1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Qeveri e fryrë

Më të lexuarat

Për një vend me më pak se 2 milionë banorë, qeveria e Kosovës është tepër e madhe. Ajo ka 19 ministra, e ndihmuar nga rreth 30 zëvendësministra, si dhe plot gjashtë zëvendëskryeministra. E gjithë kjo e bën qeverinë e Kosovës më të madhen në të gjithë rajonin – një fakt që është bërë objektiv i kritikave nga opozita.

Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL të Kosovës, tha se kryeministri Hashim Thaçi ka injoruar premtimet e fushatës për të shkurtuar shpenzimet.

“Qeveritë Thaçi 1 dhe Thaçi 2 erdhën në pushtet me premtime për të reduktuar shpenzimet qeveritare. Kjo nuk ka ndodhur dhe shpenzimet janë rritur nga viti në vit”, tha Zogaj për për SETimes.

Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga opozita tha se shpenzimet qeveritare për zyrat me qira vetëm në vitin 2010 arritën 6,5 milionë euro, “të barabarta me pensionet e 14 444 qytetarëve të Kosovës”. Qeveria ka gjithashtu më shumë se 120 këshilltarë, duke rritur më tej shpenzimet.

Edhe Maqedonia ka 19 ministra, por më pak zëvendësministra. Mali i Zi ka 16 ministra dhe Shqipëria ka 15. Në krahasim, Estonia – me një popullsi të ngjashme në madhësi – ka 11 ministra, ndërsa Finlanda ka 12.

Sipas Zogajt, qeveria e Kosovës — në vend që të shpenzojë për administrimin dhe ministrat — “duhet të investojë në veprat me interes publik që do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve”.

Në mars, nën presionin e FMN-së, Qeveria lajmëroi se do të shkurtojë rreth 20 milionë euro nga buxheti i këtij viti.

“Unë mendoj se qeveritë në të gjithë Evropën përpiqen të shmangin shkurtimet e shpenzimeve buxhetore dhe përqendrohen në rritjen e të ardhurave buxhetore duke rritur taksat ose duke rritur deficitet buxhetore. Vendet e Ballkanit aplikojnë masat e kursimit dhe uljen e shpenzimeve vetëm nëse detyrohen ta bëjnë këtë nga institucionet financiare ndërkombëtare, kryesisht FMN”, tha për SETimes Marta Szpala, e Qendrës së Varshavës për Studimet e Vendeve Lindore.

Szpala shtoi se zgjedhjet e vitit të kaluar në Kroaci dhe ato të muajit të kaluar në Serbi kanë luajtur një rol kyç: qeveritë në mënyrë aktive shmangin masat e tjera shtrënguese që mund t’u shkaktojnë votuesve ndonjë barrë shtesë.

Në të gjithë Ballkanin, sektori publik mbetet punëdhënësi kryesor.
“Pra, nëse kemi parasysh se në të gjitha këto vende papunësia është shumë e lartë (nga 13 për qind në Shqipëri deri në 43 për qind në BeH), punësimi në sektorin publik trajtohet si një lloj mase e sigurisë sociale. Dhe është e vështirë për të shkurtuar personel në administratën publike të fryrë në këtë situatë”, tha Szpala. kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit