuar pohimin e famshëm të lordit Acton, ata thonë se nuk korrupton pushteti, por frika nga humbja e pushtetit dhe frika nga ndëshkimi që vjen pas humbjes së pushtetit.
Këto dy frikëra janë shtysa madhore pse liderët apo regjimet politike të korruptuara nuk reflektojnë, nuk tërhiqen, nuk ndryshojnë qasje dhe sjellje, por ecin nga korrupsioni në korrupsion, nga përvetësimi i pushteteve të tjera në përvetësime më të mëdha, nga zullumi në zullum, nga shkelja e qytetarëve me një këmbë në shkeljen me dy këmbë, duke u zhytur vazhdimisht në një korrupsion më të madh.
Janë pikërisht këto dy frikëra, që çojnë në fundin e një politikani apo një regjimi të korruptuar. Është pikërisht kjo gjë, ajo që po ndodh me qeverinë shqiptare dhe me Kryeministrin Rama. Këtu nuk është nevoja të numërojnë pushtetet që ai ka uzurpuar, korrupsionin dhe përfshirjen e njerëzve nga bota e krimit në politikë, shkatërrimin e zgjedhjeve apo të gjykatave, rrënimin e ekonomisë kombëtare dhe klientelizmin për ta provuar këtë. Kjo është e qartë.
Të vetmet gjëra sa u takon pushteteve (që lidhen me politikën) në Shqipëri që nuk janë uzurpuar nga Kryeministri, janë opozita dhe disa segmente të caktuara të medias. Kryeministri e di që kjo shkallë korrupsioni dhe kjo shkallë e shkatërrimit të institucioneve, të lirive dhe të drejtave të njerëzve nga qeveria e tij do të shpërthejë në qoftë se njerëzit nuk trajtohen si kafshët në një fermë, që hanë ushqimin që u jep bariu. Në qoftë se njerëzit do të trajtohen në këtë mënyrë, si kafshët në fermë, thotë Eduard Herrman nga Universiteti i Pensilvanisë, ata nuk do ta kuptojnë dot se ku janë, se ç’po ndodh me paratë, të drejtat dhe jetët e tyre dhe me pushtetin që ata “zgjedhin”. Në qoftë se njerëzit nuk e kuptojnë, atëherë ata nuk mund të reagojnë apo kundërshtojnë.
Opozita ia ka nxirë jetën qeverisë dhe Kryeministrit sepse ajo që në vjeshtën e vitit 2013 nisi denoncimet për trafikun e drogës me avionë, për përfshirjen në politikë të njerëzve që vinin nga bota e krimit, për korrupsionin, për hashashin, për koncesionet etj. Gjatë këtyre shtatë viteve, opozita ka thënë të vërteta të mëdha. Kryeministri dhe qeveria e kanë luftuar opozitën me gjithçka, e kanë tallur për ta bërë atë të pabesueshme, e kanë sulmuar për ta bërë të tërhiqet, e kanë fyer për ta bërë të duket e dobët, kanë shpifur, i kanë vjedhur votat etj. Ngadalë, të vërtetat e opozitës kanë nisur të zënë vend.
Një pjesë e medias, gazetarë dhe analistë, portale të medias online, kanë thënë edhe ata të vërteta të mëdha. Kjo pjesë e medias ka folur për njerëzit e botës së krimit të thirrur në politikë, ka folur për vjedhjen e zgjedhjeve, për trafikun e drogës, për Tahirin dhe Xhafajn, për koncesionet etj. Kjo pjesë e medias, ashtu si edhe opozita është sulmuar që të trembet, është fyer që të kompleksohet, është sharë që të ndihet e turpëruar, është tallur që të duket e pabesueshme. Kjo pjesë e medias si askund në botë është quajtur kazan, kadri, qenef, qen etj.
Qeveria dhe Kryeministri deri më tani ia kanë dalë për shkak të pushtetit të pazakontë të relativizojnë të vërtetat që thotë opozita dhe të vërtetat që thotë kjo pjesë e medias. Kryeministri dhe qeveria, duke prodhuar natë e ditë ngjarje dhe lajme, duke qenë natë-ditë burim informacioni dhe burim sharjesh e talljesh për opozitën dhe median janë përpjekur të jenë ata furnizuesit bazë me ushqim të “fermës dhe të kafshëve në të”, në mënyrë që njerëzit të mos e kuptojnë se çfarë qeverie kanë. Por vjen një moment kur kjo gjë nis edhe kthehet në të kundërtën e vet. Për ta mbajtur në këmbë këtë furnizim të “fermës”, qeverisë dhe Kryeministrit u duhet një përpjekje e stërmadhe dhe e vazhdueshme, rraskapitëse, një përpjekje që kërkon jo vetëm kalimin nga një korrupsion në tjetrin, nga një zullum në tjetrin, por edhe nga një uzurpim pushteti në tjetrin.
Kryeministri këtë gjë ka bërë këto shtatë vite. Tashmë është radha e këtyre segmenteve të medias që thonë këto të vërteta. Sa për opozitën (qendrën tjetër nga dalin të vërtetat), ai e ka kuptuar që kurrë ajo nuk do të thotë gjërat që ai do, kurrë ajo nuk mund të bjerret dhe të bëhet një organizëm i nënshtruar qeveritar. Në këto shtatë vite, ajo i kaloi provat e luftës së Ramës qoftë me tallje dhe sulme, qoftë me përçarje të brendshme, qoftë me vjedhje të zgjedhjeve. Ajo është përballë tij dhe kërcënimi që po e rrënon, pavarësisht skeptikëve (një pjesë e të cilëve ushqehen pa dashje nga ajo prodhon qeveria për “fermën”, duke qenë viktima të qeverisë).
Pra, tani radha është e medias. Ajo duhet marrë patjetër nën kontroll. E vërteta që prodhohet nga portalet, nga disa gazetarë dhe nga disa analistë, tashmë po e përmbys fuqinë e propagandës. Pas shtatë vitesh, gjendja në “fermë” po ndryshon. “Kafshët”, siç i sheh qeveria dhe Kryeministri njerëzit, po kuptojnë se e vërteta për qeverinë, për taksat, për koncesionet, për rendin dhe politikën nuk është ajo që thotë qeveria. Mjerimi i përditshëm po lidhet gjithnjë e më shumë me qeverinë dhe Kryeministrin.
Kryeministri, në këto kushte, po ecën plotësisht drejt qasjes goebelsiane të propagandës, sipas së cilës i gjithë informacioni që mbërrin te njerëzit duhet të dalë nga një burim dhe të kontrollohet nga një dorë.
Ligjet që miratoi Parlamenti përpiqen të bëjnë pikërisht këtë gjë. Me anë të tyre, AMA dhe AKEP, dy agjenci shtetërore të kontrolluara nga qeveria, do të dëgjojnë ankesa për lajmet e rreme apo shpifjet dhe do të kenë të drejtën të vendosin gjoba apo të mbyllin një media. Më pas, kushdo mund të ankohet në gjykatë, por pasi është paguar gjoba (pra falimentimi, zhdukja në fillim).
Kryeministri në Parlament foli me tërsëllimë kundër atyre që kritikojnë ligjet, duke thënë se ato janë shumë të buta krahasuar me Gjermaninë, Suedinë apo vende të tjera, se FBI-ja ka të drejtë të mbyllë një media në SHBA, se kundërshtarët duan të vazhdojnë të shpifin etj. Ai tha se këtu është shpifur turpshëm për njerëz, për gra apo vajza dhe nga këto shpifje janë shkatërruar jetë apo kanë vdekur njerëz.
Kryeministri u përpoq përsëri me sharje, fyerje, interpretime të dobëta dhe qesharake të çojë ushqim masiv në “fermë”, për të bindur njerëzit se ai po bën një gjë që është kudo në botë dhe se kjo llahtari shpifjesh apo fyerjesh në Shqipëri duhet të marrë fund.
E vërteta është se shpifja në Shqipëri konsiderohet një gjë me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për këtë arsye ajo është e sanksionuar në Kodin Penal. Në qoftë se diçka konsiderohet me kaq rëndësi (rrezikshmëri shoqërore) sa futet në Kodin Penal, atëherë si mund të gjendet një zgjidhje më e mirë për të duke i dhënë të drejtë të marrin vendime për shpifjen organe me fuqi administrative si AMA dhe AKEP. Është njëlloj sikur për trafikun e drogës, që luftohet nga Policia e specializuar kundër të trafikut, nga SHIK etj., të bëhet një ligj (për ta bërë më efikase luftën gjasme) dhe t[i jepet e drejta Zyrës së taksave apo Policisë Mjedisore të ndalojë njerëz dhe më pas për të të hetojë Antidroga apo SHIK-u. Është e qartë se Kryeministri kërkon vetëm që të ketë nën kontroll, t[u bëjë shantazh mediave.
Nuk ka asnjë vend në botë, ku për shpifjen të vendosë një organ rregullimi si AMA apo AKEP. Sa për atë që tha Kryeministri se FBI-ja ka të drejtë të mbyllë një media, duhet thënë se është vetëm një gënjeshtër e pastër. FBI, (sidomos pas 11 shtatorit me Aktin Patriotik) mund të mbyllë një media apo portal kur dyshon se financohet nga terrorizmi, bën thirrje për akte terroriste, përhap propagandë terroriste etj. Kjo është e drejtë dhe normale dhe kjo nuk bëhet nga ligje që duan të rregullojnë mediat, por nga ligjet e luftës kundër terrorit. Të drejtën për ta bërë diçka të tillë e ka edhe te ne Policia kundër Terrorit, e ka thuajse Policia në të gjitha vendet e botës.
Sa për atë krahasimin tjetër që bëri Kryeministri, duke thënë se Gjermania apo Suedia kanë ligje më të ashpra kundër shpifjes, duhet thënë se është e vërtetë që shumë vende e dënojnë shumë më ashpër shpifjen. Nuk do të lejoheshin kurrë të botoheshin në shtypin gjerman apo suedez ato që botohen te ne. Por në këto vende, kurrë ndonjëherë në 50 vitet e fundit, nuk kanë gjykuar shpifjen organe si AMA apo AKEP. Atje është më i ashpër Kodi Penal. Atje janë më të mëdha dënimet që jep gjykata, jo vendimet e organeve si AMA apo AKEP.
Tjetër, edhe sikur Gjermania apo Suedia t[u jepnin të drejta organeve si AMA apo si AKEP (gjë që nuk ndodh kurrë), Kancerlarja Angela Merkel apo Kryeministri Stefan Lofven nuk drejtojnë një qeveri që i ka fituar zgjedhjet me stilin e përgjimeve të dala në ‘Bild’, as kanë mbjellë Suedinë dhe Gjermaninë me hashash, as kanë emëruar në Parlament njerëz që vijnë nga trafiku i drogës, as iu thonë gazetarëve qenefë dhe kazanë, as nuk rrinë natë e ditë në televizor duke bërë propagandë (Merkel del në TV-të kombëtare rreth një herë tri javë afërsisht, ndërsa ai Lofven mund të rrijë edhe tre muaj pa dalë në TV). Organe si AMA dhe AKEP në këto vende janë absolutisht të pavarura dhe as që duan ta dinë se kush është Kryeministër.
Në Francë, në vitin 2018, Presidenti Macron kërkoi të miratohet një ligj që u jep të drejtë organeve administrative si AMA dhe AKEP që të mbyllin një media kur ka shpifje. Në Francë u bë problem çështja e televizionit rus ‘Russia Today’ dhe e agjencisë ruse të lajmeve ‘Sputnik’, të cilat transmetonin edhe në frëngjisht. Për shkak të luftës gjeopolitike, ‘Russia Today’ dhe ‘Sputnik’ ndërhynin në jetën politike franceze, publikonin materiale problematike për sigurinë dhe rendin demokratik të Francës etj. Presidenti Macron kërkoi që t’u jepej e drejta organeve si AMA që të ndërhynin. Senati francez e rrëzoi këtë propozim dhe tha se kjo gjë është e zgjidhur nga Kodi Penal francez. Për këtë gjë flet vetëm gjykata, tha Senati.
Pa u zgjatur në shembuj të tillë, është e qartë se Kryeministri Rama kërkon vetëm të bllokojë kanalet që thonë disa të vërteta të mëdha. Ai po përdor rrëmujën në mediat online dhe publikimet joprofesionale në disa prej tyre, si pretekst për të kontrolluar ato. Këto janë veprime të natyrshme për një politikan të një regjimi autokratik, i cili bën veprime korruptive pa ndalur, si uzurpimi i pushteteve, nga frika e humbjes së pushtetit dhe nga frika e ndëshkimit pas humbjes së pushtetit.