1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Rajoni merr masa për të rritur sigurinë e burgjeve

Më të lexuarat

Qeveritë në rajon po rritin sigurinë në burgje prej numrit të arratisjeve e veprimtarive të paligjshme që ndodhin brenda strukturave. Me qëllim që të bëjnë përparim, megjithatë, duhet të kapërcehet pengesa kryesore e mbipopullimit të burgjeve, duke lehtësuar strukturat ekzistuese të korrektimit e duke ndërtuar të reja, thanë ekspertët.

Tre të burgosur të dyshuar për terrorizëm u arratisën këtë muaj nga Dubrava, burgu mp i madh në Kosovë një tjetër u arratis nga burgu u Prizrenit në gusht, duke nxjerrë në dritë mbipopullimin që përbën një problem për mbikëqyrjen e efektshme të të burgosurve.

Mbipopullimi është një burim i shumicës së shqetësimeve të sigurisë të administratorëve të burgjeve, konfirmoi Millan Radoviç, anëtar i Aleancës Civile të Malit të Zi, një OJQ vendase.

“Ka raste të shpeshta të sulmeve nga të burgosurit e rojet e burgut. Administrata e re ka nisur pezullimin e policëve të dyshuar për shkelje ndaj të burgosurve,” i tha Radoviç SETimes.

Në Shqipëri, arratisja nga burgu është bërë kaq e shpeshtë saqë autoritetet kohët e fundit shkarkuan drejtorët e burgjeve në Tiranë e Peqin.

Mbipopullimi është një nga tre problemet kryesore të administrimit të burgjeve në Serbi, së bashku me personelin e pamjaftueshëm e mungesën e financave.

Ka më shumë se 11,000 të burgosur në burgjet serbe që u krijuan që të mbajnë 7,500 të burgosur.

Serbia po zbaton një zgjidhje afat-shkurtër ndaj tre sfidave duke futur këtë muaj një ligj të ri amnistie që do të ofrojë liri veprimi më të madhe së paku për disa shkelje penale më të lehta.

Në të njëjtën kohë, një burg i ri i sigurisë së lartë, që strehon 450 të burgosur, u përfundua vitin e kaluar e qeveria ka rritur nivelin e sistemeve të mbikëqyrjes në disa burgje.

Po ashtu, Maqedonia po shton 11 ndërtesa të reja në burgun kryesor të vendit, në Idrizovë, që gati do të dyfishojë kapacitetin ekzistues për të strehuar 800 të burgosur. Tani, ka 2,500 të burgosur në Maqedoni e 500 të ndaluar.

Autoritete e burgjeve maqedonase kanë nisur një metode aktive për ri-shoqërizimin e të burgosurve. Ato po krijojnë burgje të vegjël “gjysmë të hapur” si ai në Bitolë, që strehon 90 të burgosur e 50 të ndaluar, që zgjidh problemin e ikjeve duke mbajtur të burgosurit të angazhuar e të dobishëm, duke përfshirë ofrimin e mundësisë për të punuar, pjesërisht në bujqësi në fermat pranë e për të studiuar.

“Kjo e gjitha varet nga ajo sesi e organizoni punën. Nuk duhet të kesh më shumë se pesë të burgosur në një dhomë e secili prej tyre duhet të ketë nëntë metra kub ajër për të qenë në gjendje të funksionojë në një qeli. Gratë e të miturit duhet të jenë më vete. Të gjithëve duhet t’u garantohet kujdesi shëndetësor,” tha Sllavko Gaçovski, drejtor i Njësisë Korrektuese në Bitolë.

Në Kosovë, si një masë parandaluese në burgun e Dubravës, drejtoria e burgut shtoi numrin e kullave të vrojtimit si dhe numrin e rojeve të armatosur të burgut e instaloi dy rrjete kamerash.

Ka më shumë se 1.800 të burgosur në strukturat e Kosovës të ndërtuara për të mbajtur më pak se 1.200 e numri i të dënuarve po rritet.

Administrimi i burgjeve është bërë më i ndërlikuar për shkak të përparimeve teknike të përdorura nga të burgosurit e korrupsioni mes rojeve të burgut, sipas Sokol Zogaj, drejtor i përgjithshëm për sigurinë në shërbimin e korrektimit të Kosovës.

“Ka raste të … rojeve të burgut të përfshirë në kontrabandë, drogë e pazare të tjera me të burgosurit,” i tha Zogaj SETimes.

Kosova po ndërton një burg të ri të sigurisë së lartë pranë Podujevës për të dënuarit më të dhunshëm. Ai do të strehojë 300 të burgosur e do të nisë nga funksionimi në gusht 2013.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë ka gati 1,800 të burgosur duke përfshirë ata që shërbejnë dënimet e tyre në shtëpi nën mbikëqyrjen e bylyzykëve elektronikë, por 859 individë të dënuar po presin të bëhen të burgosur kur të lirohen qeli.

“Problemi më i madh është burgosja e atyre që kryen krime e janë psikologjikisht të çekuilibruar. Problemi do të zgjidhet sapo të nisë punën Instituti për Psikologjinë Mjeko-ligjore në Sokoc,” i tha SETimesZoran Mikuliç, ministër i drejtësisë i BiH-së.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit