I pyetur nga ‘Anadolu Agency’ për strukturat e Lëvizjes Gylen, që veprojnë në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka pohuar se ka një numër të caktuar shkollash të ndërtuara në të shkuarën që kanë qenë një pikë referimi për prindërit dhe nxënësit.
Siç thotë kryeministri shqiptar, shkollat e Gylen në të kaluarën kanë ofruar mundësira që Shqipëria nuk është se i ka pasur në të gjithë sistemin në territorin e vet, por se aktualisht qeveria shqiptare është e përkushtuar që “influenca negative e këtyre shkollave” të mos ndikojë në arsimin në Shqipëri.
“Është me shumë rëndësi të kuptohet se ne jemi të përkushtuar për të ofruar një shërbim sa më të mirë arsimor në të gjithë territorin dhe paralelisht patjetër për të mos lejuar që influenca negative të natyrës që ju përmendet (Lëvizja Gylen) të kenë hapësirë dhe të cenojnë pikërisht misionin që ka arsimi në Shqipëri”, deklaron kryeministri Rama.
I pyetur më tej për bashkëpunimin dhe përpjekjet midis Shqipërisë dhe Turqisë kundër Lëvizjes Gylen, Rama nuk dha një përgjigje të qartë por tha se ajo ngjarje i bën vigjilent dhe shumë të vëmendshëm pasi siguria kombëtare dhe stabiliteti demokratik i vendit është prioritet i prioriteteve.
“Ne jemi shumë të vëmendshëm. Kemi të gjitha arsyet të mbetemi shumë të vendosur në qëndrimin e shprehur që në minutat e para të grusht shtetit se bëhej fjalë dhe bëhet fjalë për një kërcënim serioz, që ne nuk do të donim në asnjë mënyrë ta shikonim, në asnjë formë sado margjinale në vendin tonë”, tha kryeministri shqiptar.