4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

PUSHTETI THELLON MOSTRANSPARENCËN

Më të lexuarat

Draft-rregullorja e re e punës së Parlamentit, e cila ka kaluar nëpër leximin e parë dhe pritet të aprovohet në sesionin vjeshtor, nuk obligon deputetët që të organizojnë dëgjime publike për projektligjet që miratojnë – gjë që nuk ndihmon konsultimin e palëve të interesit gjatë nxjerrjes së legjislacionit.

Një javë pasi që kur Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar për hartimin e një draft-rregulloreje për media nga ana Agjensionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pa u konsultuar me gazetarët, e me të cilën pritet të kufizohen mundësitë e vëzhgimit të zyrtarëve publikë nga mediat, është kuptuar që edhe Kuvendi i Kosovës tash ka përpiluar draft rregulloren e punës së vetë e cila do të vazhdojë të legjitimojë jotransparencën e këtij institucioni gjatë draftimit të ligjeve.

Sipas rregullores, e cila pritet të dalë në votim në fillim të sezonit vjeshtor të Parlamentit, deputetët do të vazhdojnë të mos jenë të detyruar të organizojnë dëgjime publike për projektligje. Asnjëra nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nuk kanë propozuar që dëgjimet publike të bëhen të obligueshme, pavarësisht faktit se ato konsiderohen si instrumenti kryesor përmes së cilit Parlamenti mbledh rekomandime nga palët e interesit për ligjet që janë në proces të draftimit ose ndryshimit.

Rregullorja e punës së Kuvendit e cila është në fuqi nuk e obligon Parlamentin që të konsultohet apo të marrë mendime nga grupet e interesit kur janë në pyetje ligjet. Kjo rregullore parasheh që “Komisioni mund të mbajë dëgjim publik, për të marrë njoftime për çështje që janë në shqyrtim e sipër…”. Njëjtë parashihet edhe me draft rregulloren e re, sipas së cilës, “Komisioni mund të organizojë seancë dëgjimore publike, me anëtarë të Qeverisë, përfaqësues të lartë të institucioneve publike, ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile…”.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës që vijnë nga rradhët e Partisë Demokratike të Kosovës vlerësojnë që anëtarët e komisioneve parlamentare nuk duhet të obligohen që të mbajnë dëgjime publike.

Deputeti Behar Selimi, i cili njëherësh është zëvendës kryetar i Komisionit për Legjislacion dhe anëtar i nën-komisionit për Mandate, Imunitet dhe Rregullore të Punës është i bindur se “dëgjimi publik nuk është i domosdoshëm dhe se nuk është në rregull që të obligohen antarët e komisioneve të mbajnë seanca dëgjimore”.

Pavarësisht nga fakti që rregullorja nuk i obligon të bëjnë një gjë të tillë, disa prej deputetëve pretendojnë që Parlamenti organizon rregullisht dëgjime publike. Armend Zemaj, kryetari i nën-komisionit për Rregullore të Punës, komision ky që ka bërë draftimin e kësaj rregullore, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se “Kuvendi i Kosovës mban dëgjime publike për të gjitha çështjet”.

Por, të njëjtin mendim nuk e ndajnë përfaqësuesit e shoqërisë civile. Sipas tyre, dëgjimet publike, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë të detyruara për deputetët e Parlamentit të Kosovës, janë shfrytëzuar pak nga ana e tyre duke pamundësuar kështu mundësinë e qytetarëve që të japin kontribut në draftimin e ligjeve.

“Komisionet parlamentare të Kuvendit, deri më tani, dëgjimet publike si mekanizmi pothuajse i vetëm i cili u jep mundësi të interesuarve për të dhënë kontribut në procesin e ligjbërjes i kanë shfrytëzuar në masë minimale”, ka vlerësuar Driton Selmanaj, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) i cili për vite më rradhë monitoron punën e Kuvendit të Kosovës.

Interpretime të ndryshme të rregullores së re

Nenet të cilat janë përfshirë në draft rregulloren e re lënë hapësirë për interpretime të shumta. Kjo është dëshmuar nga interpretimet e ndryshme të cilat janë dhënë nga vetë anëtarët e nën-komisionit për rregullore të cilët e kanë draftur këtë dokument.

Neni 30 i draft rregullores me të cilën detajohet organizimi i seancave dëgjimore në paragrafin e parë parasheh që “komisioni mund të organizojë seancë dëgjimore publike, me anëtarë të Qeverisë, përfaqësues të lartë të institucioneve publike…”. Por neni pasues shton se “komisioni organizon seancë dëgjimore, në rast se një e treta (1/3) e të gjithë anëtarëve të komisionit e kërkon me shkrim”.

Nga këto dy nene, edhe pas shpjegimeve kontraverse të ofruara nga deputetët, mbetet e paqartë nëse seancat dëgjimore do të organizohen vetëm nëse një e treta e anëtarëve e kërkon këtë me shkrim apo kjo do të mund të ndodhë edhe pa kërkesën me shkrim të tyre.

Sipas Zemajt “pika dy e draftit të ri, që kërkon nënshkrimin e 1/3 së anëtarëve për seancë dëgjimore ka të bëjë me rastet kur anëtarët duan të mbajnë dëgjime shtesë për çështje të caktuara”. Në rastet të tilla mund të bëhen kërkesa nga antarët, deputetët por edhe shoqëria civile mirëpo vendimi për tu mbajtur kjo lloj seance merret pas nënshkrimeve nga 1/3 e antarëve, ka shtuar Zemaj.

Në anën tjetër, deputeti Selimi duke interpretuar këtë nen ka thënë se “mbajtja e dëgjimeve publike, sipas tij, është më tepër detyrim politik se sa juridik, detyrim ky që respektohet nga politikanët që duan të tregojnë transparencë”.

Deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetvendosje, e cila është anëtare e nën-komisionit për rregullore ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se për seancat dëgjimore, anëtarët e nënkomisionit nuk kanë diskutuar shumë pasi që deri më tani nuk kishte pasur probleme në praktikë.

Draft rregullorja mund të pësojë ndryshime

Draft rregullorja për punën e Kuvendit të Kosovës mund të pësojë ndryshime teknike para muajit shtator kur edhe pritet të behet votimi në draftin final. Në mesin e këtyre ndryshimeve mund të ndodhë që fjala “mund” tek neni për seanca dëgjimore të zëvendësohet “duhet”, ka bërë të ditur Armend Zemaj.

Kjo është pikërisht kërkesa e shoqërisë civile. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë kërkesë që rregullorja t’i obligojë deputetët të organizojnë dëgjime publike. “Gjatë draftimit të Rregullores së Kuvendit, KDI në vazhdimësi ka kërkuar nga grupi punues që fjala ‘mund’ të shndërrohet në ‘duhet’ ashtu që komisionet parlamentare të jenë të obliguara që për të gjitha projektligjet të organizojnë dëgjime publike”, tha Selmanaj nga KDI.

Deputetja Haxhiu konfirmon se ka pranuar këtë kërkesë nga shoqëria civile por, shton ajo, kjo do të varet nga të gjithë anëtarët e komisionit. Sipas saj, “ndryshimet e tilla mund të arrihen vetëm nëse ka konsensus ndërmjet anëtarëve të komisionit”.

Draft-rregullorja ka kaluar leximin e parë në Kuvend por në leximin e dytë ishte hequr nga rendi i ditës në muajin korrik 2012 për shkak të bojkotit të pozitës në lidhje me shfuqizimin e vendimit të Ministrisë për Tregti dhe Industri për vendosjen e tarifës prej 35 për qind për importimin e çimentos nga Shqipëria.

Kjo draft rregullore është vazhdimësi e një sërë iniciativash të ndërmarra nga institucionet shtetrore të cilat pritet të zvogëlojnë transparencën e institucioneve publike.

Gazeta Jeta në Kosovës ka raportuar javën e kaluar se Agjensioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka draftuar një rregullore për media, përmbajtjen e së cilës deri më tash e ka mbajtur vetëm për zyrtarët e vetë./JNK/.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit