-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

QKUK, ushqimi nën muret e mykura

Më të lexuarat

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës çdo ditë ushqehen afër 3600-3700 pacientë. Ushqimi për këtë numër jo të vogël të pacientëve përgatitet në një ndërtesë të vjetër, njëkatëshe. Kjo kuzhinë nuk i plotëson as kushtet mesatare për ta ushtruar këtë veprimtari.

Muret e mykura, dyshemeja e dëmtuar e dritaret e mbuluara me rrjeta merimangash, nuk e dallojnë kuzhinën nga klinikat e tjera që gjenden në oborrin e QKUK-së.

Përkundër rinovimit prej 528.000 euro që ishte bërë nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2006, gjendja e infrastrukturës në këtë objekt është shumë e rëndë. Mjetet e punës, enët dhe aparatet elektrike me të cilat përgatitet ushqimi për të sëmurët, i ka mbuluar ndryshku.

Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), institucion ky që ka bërë inspektime të vazhdueshme në këtë kuzhinë, ka nxjerrë në pah shumë parregullsi. Në inspektimin që i ka bërë Kuzhinës Qendrore me datën 13 nëntor 2014, ky inspektorat ka alarmuar për kushte jo të mira në të cilat ndodhet ky objekt.

Muret janë të mykura dhe të pa gëlqerosura, qeramikat e dëmtuara në disa vende, elemente të pa shfrytëzueshme në disa hapësira si dhe stabilimente të koroduara Lamir Thaçi, AUV. “Muret janë të mykura dhe të pa gëlqerosura, qeramikat e dëmtuara në disa vende, elemente të pa shfrytëzueshme në disa hapësira si dhe stabilimente të koroduara. Hapësira e faturistes dhe hapësira e mjeteve të higjienistëve kanë komunikim direkt me hapësirën e punës gjë që jep mundësi të kryq kontaminimit”, ka thënë Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV.

Sipas tij, në gjendje jo të mirë është edhe ventilimi sepse nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për eliminimin e avujve. Mungesa e rrjetave në dritare ka bërë që kjo kuzhinë të jetë vendbanim i insekteve të ndryshme.

Lidhur me të gjitha këto vërejtje inspektorati ka dhënë një afat prej 30 ditësh për QKUK-në që të përmirësoj kushtet në të cilat përgatitet ushqimi. “Është dhënë urdhër për gëlqerosje dhe vënien e rrjetave në dritare, largimin e elementeve të pashfrytëzueshme, eliminimin e mundësisë së kryq kontaminimit, DDD (Dezinfektim, Deratizim dhe Dezinsektim) dhe kontrollin sanitar në bacilbartje. Afati për përmirësim të kushteve është dhënë sipas ligjit 30 ditë”, ka thënë Thaçi.

Preportr ka monitoruar edhe transportimin e mishit për në depo të Kuzhinës Qendrore. Punëtorët e kompanisë “Apetiti” e cila e furnizon kuzhinën me mish, bartnin kofshët e mishit me krahët e tyre.
Në gjendje aspak më të mirë nuk është as depoja ku mbahet mishi i gjedhit. Në këtë depo-friz edhe pse mishi qëndron i pambuluar punëtorët futen me këpucë, si rezultat i kësaj dyshemeja është shumë e papastër.

Duke pasur parasysh këto kushte të punës, pastërtia dhe cilësia e ushqimit që iu shërbehet pacientëve vihen në pikëpyetje.
Por shefi i kuzhinës, Asllan Bucolli nuk është ankuar për kushtet në të cilat punohet aty. “Vend ideal nuk ka askund, por probleme të theksuara nuk kemi”, ka thënë Bucolli. Ai theksoi se kanë nevojë për funksionalizimin e ëmbëltores e cila është e kompletuar me inventar por për shkak të mungesës së stafit nuk është në funksion.
“Ne bëjmë anketa me pacientë dy herë në muaj për t’i pyetur ata se a janë të kënaqur me ushqimin, por pacientët janë shumë të kënaqur. Ne kemi vërejtje nga personeli ndonjëherë por jo nga pacientët” ka thënë Asllan Bucolli, shef i kuzhinës.

Në anën tjetër shumë pacientë pavarësisht që ushqehen nga kjo kuzhinë janë shprehur të shqetësuar lidhur me ushqimin që iu shërbehet . Disa e kanë problem mungesën e pastërtisë e të tjerët shijen dhe përbërjen e ushqimit. Shumica nga ta e marrin vetëm shujtën e mëngjesit sepse zakonisht përmban ushqime të paketuara dhe ndihen më të sigurt t’i përdorin.
“Jam tash e një muaj në spital. Ushqimin e ha këtu se nuk kam as mundësi me dal me e ble diku tjetër, por me dëshirë nuk e kisha marrë se në këtë spital nuk ka pastërti. Nuk e di në çfarë mënyre përgatitet këta ushqim”, ka thënë një pacient në QKUK.

Preportr ka realizuar 34 anketa me pacientë për të marrë opinionin e tyre lidhur me ushqimin që ua ofron QKUK-ja. Këto anketa janë realizuar në katër klinika – Klinika e Kirurgjisë, Klinika e Hematologjisë, Klinika e Endokrinologjisë dhe Klinika e Pediatrisë.

Nga 34 pacientë të anketuar, 27 prej tyre kanë thënë se ushqehen në klinikë. Nga këta 27 pacientë, vetëm katër kanë deklaruar se kanë gjendje të mirë financiare. Pra shumica e pacientëve që ushqehen në QKUK kanë gjendje më të rëndë financiare. Ata duket se nuk kanë rrugë tjetër, detyrohen të ushqehen në klinikë pavarësisht sa ju pëlqen shija, kualiteti e shërbimi i ushqimit. “Çdo ditë hamë gjellë me mish. Paradite kemi bukë me xhem, pashtetë e nganjëherë edhe vezë. Unë e ha ushqimin këtu se shumë shtrenjtë më kushton me e ble jashtë”, ka thënë pacientja e klinikës së hematologjisë.
Ushqimi i cili iu shërbehet pacientëve në Qendrën Klinike Universitare, përveç që përgatitet në kushte me mungesë minimale të pastërtisë, as nuk iu përgjigjet nevojave specifike të të sëmurëve.
Preportr ka siguruar katër menytë në bazë të të cilave përgatitet ushqimi në QKUK: Menyja e Dietës Kardiale (sëmundja e zemrës) dhe Nefretike (sëmundja e veshkëve), Menyja e Dietës Febrile (pacientët me temperaturë të lartë), Menyja e Dietës Diabetike dhe Menyja e Ushqimit Standard.

Shefja e Repartit të Endokrinologjisë në QKUK, Drita Mekuli, ka thënë se QKUK-ja nuk ka mundësi për të ofruar ushqim më cilësor se kaq. “Ne nuk mundemi të kërkojmë nga Qendra Klinike Universitare me këtë buxhet që e ka, të përpiloj dietë të mirëfilltë diabetike, është e pamundur nga ana financiare. Ne nuk mundemi me kërku për pacientët tanë brokoli, kungullesha ose domate të zeza sepse ushqimi i ngjashëm kushton”, ka thënë Mekuli.

Njëra prej produkteve që gjendet në dietën diabetike e që përmban përqindje të lartë yndyrore është zdenka. Sipas Mekulit zdenka nuk do të duhej të konsumohet nga personat me diabet sepse përmban 80-90% yndyrë.
Problemi tjetër në këtë meny është përmbajtja e një sasie të madhe mishi. Shqetësim lidhur me këtë ka ngritur edhe profesoresha e Fiziologjisë së Universitetin e Prishtinës, Hatixhe Pupovci. “Është e çuditshme se si në këtë meny javore për çdo ditë në dy shujta të sëmurëve ju servohen nga 140 gr mish, bile në dy ditë parashihet që mishi të konsumohet në të tri shujtat kryesore, pra gjithsej 480 gr mish në ditë! Sipas Shoqatës Amerikane për Diabet rekomandohet që sasia e mishit nuk duhet të tejkalojë mbi 160 gr në ditë. Pra, përkundër faktit se të sëmurët me diabet duhet të kufizojnë sasitë e sheqernave, në meny jo patjetër duhet të ketë sasi të mëdha të proteinave me bazë shtazore e sidomos jo proteina nga mishi i kuq i cili është i pasur me yndyra të ngopura”, ka thënë ajo.
Nutricionistja Mirlinda Bejta ka thënë se për pacientët me diabet është shumë e rëndësishme që të ushqehen edhe me dy messhujta. “Për pacientët me diabet duhet të servohen tri shujta kryesore plus dy zamra, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak” thotë Bejta.

E një ndër problemet kryesore në shujtat e diabetikëve mbetet prania e bukës, makaronave dhe shpagetave të cilat për këtë lloj sëmundje rekomandohen të jenë integrale. QKUK-ja furnizohet vetëm me bukë të bardhë. Këtë e ka konfirmuar edhe fabrika e bukës Ko-Bake nga Prishtina, që e furnizon kuzhinën në fjalë me bukë çdo ditë dhe thotë se ata e furnizojnë vetëm me bukë standarde dhe me samuna.
Shefja e këti reparti, Drita Mekuli ka thënë se buka e zezë është shumë më e shtrenjtë dhe për këtë arsye pacientët ushqehen me bukë të bardhë. “Nuk është situata tragjike sepse pacientët tanë rrinë këtu mesatarisht dy javë. Ata këtu edukohen dhe e dinë shumë mirë çka duhet me hangër çka nuk duhet me hangër, çka është e ndaluar, çka është e rekomanduar…”, është shprehur ajo.
As pacientët e repartit të Hematologjisë nuk e kanë ushqimin adekuat për gjendjen e tyre shëndetësore.

Profesori i Universitetit të Prishtinës në Fakultetin e Mjekësisë, Emrush Kryeziu këshillon që të konsumohet ushqimi më shpesh dhe të jetë i larmishëm në mënyrë që të sigurohen kaloritë e nevojshme.

“Ushqimi që servohet nga Kuzhina Qendrore e QKUK-së nuk përgatitet për nevojat e të sëmurëve hematologjikë. Duhet konsumuar pesë deri gjashtë shujta gjatë ditës me qëllim të marrjes së proteinave, drithërave, frutave dhe yndrnave të shëndosha “, ka thënë Kryeziu.

E Klinika e Pediatrisë ka kuzhinën e vet në të cilën përgatiten ushqimet për fëmijët që qëndrojnë në atë klinikë. Preportr ka vizituar edhe këtë kuzhinë dhe gjendja sanitare ishte dukshëm më e mirë se në Kuzhinën Qendrore. Sipas pediatres së kësaj klinike, Vlora Ismaili, kjo kuzhinë i përmbushë nevojat kryesore të pacientëve. “Edhe pse kemi ndonjëherë mungesë të artikujve ushqimor, më tepër të pemëve dhe perimeve, kuzhina i plotëson kushtet kryesore për të funksionuar”, ka thënë ajo.

Kompania “Beni Dona Plast” e cila në gusht të vitit të kaluar ka nënshkruar kontratë me QKUK-në për furnizim me produkte ushqimore, nuk e ka zbatuar atë. Kjo kompani nuk e ka furnizuar Kuzhinën Qendrore me disa artikuj të cilët janë kërkuar për disa herë radhazi nga Depoja Ushqimore e QKUK-së.

Preportr ka siguruar fletë-kërkesat dhe fletë-pranimet e produkteve ushqimore për muajt tetor, nëntor 2014, dhe pas krahasimit të tyre ka gjetur se katër artikuj që janë kërkuar nga QKUK-ja nuk i ka ofruar asnjëherë kompania që është përgjegjëse për këtë furnizim. Bëhet fjalë për produktet: Peshk i ngrirë troftë, kumbulla të thara, lulelakër dhe majdanoz. Këto produkte gjenden në listën e produkteve që ka përpiluar vetë kompania kur ka dorëzuar ofertën në lidhje me këtë tender. kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit