-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Qeveritë e ‘asfaltit’

Më të lexuarat

Infrastruktura rrugore ka qenë top-prioritet i të gjitha qeverive të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt, 2008.

Në gjithë territorin e Kosovës janë rreth 2045 kilometra rrugë, prej të cilave 95 për qind janë të asfaltuara. Vetëm nga viti 2008, kur Kosova ka shpallur pavarësinë, sipas të dhënave zyrtare, janë shtruar rreth 500 kilometra rrugë.

Nga këto 500 kilometra, rrugë nacionale dhe rajonale të asfaltuara që nga viti 2008 deri më 2017 janë 287.2 kilometra. Vetëm për tetë vjet janë ndërtuar 115 kilometra autostradë, kurse 87.24 kilometra janë nga zgjerimi i rrugëve nacionale dhe rajonale, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Ramë Çupeva nga Ministria e Infrastrukturës.

Ndërtimi i infrastrukturës rrugore në Kosovë, sipas ekspertëve të kësaj fushe, ka qenë i domosdoshëm, sepse pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, gjendja e rrugëve në Kosovë ka qenë e shkatërruar.

Halim Gjergjizi, profesor në Universitetin e Prishtinës thotë se infrastruktura rrugore është domosdoshmëri për çdo vend, sidomos për vendet në zhvillim, siç është Kosova.

Por, sipas tij, fokusi nuk duhet të jetë vetëm në një kategori të rrugëve, siç ka ndodhur viteve të fundit në Kosovë, duke marrë si shembull autostradat.

“Fatkeqësisht kjo ka ndodhur në Kosovë, prioritet i është dhënë ndërtimit të autostradave. Kosova ka nevojë për konsolidimin e rrjetit rrugor të brendshëm dhe krahas kësaj ndërtimit të infrastrukturës bashkëkohore”, ka thënë Gjergjizi.

Florim Graiçevci, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, thotë se rritja e numrit të veturave në komunikacion është treguesi më i mirë i arsyeshmërisë së nevojës për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në Kosovë.

Ai nënvizon se investimet në autostrada, paraqesin investimet kryesore në interes të shtetit sepse këto kategori të rrugëve e lidhin Kosovën me vendet e rajonit, por edhe më rrjetin e rrugëve evropiane.

“Në një farë formë, unë konsideroj se Kosova ka obligime karshi Evropës për ndërtimin e kësaj infrastrukture. Por, edhe problemi i rrugëve të niveleve më të vogla, është në prioritet shumë të madh nëse marrim parasysh vetëm kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, ku jemi dëshmitar të ngarkesave të mëdha në hyrje- dalje të kryeqytetit”, thekson Graiçevci.

Ndryshe, autostrada e parë e ndërtuar në Kosovë është autostrada “Ibrahim Rugova”, që lidh Kosovën me Shqipërinë, e njohur edhe si “Rruga e Kombit”.

Aktualisht, në proces të ndërtimit është autostrada, “Arbën Xhaferi”, që lidh Kosovën më Maqedoninë.

Kurse në pranverë të këtij viti, pritet të fillojë edhe ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan – Konçul, e cila pritet të lidhë Kosovën me Serbinë jugore, përkatësisht Luginën e Preshevës, që është e banuar me shumicë shqiptare.

Sipas statistikave, Republika e Kosovës ka një sipërfaqe prej 10.908 kilometra katrorë dhe me popullsi prej 1.8 milion banorësh. Ndërkohë, nga rreth 2045 kilometra rrugë, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, auto-udhë janë pesë për qind, rrugë nacionale janë 31 për qind kurse, 64 për qind janë rrugë rajonale.

Krahas rrugëve, në Kosovë, para dhe pas shpalljes së pavarësisë, është investuar shumë edhe në fushën e energjisë, por asnjëherë nuk është siguruar një furnizim stabil me rrymë./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit