Ekspertja e Të Gjelbërve për Ukrainën, Viola von Cramon: Putini nuk është i interesuar për luftë të hapur me Perëndimin. Por ai do të përpiqet të shfrytëzojë shtete të dobëta brenda BE për ta shkatërruar nga brenda BE.
DLF: Marrëveshja e Minskut po shkelet gjithmonë e më dendur. A kemi të bëjmë tashmë me një letër pa vlerë?
Viola von Cramon: Besoj që po. Ne kemi pasur që në fillim rezerva të mëdha, nëse Marrëveshja Minsk-II mund të shërbejë për një paqe të qëndrueshme.
Por njëra palë nuk ka interes që ta shpëtojë armëpushimin, dhe kjo është ajo që shumë në Perëndim nuk e kuptojnë. Ne e dimë se ka shumë kohë që Putini po mbledh në kufijtë e Ukrainës njësi me armatim të rëndë, po nëse do t’i përdorë ato për një invazion më të fuqishëm në pjesën veriore, apo në pjesën perëndimore, këtë nuk e dimë. Por tendencat e destabilizimit, po shtohen dhe ato po e rraskapitin dhe dërrmojnë Ukrainën. Ato e shpërbëjnë me të vërtetë popullatën. Shifrat e refugjatëve nga zonat e luftimit po shtohen.
DLF: Le të flasim për stacionimin e këtyre tankeve të SHBA dhe të pajisjeve të rënda ushtarake në Evropën Lindore. Nganjëherë të duken se Putini e josh Perëndimin, veçanërisht amerikanët që të shkojnë sa më pranë kufijve të tij, dhe pastaj ata bien në kurth. Ka dicka të vërtetë në këtë?
von Cramon: Po dhe jo. Rënie në kurth, të gjithë kemi menduar se këtu kemi të bëjmë vetëm me lojëra. Por tani në rastin e Ukrainës e shohim se nuk janë vetëm lojëra, por se këto armë përdoren vërtet. Prandaj tani është momenti psikologjik që t’u tregojmë shteteve baltike, Polonisë dhe Bullgarisë se në rast rreziku ne jemi tek ju dhe ju mbështesim, unë këtë mund ta kuptoj nga pikëpamja e Ministrisë amerikane të Mbrojtjes.
Por ajo që duhet theksuar: në Rusi vetë përhapen thashetheme, se asnjë ushtar i vetëm rus nuk merr pjesë në luftë. Kjo do të thotë se taksa e gjakut që paguan Rusia deri tani është relativisht e vogël. Por po të kemi me të vërtetë një luftë të hapur, atëherë Rusia do të kishte humbje të mëdha dhe këtë duhet ta shpjegonte edhe brenda vendit dhe kjo nuk është e lehtë, veçanërisht kur bëhet fjalë për të ashtuquajturin shtet vëlla, Ukrainën. Besoj se për momentin e tanishëm, e vetmja mundësi është që t’i mbështesim shtetet baltike dhe partnerët e tjerë në NATO.
Dhe po të shohësh për shembull si vepron Putini në Norvegji. Norvegjia, do të thosha nuk paraqet rrezik agresiv për Rusinë dhe megjithatë ajo e kërkon konfliktin, kërkon përplasjen. Ngjashëm është gjendja me Finlandën. Këta janë si të thuash të gjithë fqinjë paqësorë dhe ata i sulmojnë.
Rusia është kërcënim për fqinjët e drejtpërdrejtë
DLF: Po Putini nuk mund të jetë seriozisht i interesuar për luftë – ajo do të ishte një Luftë e tretë Botërore..
von Cramon: Ai nuk është i interesuar për një luftë botërore, por është i interesuar për t’i bashkuar më fort radhët brenda vendit. Ai ka probleme masive, jo vetëm ekonomike, financiare, por edhe probleme strukturore dhe një luftë kundër armikut SHBA dhe NATO-s, si edhe thuhet prej 14 muajsh në mediat ruse, kjo i bashkon radhët. Unë besoj se pjesërisht ne duhet t’i shkollojmë më mirë mediat tona në atë që na kërcënon në luftën e propagandës nga Moska. Nuk besoj se do të kemi luftë të hapur, por besoj që Putini do të përpiqet ta shkatërrojë së brendshmi BE dhe këtu ai ka disa pika ku mund të mbështetet. Janë disa shtete të dobëta, ku aktualisht ai mund ta nisë punën në mënyrë sistematike.kohaislame