11.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Qeveria e paqëndrueshme, opozita pasive

Më të lexuarat

Opozita në Prishtinë konsideron se qeveria aktuale është e paqëndrueshme dhe e paaftë të udhëheqë me proceset e mëdha politike. Megjithatë, përveç kritikave, partitë opozitare nuk përmendin se kanë në opsion ngritjen e ndonjë mocioni mosbesimi ndaj qeverisë së koalicionit PDK- AKR që udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

Në anën tjetër, partitë e koalicionit dhe qeveria aktuale e cila në mungesë të një zëdhënësi, ende nuk ka një adresë komunikimi me mediat, nuk u janë përgjigjur këtyre kritikave dhe akuzave, raporton Radio Evropa e Lirë.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, qeveria Thaçi ”2” është e aftë vetëm për t’i shkaktuar dëme vendit dhe jo për të qeverisur mirë.

Shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thotë se pavarësisht faktit që qeveria është e paqëndrueshme, LDK nuk ka në plan të përfshihet në çfarëdo formule që do ta bënte atë pjesë të koalicionit.

“Kjo qeveri është shumë e lodhtë. Është një qeveri shumë e paqëndrueshme e cila nuk është në gjendje të kryejë as disa punë më elementare e lere më të bëj veprime më të mëdha në mbrojtje të vendit, interesave, sepse për ta dëmtuar e ka fuqinë dhe mund ta bëjë këtë. Për LDK-në është e qartë, me një qeveri që ka dalë nga votat e abuzuara, për ne në asnjë variant nuk pranojmë të bëhemi pjesë e kalkulimeve, ndërkaq a do të bëjnë me të tjerët kjo nuk është pyetje në të cilën përgjigjet LDK-ja”, ka deklaruar Beqiri.

Ndërkohë, në analiza politike, ditëve të fundit janë prezantuar edhe disa ide dhe kalkulime për ndryshimin e formulës qeverisëse në Kosovë.

Kryesisht, si mundësi është përmendur krijimi i koalicionit PDK- AAK, i cili konsiderohet se do të prodhonte një qeveri shumë më të fuqishme sesa formula aktuale e koalicionit të PDK-së e Hashim Thaçit me AKR-në e afaristit Behxhet Pacolli.

Mirëpo, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të AAK-së, Burim Ramadani, AAK në këtë fazë nuk ka në plan të hyjë në asnjë koalicion.

Ai thotë se AAK do t’i ofronte Kosovës qeverisjen vetëm nën udhëheqjen e liderit të saj Ramush Haradinaj, i cili aktualisht pret vendimin e Tribunalit të Hagës në lidhje me gjykimin shtesë nën akuzat për krime lufte.

Ramadani dhe AAK besojnë se Haradinaj do të shpallet sërish i pafajshëm dhe do të vazhdojë kështu garën për kreun e Qeverisë në Kosovë.

“Sa i përket mundësisë që Aleanca të jetë në qeveri, ne e themi publikisht se presim lirimin e shpejtë të liderit, Ramush Haradinaj në mënyrë që t’i japim Kosovës një qeverisje Haradinaj, një qeverisje të mirë e cila mund ta zhvillojë Kosovën. Ne e kemi planin tonë dhe ai plan është një qeverisje e mirë për vendin dhe normalisht që do ta shohim me të gjithë partnerët se në çfarë koalicioni mund të jemi”, ka thënë Ramadani.

Subjekti tjetër opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë ajo që në një rast edhe kishte iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Thaçi, por nuk mori mbështetjen e pjesës tjetër të opozitës.

Gjatë Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka akuzuar ashpër qeverisjen aktuale duke e cilësuar atë si qeverisje për interesa të individëve në dëm të interesit dhe parasë publike.

“Fytyra e këtij regjimi është ajo që e ka thënë gjithmonë Lëvizja Vetëvendosje, një pushtet i uzurpuar që uzurpon, një politikë e pazareve ditore. Është e qartë që këta qeveritarë kanë borxhe personale që po i lajnë me pasurinë publike”, ka thënë Kurti.

Kriza institucionale në Kosovë është thelluar pas seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës në të cilën shumica e deputetëve të PDK-së nuk u paraqitën fare duke i pamundësuar Kuvendit të merrte vendim në lidhje me tarifën prej 35 për qind për importin e çimentos, që e kishte vendosur ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari Lila.

Ajo seancë nxori në shesh disa qarje edhe përbrenda partive të koalicionit çka e ka vënë në dyshim nëse qeveria Thaçi e ka ende shumicën e nevojshme në Kuvend.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit