Deputetja e Listës Unike Serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkovic, ka thënë se ndarja e Kosovës do të ishte zgjidhja më e keqe.
“Nuk kam asgjë kundër njerëzve që flasin për ndarjen e Kosovës, sepse kjo është e drejtë legjitime e tyre, por më brengos se si popull shohim vetëm zgjidhje të çastit, por jo edhe afatgjata. Kurrë nuk kemi biseduar për atë se çfarë fqinji i Serbisë do të ishte Shqipëria e madhe dhe a do të ishte atëherë fuqi baroti jo vetëm për të ardhmen e Serbisë, por edhe për tërë rajonin, për shkak të ri definimit të pashmangshëm të kufijve në Ballkan, qoftë edhe për shkak krijimit të bazave për grupime të ndryshme islamiste me krijimin edhe të një shteti mysliman. Për këtë shkak jam kundërshtar i ndarjes “, ka thënë Rada Trajkovic në një intervistë për gazetën serbe “Danas”.
Duke komentuar deklaratat e shefit serb të Zyrës për Kosovë, Aleksandar Vulin, ajo mendon se zyra do të jetë për veriun e Kosovës, duke përkujtuar Vulinin se “nëse dëshiron të fillojë nga jugu, siç ka paralajmëruar, atëherë deklaratat e tij duhet të jenë më pak të ashpra dhe të mos përkujtojnë ato të viteve të ’90-ta”.
“Mendoj se bisedimet e ardhshme në njëfarë mënyre duhet ët lehtësojnë pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës, sepse brenda atyre vjen deri te komunikimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve… Jam shumë e bindur se politika që udhëhiqet në veri të Kosovës nënkupton izolim të plotë nga institucionet e Prishtinës dhe integrimin e plotë në sistemin e Serbisë”, tha Trajkovic, duke kundërshtuar veprimet e nxituara të politikës serbe. /Telegrafi/kohaislame