0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Qëndrimi i Islamit ndaj hakmarrjes

Më të lexuarat

Pyetja:

Selam alejkum e nderuara redaksi!

Desha t’ju drejtohem me një pyetje. A lejohet hakmarrja te muslimanët?

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Në Islam e drejta për të jetuar është një nga të drejtat më themelore për çdo njeri, prandaj mbytja e një personi konsiderohet si një nga mëkatet më të mëdha që mund të bëjë njeriu. E si mos të jetë kështu kur ky krim shkaton shumë të këqija; i le fëmijët jetim, gratë të veja, përhap trazira, ngatërresa, armiqësi, konflikte madje edhe luftra. Për këtë shkak edhe në Kuran thuhet:

“Prandaj Ne i urdhëruam bijtë e Izraelit se kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë (pa të drejtë), është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve.” (Maide, 32)

Gjithashtu thotë: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.” (Nisa, 30)

Pasi këtij sqarimi themi se hakmarrja apo gjakmarrja me formen se si perceptohet ajo te ne; që nëse dikush e vret dikë, atëherë e tërë familja e vrasësit të jenë objekitv për t’u hakmarrë nga ana e familjes së të vrarit. Kjo nuk është fare islame dhe është e ndaluar. Prandaj është gabim që ky gjest t’i atribuohet Islamit, ashtu si mendojnë shumë njerëz.

Fatkeqësisht kjo traditë ka bazën në kanunin e Lekë Dukagjinit, pasi në të specifikohen kritere dhe rregulla se si duhet vepruar në raste gjakmarrjeje. Prej tejkalimeve të cilat përligjen e kultivohen në kanun është parimi se gjakmarrja bëhet me vrasjen e dikujt apo disave që kanë lidhje familjare me vrasësin sikurse, babai, vëllai, etj.

Gjithashtu duhet të dimë se gjakmarrja me këtë kuptim nuk është traditë vetëm shqiptare, pasi po t’i referohemi te dhënave rreth historikut te hakmarrjes, shohim se kjo dukuri ka qene shumë e perhapur në provinca te ndryshme mesdhetare si p.sh Sicilia, Korsika, Mali i zi, Turqia dhe te shumë popuj tjerë, por fatkeqësisht ajo te ne është kultivuar madje edhe duke i vënë kritere dhe kondita. Pa hyre më thellë në këtë, mendojmë se rrethanat politiko-shoqërore kanë luajtur rol te ne në vazhdimin e aplikimit të saj nga familjet, pasi rastet e gjakmarrjes janë rrjedhojë e mosfunksionimit të ligjit dhe mosvendosjes së rendit, me një fjalë mosmarrjes së dënimit të merituar nga ana e vrasësit.

Sido që të jetë, themi se Islami kundërshton që hakmarrja të bëhet duke tejkaluar kufijtë dhe bërë mizori me të tjerët nga familja e vrasësit ashtu si është traditë te ne. Në Islam është parim se secili njeri është përgjegjës për veprimet e tij dhe ai nuk përgjigjet për mëkatin dhe krimin që bën tjetri, përderisa nuk është pjesëmarrës, qoftë ai person edhe i afërm i tij. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Kushdo që bën diçka, punon për vete dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit. Pastaj të gjithë do të ktheheni te Zoti juaj…” (Enam, 164).

Mirëpo këtu duhet ta kemi parasysh se kur themi se nuk lejohet gjakmarrja në Islam me formën se si veprohet te ne, kjo nuk nënkupton se jurisprudensa islame nuk parasheh dënim ndaj këtij krimi. Në iigjin Islam janë të përfshira të gjitha format e mundshme të vrasjeve të cilat mund të ndodhin dhe për secilën rast ka sqarime të thukta dhe juridiksione se si duhet veprohet. Në jurisprudencën islame ekziston një nënkapitull në Kodin e së Drejtes Penale dhe të Krimeve (Kitabu Xhinajat), që quhet “Nënkapitulli i Ndëshkimit për Vrasje”-“Babu Kisas”.

E domosdoshmja që duhet të përmendet në këtë problematikë është ajo se për krimin e vrasjes ndiqet dorasi dhe nëse ekziston lidhja, atëherë ndiqen edhe bashkëpjesëmarrësit. Në këtë, në asnjë formë nuk akuzohet ndonjë person tjetër, qoftë prindi apo vëllai vetëm për faktin se është i afërm i dorasit.

Pas gjykimit të vrasësit dhe konstatimit se ka bërë vepër penale pa të drejtë; ka marrë jetën e njeriut të pafajshëm, atëherë denimi i vrasësit është ekzekutimi me vdekje. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

“O besimtarë! Është caktuar për ju kisasi (ndëshkimi) për vrasje: I liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën.” (Bekare, 178)

Mirëpo sipas dispozitave islame, familja e të vrarit ka të drejtën ekskluzive ta falë vrasësin apo të kërkojë për këtë vrasje, në vend të ekzekutimit me vdekje, shpagimin e gjakut me të holla. Për këtë në vazhdim të ajetit të sipërpërmendur thuhet:

“…Ai (vrasës) që falet nga farefisi i të vrarit, duhet të sillet njerëzishëm dhe le të zbatojë dëmshpërblimin me të mirë. Kjo (falje) është një lehtësi dhe mëshirë nga ana e Zotit. E kushdo që pas kësaj (faljes), e kapërcen kufirin, do të marrë një dënim të dhembshëm.” (Bekare, 178).

Kjo ishte çfarë arritëm të përmbledhim në lidhje me pyetjen tuaj, përndryshe të flasësh rreth çështjeve të cilat kanë të bëjnë me këtë problematikë ka shumë çfarë të thuhet, pasi ligjet dhe rregullat janë të detajizuara mjaft mirë në ligjin islam, Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit