0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Qeveria britanike duhet të flasë me adoleshentët myslimanë

Më të lexuarat

Po të ndalemi së tepërmi te rreziku i ISIS do të luajmë mendsh. Raportimet se çfarë po ndodh në Siri apo Irak janë të tmerrshme mjaftueshëm. Por lajmet spekuluese, si ajo se ISIS qenka fare pranë ndërtimit të bombës bërthamore, ose tjetra, se Britania e Madhe duhet të kufizojë shitjen e klorit nga frika e një sulmi kimik ndaj Mbretërisë së Bashkuar, kanë aftësinë e madhe të përhapjes së frikës dhe paranojës, ndjenja të pashpresa që janë pjesë e problemit.
 
Ndërkohë, të jesh prind i mençur për një adoleshent mund të jetë e vështirë në rastet më të mira. Por prindërve myslimanë po iu përmendet në mënyrë konstante se duhet të marrin parasysh mundësinë se fëmijët e tyre mund të radikalizohen. Funksionari i policisë për myslimanët, Mak Chishty paralajmëron se të rinjtë që rreshtin së piri alkool dhe ndalin së socializuari me shokët, mund të jenë në procesin e radikalizimit. Mund të kuptohet se në këtë mes ka një paragjykim.
 
Por mund të kuptohet gjithashtu se “Mos të pirit alkool, mos të socializuarit dhe nisja e ndryshimit” janë gjithashtu këshillat tipike që iu japin prindërit fëmijëve të tyre. Chisty tha gjithashtu se mosbërja më shopping te Marks & Spencer mund të jetë një shenjë radikalizimi, sepse xhihadistët parapëlqejnë të argumentojnë se kompania “zotërohet nga hebrenj”. Kjo është e tmerrshme, një informacion i dhimbshëm. A ka vërtet adoleshentë që blejnë te M&S kaq shumë, saqë një dështim i papritur për ta bërë një gjë të tillë mund t’i njolloste lehtësisht?
 
Rreziku është se shumica e simptomave të radikalizimit mund të jenë gjithashtu simptoma të diçkaje tjetër. A e imagjinoni se mund t’i qortoni fëmijët tuaj për shkak të shqetësimeve të radikalizimit dhe më pas të merrni vesh se fëmija juaj në të vërtetë ka një çrregullim me oreksin, apo ndonjë formë depresioni? Ajo çka është vërtet trishtuese lidhur me trysninë e pafundme mbi prindërit myslimanë për të pranuar barrën e të luftuarit radikalizimin është se ka shumë më tepër gjëra që shoqëria jonë mund të bënte dhe nuk i bën.
 
Dhe ky është një problem i madh, sepse nëse ka një gjë të vetme që e ndihmon radikalizimin më shumë se çdo gjë tjetër, ato janë akuzat se Perëndimi praktikon në mënyrë rutinë një hipokrizi të vetë-shërbyer. Është një akuzë e lehtë për t’u bërë dhe – le të tregohemi një herë të ndershëm – dhe e vështirë për t’u hedhur poshtë. A jemi vërtet në pozitat për t’iu thënë prindërve myslimanë se, nëse fëmijët e tyre nisin të besojnë se Perëndimi është hipokrit në qasjet e tij ndaj Lindjes së Mesme, se kjo është një shenjë e qartë se ata i kanë humbur vlerat e tyre morale? Të gjithë ata që u shastisën kur flamujt u ulën në gjysmështizë për shkak të vdekjes së Mbretit të Arabisë Saudite e dinë se përgjigjja është jo.
 
Perëndimi mund ta kishte shndërruar 11 shtatorin në një mundësi për të bërë një ndërhyrje tejet më pozitive dhe të paanshme se ndërhyrja e njëanshme në Afganistan, me investime në infrastrukturë, mbështetje dhe bashkëpunim.
 
Por ja që kjo vazhdon edhe në Irak, ku mohimet se ky konflikt ndihmoi në rritjen e ISIS-it janë edhe më absurde se skifterët më fajtorë anglo-amerikanë duan t’i paraqesin. Dhe ky është kryesisht lloji i akullnajës.
 
Politikanët tanë vazhdojnë të mos bëjnë asnjë përpjekje për të ndërtuar një histori të ndershme që të pranojë gabimet katastrofike. Përkundrazi, çdo përpjekje për ta nisur një debat të tillë shihet si me “ngjyrim politik”.
 
Dihet se Ed Miliband nuk qe një titan mes shtetarëve. Por të paktën ai e shihte Irakun si diçka me të cilën politika duhej të merrej. Është qeveria britanike ajo që duhet të nisë të flasë me adoleshentët myslimanë dhe të trajtojë çështje që edhe ata që kanë më pak gjasa të radikalizohen mund t’i shohin si marrëzi. Kjo do t’i ndihmonte prindërit myslimanë më shumë se ç’mund të bënte çdo gjë tjetër. / The Guardian

Deborah Orr

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit