0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Qeset e plastikës – me pagesë apo të largohen?

Më të lexuarat

Sa herë që shkon në një dyqan ushqimor, Valdete Kosumi thotë se merr prej aty një numër të madh të qeseve të plastikës.

Qeset e plastikës për një përdorim shërbehen falas në të gjitha llojet e dyqaneve në Kosovë.

Valdetja, nënë e tre fëmijëve, është e papunë dhe jeton me ndihmë sociale në një lagje të Prishtinës. Qeset që merr, thotë se i shfrytëzon si thasë mbeturinash apo edhe për nevoja të tjera. “Qese marr sa të mundem, një produkt e vendos në një qese. Qeset janë pa pagesë. Në shtëpi i palos dhe më pas i ripërdor”, tregon Valdetja për Radion Evropa e Lirë.

Derisa për disa ato duken si zgjidhje, për natyrën qeset e plastikës janë të dëmshme.

Ndikimi kryesor i tyre në mjedis është se duhen shumë vite që ato të dekompozohen. Përveç kësaj, kur qeset e plastikës shkatërrohen nën rrezet e diellit, në tokë lëshohen substanca toksike.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e mjedisit, shprehin shqetësimin se qeset e plastikës, që shfrytëzohen për mbajtjen e produkteve ushqimore, hidhen më pas në çdo vend – në rrugë, në parqe, në lumenj.

“Ne, si qytetarë, jemi shumë pak të kujdesshëm. Ne shohim se për çdo blerje, marrim qese plastike në dyqane dhe pastaj ato qese i përdorim në shtëpitë tona për hedhjen e mbeturinave apo nevoja të tjera”, thotë Luan Hasanaj nga Organizata “Ta pastrojmë Kosovën”.

Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), çdo minutë, në të gjithë botën, përdoren një milion qese të plastikës.

Në Kosovë, sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara në vitin 2020 – ku përfshihen edhe qeset dhe shishet e plastikës – ka qenë 456 mijë tonë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se, gjatë një viti, mesatarja e mbeturinave për kokë banori është 253 kilogramë.

Në sasinë e mbeturinave shtëpiake, problem kryesor paraqiten mbeturinat e ngurta, siç janë shishet dhe qeset e plastikës, thotë Hasanaj.

Për zgjidhjen e këtij problemi, shton ai, organizata ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa.

“Për qeset e plastikës definitivisht duhet të bëhet zgjidhje. Patjetër që duhet të bëhen me pagesë. Shitja e tyre është rruga e vetme e zgjidhjes së problemit, sepse eliminimi i tyre, në një afat të shpejtë, është gati i pamundur”, thotë Hasanaj.

Në Strategjinë e Kosovës për Mjedisin 2013-2022 përmendet “vendosja e një tatimi mbi përdorimin e materialeve plastike, siç janë shishet dhe qeset e plastikës”. Megjithatë, aplikimi i një mase të tillë nuk ka nisur ende.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) thotë se së shpejti “do të fillojë hulumtimin e gjendjes ekzistuese për qeset plastike”.

“Varësisht nga përfundimet dhe rekomandimet që do të dalin nga hulumtimi, do të merren edhe veprime të mëtejme për këtë produkt”, thuhet në një deklaratë të MMPHI-së, dhënë Radios Evropa e Lirë.

MMPHI thotë se për këtë qëllim ka emëruar një grup punues, në të cilin janë përfshirë grupe të interesit dhe shoqëria civile.

Në emër të prodhuesve kosovarë të qeseve të plastikës, në këtë grup punues bën pjesë edhe Kujtim Gjevori.

Ai është pronar i fabrikës “SCAMPA”, e cila përveçse mbulon pjesën më të madhe të tregut në Kosovë, eksporton edhe në vende të tjera të rajonit, Evropës dhe SHBA-së.

Gjevori thotë se gjatë takimeve të grupit punues, është propozuar mundësia e reduktimit të përdorimit të qeseve të plastikës.

Por, sipas tij, kjo çështje duhet të zgjidhet me kujdes, pasi, siç thotë, veprimtaria e industrisë së plastikës në Kosovë është duke u zhvilluar mirë.

Gjevori sugjeron që Qeveria e Kosovës t’i marrë praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian.

“Në Evropë sot përdoren qese të dorës nga përbërje organike, faktikisht nga misri dhe patatja, që kanë burim niseshteje. Por, ato nuk janë bërë sot për sot. Prodhuesve u është dhënë hapësirë dhe ndihmë për t’i ndërruar makineritë e veta, në mënyrë që të mbrohet biznesi, të ruhet ambienti dhe të mos shkatërrohet ekonomia”, thotë Gjevori për Radion Evropa e Lirë.

Bashkimi Evropian, nga korriku i vitit 2021, ka fuqizuar direktivën që ndalon plastikën për një përdorim.

Produktet e plastikës për një përdorim përfshijnë: pjatat, gotat, shkopinjtë për pirje dhe ato qese që, sipas BE-së, shndërrohen në mikroplastikë dhe mbeten gjatë në mjedis.

Këto plastika, sipas vlerësimeve të BE-së, përbëjnë rreth 70% të mbeturinave detare në Evropë.

Qëllimi përfundimtar i BE-së është që deri në vitin 2030, çdo plastikë e mbetur të jetë e ripërdorshme ose e riciklueshme.

UNEP bën të ditur se nga viti 2018, 127 nga 193 vendet anëtare të kësaj organizate, kanë miratuar një formë të legjislacionit kombëtar për të adresuar problemin e qeseve të plastikës.

Në rajonin e Ballkanit, tregtarët në Shqipëri i shesin qeset e plastikës, ndërsa nga qershori i këtij viti pritet të ndalohet përfundimisht përdorimi i tyre.

Nga dhjetori i vitit të kaluar, qytetarët e Maqedonisë së Veriut paguajnë rreth 25 centë për çdo qese të plastikës.

Kroacia, nga janari i këtij viti, ka ndaluar përdorimin e qeseve të tilla, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina kanë paralajmëruar masë të tillë, por ende nuk është vendimtare.

Në Serbi, ndërkaq, disa qytete kanë ndaluar përdorimin e qeseve të plastikës, por vendim në nivel kombëtar nuk ka./REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit