Bisedime të vështira ka paralajmëruar kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilat rifillojnë më 23 qershor, kur do të takohet me homologun e tij, Isa Mustafa.
Por ende nuk dihet zyrtarisht se cilat do të jenë temat që do të ngrihen këtë rund negociatash. Pala kosovare vazhdimisht ka tentuar ta fusë problemin e barrikadës, gjë e cila vazhdon të kundërshtohet nga serbët shkruan sot Koha Ditore.
Por një burim brenda Qeverisë së Kosovës i ka thënë gazetës se në takimin e 23 qershorit pritet të vendoset përfundimisht për largimin e barrikadës. Megjithatë, ka përpjekje që deri në çastet e fundit kjo çështje të mos “bëhet e madhe”, për shkak të reagimeve që mund të vijnë nga serbët.
Nga Brukseli nuk kanë treguar se çka do të bisedohet në takimin që ndërmjetësohet nga shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini.
“Ne do të lajmërohemi tek ju sa më shpejt që kemi diçka për t’ju njoftuar rreth çështjes që keni ngritur”, thuhet në përgjigjen dërguar gazetës nga Zyra e Mogherinit.