-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Qeveritë që flenë mbi ligje dhe qeveria që shkel ligje

Më të lexuarat

Agron Demi.

Në fillim të muajit shkurt kryeministri Ramush Haradinaj dha një intervistë për emisionin «Rubikon» të KTV-së. Në pyetjen e moderatorit se si e komenton reagimin e Institutit GAP se «qeveria ka shkelë shtatë ligje deri më tani, kur në të njëjtën periudhë Kuvendi ka aprovuar vetëm pesë», Haradinaj tha se nuk ka koment, pastaj shtoi se «shoqëria civile është mësuar me i pa qeveritë tu fjet në ligje dhe nuk po e kupton se gjërat po ndryshojnë». Nëse shoqëria civile, sipas Haradinajt, nuk po i kuptuaka gjërat, të shohim në vijim se cilat janë pasojat nga vendimet «shkel e shko» të kryeministrit:

1. Përjashtimi nga EQAR

Vendimi i kundërligjshëm për të shkarkuar Bordin e Agjencisë së Akreditimit solli përjashtimin e Kosovës nga Komiteti i Regjistrit Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Ky përjashtim do të ketë pasoja afatgjata, të cilat nuk do të kufizohen vetëm në arsim. Përjashtimi nga EQAR është një hap prapa edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe organizata e mekanizma të tjerë ndërkombëtarë. Përkundër kësaj, ministri i Arsimit, i cili ka marrë postin e tij nga votat e deputetëve, refuzon të japë llogari parlamentare para Komisionit për Arsim. Ministri me komoditet refuzon të përgjigjet në ftesat e deputetëve për raportim.

2. «Trashja» e paligjshme e rrogave

Vendimi i qeverisë për të rritur pagat e zyrtarëve ministrorë mori përgjigjen e duhur të Agjencisë kundër korrupsionit (AKK), duke u quajtur i paligjshëm. Por opinioni i AKK për kryeministrin nuk paraqiste shqetësim. U nevojit ankesa e deputetëve në Gjykatën Kushtetuese që vendimi për «trashjen» e rrogave të suspendohet përkohësisht.

3. Emërimet e diskutueshme

Vendimet e qeverisë për të emëruar figura politike në pozita të larta të shërbimit civil, në kundërshtim me Ligjin për shërbimin civil dhe Memorandumin e nënshkruar me Ambasadën Britanike, mund të sjellë edhe ndërprerjen e ndihmës financiare prej 22 milionë euro të Komisionit Europian për reformimin e administratës publike në Kosovë.

4. E keqja që vjen nga Contour Global

Kontrata e nënshkruar në mes të qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane Contour Global për ndërtimin e termocentralit «Kosova e Re», nëse aprovohet në formën aktuale nga Kuvendi i Kosovës, do të sjellë përjashtimin e Kosovës nga Komuniteti Europian i Energjisë. Kontrata aktuale e nënshkruar mes qeverisë dhe kompanisë private shkelë parimet e liberalizimit të tregut energjetik.

5. Uji dhe borxhet

Vendimi i qeverisë për faljen e borxheve të grumbulluara për ambalazhuesit e ujit, në kundërshtim me Ligjin për ujërat, u ndryshua nga qeveria vetëm pas presionit publik dhe pas nismës së deputetëve për të dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese.

6. Banketet me barut

Deklarimet e kryeministrit lidhur me armëmbajtjen pa leje dhe të shtënat nëpër oda dhe nga odat, por edhe pa lëvizur fare nga tryezat me mish, raki e tortë me qershi janë tejet problematike – sidomos sa i përket qëndrimit të qytetarëve ndaj armëve pa leje. Të shtënat nga ana e zyrtarëve të lartë të qeverisë janë mesazh i keq për opinionin publik dhe Nëse zyrtarët e shtetit mund t’i lejojnë vetes gjëra të tilla, atëherë përse jo edhe qytetarët e thjeshtë, së paku kështu mund të mendojë ndokush që sheh banketet me barut të politikanëve dhe shërbyesve civilë. Javën e kaluar mediat raportuan se një veturë zyrtare ne targa 3Z ka gjuajtur me armë dhe më pas i ka ikur policisë. Edhe pse janë identifikuar tabelat e veturës, ende nuk ka asnjë deklarim zyrtar të qeverisë ose policisë se cili zyrtar ka qenë duke drejtuar automjetin zyrtar.

***

Këto nuk do të jenë pasojat e vetme të vendimeve kanunore të qeverisë së Ramush Haradinajt. Kryeministri duhet të kuptojë se çdo vendim i qeverisë që ai udhëheq, prodhon pasoja. E deri më tani pasojat janë negative. Ndoshta, kjo do të dërgojë një sinjal edhe tek armata e vartësve dhe këshilltarëve të tij se nuk mund të qeveriset në formë kanunore.

Nëse janë vetëm dy opsione: gjumë mbi ligje apo shkelje e ligjeve, me siguri do të zgjidhnim opsionin e parë – deri kur të kemi një qeveri, e cila zgjedh opsionin e tretë dhe të duhur: qeverisjen duke respektuar ligjet dhe jo duke i lakuar ato si «llastikun».

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit