Grupi parlamentar i LSDM-së, javën që vjen në parlament do të dorëzoj iniciativën për votëbesimin e qeverisë së Gruevskit.
Partia më e fuqishme opozitare në Maqedoni, LSDM e Branko Cervenkovskit brenda javës së ardhshme do t’i kërkojë votëbesimin në Kuvend, Qeverisë së Maqedonisë që udhëhiqet nga koalicioni VMRO DPMN-BDI. Votëbesimin e ka paralajmëruar vetë kreu i LSDM-së gjatë një mitingu me simpatizantë opozitarë në Manastir.
“LSDM ka vendosur që të ndërpresim këtë pushtet. Grupi parlamentar javën që vjen në parlament do të dorëzoj iniciativën për votëbesimin e qeverisë së Gruevskit. E bëjmë këtë pa kurrfarë iluzioni se qeveria do të bie”, deklaroi Cërvenkovski, raporton INA.
Ai ka thënë se votëbesimi i qeverisë do të vë në sprovë edhe disa deputetë maqedonas të partisë në pushtet (Boneva dhe Gjorçev), duke votuar ministrin shqiptar, Fatmir Besimi në postin e Ministrit të Mbrojtjes. “Të shoh tërë Maqedonia se si të bashkuar do të votojnë për të mbetur në pushtet ky koalicion i tenderëve”, tha Cervenkovski.
Edhe lideri opozitar, Cervenkovski duket se ka akumuluar një dozë të madhe të urrejtjes ndaj ministri Besimi, i cili dy muaj më parë bashkë me një grup oficerësh të Ushtrisë së Maqedonisë bënë homazhe pranë lapidarit të dëshmorëve të ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Sllupçan të Kumanovës.
Homazhet e ministrit Besimi, po ashtu kanë “luhatur” koalicionin ndërmjet VMRO-DPMN-së që drejtohet nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe BDI- e liderit shqiptarë dhe ish udhëheqësit politik të UÇK-së, Ali Ahmeti.