Brukseli kritikon me zë të lartë se mbështetja e bankave qipriote do të thotë të shpëtosh banka që shërbejnë si lavatriçe për pastrimin e parave nga Rusia.
Qiproja nuk i ka punët mirë: 15 për qind papunësi, niveli më i lartë që prej ndarjes së ishullit në vitin 1974. Një nivel borxhi prej 85 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Pesë vjet më parë ky ishte më pak se 50 për qind.
Andreas Theophanous është president i Qendrës për Studime Europiane dhe zhvillimet ndërkombëtare në Universitetin e Nikosias.
Sipas tij integrimi i sektorit bankar qipriot në ekonominë greke, është një arsye e rëndësishme për rënien e shpejtë: “Kur erdhi kriza në Greqi, ne u prekëm gjithashtu. Dhe prej faljes së borxheve kemi humbur brenda natës 25 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.” Sepse bankat e Qipros kishin obligacione qeveritare greke, atyre papritmas u duhej të hiqnin dorë prej faljes së borxheve prej rreth 4.5 miliard eurosh.
Shkak tjetër janë sipas tij shpenzimet e larta shtetërore, që shkojnë thuajse sa gjysma e prodhimit të brendshëm bruto të vendit.
Pastrim parash për Rusinë
Sektori i shërbimeve përbën 80 për qind të ekonomisë: nga njëra anë turizmi, por ai ka nevojë për modernizim, siç thonë ekspertët. Nga ana tjetër ekziston sektori bankar. Më parë bankat e Qiprosë bënin biznes me botën arabe. Prej dy dekadash normat e ulëta të taksave po tërheqin sidomos rusët në ishull.
Qiproja dhe Rusia kanë prej kohësh marrëdhënie të ngushta në nivel politik, kulturor dhe fetar. Ishull i vogël konsiderohet si lavatriçe për pastrimin e parave nga Rusia. “Që në Qipro lahen para, sidomos ruse dihet prej të paktën 20 vjetësh,” thotë njohësi i Qipros Heinz Richter. Pyetja është pse BE-ja po e vëren këtë praktikë pikërisht tani.
Brukseli kritikon me zë të lartë se mbështetja e bankave qipriote do të thotë të shpëtosh banka që shërbejnë si lavatriçe për pastrimin e parave nga Rusia.
Andreas Theophanous mendon se ky diskutim është i ekzagjeruar. Probleme të mëdha ka pasur dhe në vendet e tjera dhe Qiproja nuk e bën një gjë të tillë me qëllim . “Askush nuk dëshiron që të jetë lavatriçe për pastrimin e parave. Po bëhen përpjekjet më të mëdha për ta kryer çdo gjë në një kuadër ligjor.”
Edhe politikanë të lartë të tilla si ministri i Financave Vasso Shiarly, i cili punonte më parë në Bankën e Qipros e cila vuan nga kriza, i relativizon transaksionet financiare të rusëve në Qipro.
Detyra të reja për presidentin e ri
Më 17 shkurt qipriotët zgjedhin presidentin e tyre të ri. Presidentit të ri do t’i duhet të luajë një rol të madh për rimëkëmbjen ekonomike të Qipros. Sipas të gjitha anketave shanset më të mëdha i ka Nikos Anastassiadis i partisë konservatore DISY, por ka shumë të ngjarë vetëm në raundin e balotazhit. Ai do të zëvendësojë Kristofias Dimitris. Kreu i partisë AKEL, një parti nga programi komuniste, por nga politika reale parti socialdemokratike, e quan veten komunist. Sipas vëzhguesve ky fakt si dhe e prezantimi i tij jo diplomatik në arenën ndërkombëtare – i ka komplikuar disi marrëdhëniet politike të vendit.
Nikos Anastassiadis është më tepër tipi i menaxherit të llojit evropianoperëndimor, i cili do të jetë më i hapur ndaj ekonomisë dhe për të kuptuar problemet, mendon Heinz Richter.
Sipas ekonomistit Theophanous, presidenti i ardhshëm nuk mund t’i zgjidhë i vetëm problemet: “Shoqëria qipriote kërkon një fillim pozitiv të ri, por ne gjithashtu na duhet solidariteti i partnerëve tanë.” Pra 17,5 miliardë euro si masë ndihmëse të BE-së për të cilat Qiproja ka bërë kërkesë që verën e vitit 2012./dw