1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Racizëm në Zvicërr, fobi ndaj shqiptarëve

Më të lexuarat

Ka 28 vjet qysh kur familja Gashi vendosi ta lëshojë fshatin Mushtisht të Suharekës, e të niset drejt Zvicrës. Prej atëherë, Selmani me gruan e tij Dritën dhe tre fëmijët, jetonin e punonin shumë të qetë. Por kohëve të fundit, kjo qetësi u zbeh në familjen e tyre.

Janë shumë arsye që kanë filluar të shkaktojnë probleme atyre në familje. Para një viti, Selmanit, gruas dhe djalit të vogël iu refuzua nënshtetësia zvicerane, për të dytën herë me radhë. Arsyeja e refuzimit ishte gjuha, pavarësisht se Samiu e flet gjermanishten më mirë se gjuhën shqipe.

Por një refuzim i tillë nuk është asgjë në krahasim me atë çfarë i ndodhi kësaj familjeje, para pak ditësh. Në shtëpinë e tyre në qytetin e Buchsit të Zvicrës, erdhi një zarf anonim. Letra që ishte në atë zarf, kësaj familjeje iu bë dëshmitare e urrejtjes dhe racizmit nga ultranacionalistët zviceranë të këtij vendi që shfaqin fobinë ndaj shqiptarëve.
Ishte gruaja e Selmanit, Drita, ajo që e hapi letrën. Nga përmbajtja që kishte ajo letër, Selmani thotë se bashkëshortja e tij akoma ndjehet e frikësuar. “Menduam që është letër e zakonshme. Por kur e hapëm, pamë mesazhe tmerruese në të”, i ka thënë gazetës Express, Selman Gashi nëpërmjet telefonit.

Mesazhet fyese që ishin shkruar në atë letër dhe fotografitë e kokave të prera të tre derrave, e kanë lënë pa mend atë dhe gjithë familjen.
“Shkruante se ne shqiptarët jemi derra, të ndryrë dhe se duhet të na e rrjepin lëkurën. Fjalët ishin ilustruar edhe me fotot e tre derrave”, sqaron Selmani.
Ai nuk e di se kush mund ta ketë dërguar këtë letër tejet fyese për të dhe familjen e tij. Por thotë se është e qartë se të gjitha mesazhet aty kanë përmbajtje të qartë raciste.
“Por jam i bindur që këtë e ka bërë ndokush i ligë, që nuk ka guxim të dalë para meje e të m’i thotë ato fjalë në sy”, pohon ai.
“Nuk kam asnjë dyshim pasi kurrë më herët nuk kam pasur probleme me askënd. Me fqinjët e kaloj mirë”, tregon Selmani.
Sapo kanë hapur letrën dhe kanë parë se çfarë është shkruar në të, Selmani ka lajmëruar menjëherë policinë.
“U detyruam ta lajmërojmë policinë, sepse letra është një porosi e keqe, por edhe kërcënim për ne”, thekson Selmani.
“Tash po presim policia na ka thënë se është duke i zhvilluar hetimet, edhe pse kjo punë është e vështirë, pasi në letër tashmë janë gishtërinjtë tanë. Po presim”.

E çështja e letrës të cilën e ka pranuar familja Gashi me origjinë nga Kosova është bërë shumë e madhe edhe në mediet e shtetit në të cilin ata jetojnë. Për mediumet e Zvicrës, policia e Buchit ka thënë se është në kërkim të autorëve të kësaj letre, por deri tani nuk ka pasur ndonjë rezultat.
Sidoqoftë, kjo familje edhe një vit më parë pati përjetuar një lajm të keq, pasi që i ishte refuzuar shtetësia zvicerane, pikërisht nga ana e autoriteteve komunale. Por çështja tashmë ka shkuar në instancat e larta gjyqësore, për çka Selmani thotë se do të luftojë deri ditën e fundit.
“As letra, e as refuzimi i shtetësisë nuk do të ndikojë të më detyrojë mua të kthehem në Kosovë”, ka thënë Selmani për Express.
Thotë se nuk do të ndalet dhe nëse është nevoja, problemin e tij me shtetin në të cilin jeton që nga viti 1984, do ta çojë deri në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
“Sepse arsyetimin e refuzimit që ma kanë dhënë, është i paqëndrueshëm. Gjuhën gjermane e di shumë mirë”, thekson ai./Ind/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit