-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Që njerëzit të veprojnë drejt

Më të lexuarat

Ndër ajetet përmbledhëse në Kuranin Fisnik është edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Ne i çuam të Dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë) dhe peshoren (e drejtësisë): që njerëzit të veprojnë drejt. Ne e zbritëm hekurin, në të cilin ka (material për) luftë të fuqishme dhe dobi (të tjera) për njerëzit, me qëllim që Allahu të njohë ata që e ndihmojnë Atë dhe të Dërguarit e Tij, pa e parë Atë. Me të vërtetë, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (Hadid, 25)

Ky ajet kuranor sqaron se dërgimi i të gjithë të Dërguarve me prova, zbritja e Librit dhe e peshores ka ndodhur me të vetmin qëllim, që të ngrihet drejtësia në mesin e njerëzve. Cilat janë gjërat që konsiderohen shkak për realizimin e këtij synimi thelbësor në jetën e popujve? Këtë çështje dëshirojmë ta trajtojmë në rreshtat në vijim.

Me provat e qarta, me të cilat u dërguan të Dërguarit, nënkuptojmë mrekulli të qarta, legjislacione të dukshme, argumente madhështore, fakte të prera se ajo për të cilën thërrasin të Dërguarit është synimi i Allahut.

Me fjalën Libër në ajet nënkuptohet libri i çdo të Dërguari. Ndërsa me peshore nënkuptohet drejtësia. Drejtësia ndryshe quhet edhe peshore për faktin se peshorja është instrument i drejtësisë dhe barazisë. Ndërsa qëllimi është te drejtësia në fjalë dhe vepra. Feja me të cilën kanë ardhur të gjithë të Dërguarit e tëra është drejtësi, drejtësi në urdhëresat dhe ndalesat dhe në bashkëveprimin me krijesat. Drejtësinë e sqarojnë librat e të Dërguarve, ndërsa është cekur veçanërisht për rëndësinë që ka për faktin se drejtësia konsiderohet mjet i rregullimit të çështjeve njerëzore. Allahu thotë: ” Vërtet, Ne (o Muhamed) ta kemi zbritur Kuranin me të drejtën, në mënyrë që ti të gjykosh ndërmjet njerëzve sipas asaj që të ka shpallur Allahu.” (Nisa, 105). Libri për ahiretin, ndërsa peshorja për këtë botë. Komentimi i peshores me drejtësi është qëndrimi i Ibn Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, dhe i shumicës së komentuesve.

Zbritja e peshores nënkupton që njerëzit të punojnë sipas saj, si fjala e Allahut të Lartësuar: “Ai vuri drejtësinë” (Rahman, 7). Këtu duhet të kihet parasysh me gjithë qartësinë e tij fakti se drejtësia nuk nënkuptohet vetëm në rastin e gjykimit ndaj palëve dhe në dhënien e të drejtave të njerëzve.

Drejtësia kërkohet në çdo gjë, në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet. Drejtësia qëndron në raportet ndërmjet robit dhe Zotit të tij, ndërmjet muslimanit dhe vëllait të tij, ndërmjet muslimanit dhe armikut të tij, ndërmjet gjykatësit dhe të dënuarit, ndërmjet të pasurit dhe të varfrit, ndërmjet të dobëtit dhe të fortit. Alusi ka thënë: “Drejtësia është fjalë përmbledhëse që përfshin çdo gjë në të cilën duhet të ketë drejtësi.”

“Ne e zbritëm hekurin”, zbritja e hekurit nënkupton krijimin e tij, si fjala e Allahut të Lartësuar: ” Ai ka krijuar për ju tetë çifte bagëtish.” Kuptimi është se hekurin e bëmë sigurues dhe mjet mbrojtës për atë që refuzon të vërtetën pas ofrimit të argumenteve ndaj tij. Qëllimi i të shprehurit me “zbritje” është t’i tërhiqet vërejtja dëgjuesve lidhur me urtësinë e Allahut të Lartësuar për krijimin e hekurit si dhe paralajmërimi se dobitë që ka duhet të vendosen aty ku duhet, si përgatitja e ushtrive për mbrojtjen e atdheut nga armiku, ruajtjen e shtëpisë për të larguar dëmet, etj., e jo të vendosen dobitë e tij aty ku nuk duhet.

Me fjalën “dobi (të tjera)” dihet fakti se hekuri konsiderohet prej elementeve më të rëndësishme dhe më të nevojshme sesa elementet e tjera.
“Me qëllim që Allahu të njohë ata që e ndihmojnë Atë”, që t’u tregojë njerëzve gjurmët e dijes së Allahut për atë që e ndihmon Atë. Ndihma e njerëzve për Allahun qëndron në ndihmën për fenë e Tij, por dihet që Allahu është i pasur dhe nuk ka nevojë për ndihmë. Këtu futet ndihma e legjislacionit të të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, pas vdekjes së tij dhe mbrojtja e tij. Gjithashtu ndihma e prijësve të muslimanëve përderisa pasojnë të vërtetën, ndihma e të dobëtëve nga besimtarët. E tërë kjo futet tek fjala e Allahut të Lartësuar: “Me qëllim që Allahu të njohë ata që e ndihmojnë Atë”. Kjo është njëjtë si fjala e Allahut: “O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë” (Muhamed, 7)

Dobitë e ajetit: Ajeti përfshin shumë dobi e mësime, prej të cilave përmendim:

1- Njerëzit janë tre lloj kategorish. Kategoria e parë janë ata që shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve). Të tillët sillen me krijesat sipas Librit të Allahut, tregohen të drejtë dhe ruhen nga vendet e dyshimta. Kategoria e dytë janë në rrugë të mesme (duke kryer detyrimet dhe duke shmangur të ndaluarat). Të tillët kanë nevojë për peshore dhe kategoria e tretë i bëjnë dëm vetes (duke bërë vepra të ndaluara), nuk janë të drejtë. Këtyre patjetër u duhet hekuri dhe qortimi. Kjo ndarje është nxjerrë nga fjala e Allahut të Lartësuar: “Disa prej tyre i bëjnë dëm vetes (duke bërë vepra të ndaluara), disa janë në rrugë të mesme (duke kryer detyrimet dhe duke shmangur të ndaluarat), ndërsa disa, me lejen e Allahut, shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve); kjo është dhuntia e madhe. (Fatir, 32)

2- Njeriu ose mund të jetë prej atyre që kanë shpirt të qetësuar, i cili jeton vetëm për Allahun dhe vepron vetëm sipas Librit të Allahut, ashtu siç thotë Ai: “…ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen.” (Ra’d, 28), ose mund të jetë prej atyre që kanë shpirt qortues. Këta të fundit patjetër kanë nevojë për peshore në njohjen e moralit, në mënyrë që të ruhen nga teprimi dhe neglizhenca dhe të mbeten në rrugën e drejtë. Por mund të jetë edhe prej atyre që kanë shpirt të prirë për të keqe dhe këtu patjetër duhet angazhimi i hekurit.

3- Përmendja e Librit në ajet sinjalizon të punuarit sipas dispozitave të sheriatit, të cilat obligojnë drejtësinë dhe barazinë. Kjo është çështja e të dijshmëve dhe obligim i tyre. Ndërsa përmendja e peshores sinjalizon obligimin e bartjes së njerëzve mbi parimet e ngritura mbi drejtësinë. Kjo çështje është e prijësve dhe obligim i tyre. Përmendja e hekurit sinjalizon se nëse njerëzit rebelohen, duhet të përdoret shpata. Kjo argumenton se shkalla e dijetarëve, të cilët janë të zotët e Librit, është kryesuese ndaj shkallës së prijësve, të cilët janë të zotët e shpatës.

4- Në ajet ka argument se të Dërguarit janë unik në objektivin e sheriatit dhe në mesazhin e Allahut, d.n.th. i urdhërojnë robërit të jenë të drejtë.

5- Allahu i Lartësuar në këtë ajet e ka shoqëruar Librin me hekurin sepse Ai me këto dy çështje e ndihmon fenë e Vet, e lartëson fjalën e Vet, me Librin në të cilin ka argumente dhe fakte dhe me shpatën ndihmëse me lejen e Allahut. Dhe në fund, e nuk është e fundit, ajeti na mëson se kërkesat dhe objektivi i legjislacioneve është ngritja e një jete të drejtë dhe ngritja e një shoqërie të drejtë. Allahu e di më si miri!

Përgatiti: Almedin Ejupi
12.7.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit