3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Pushteti simbolik dhe ndërtimi politik i perceptimit publik – Lulzim Hoxha

Më të lexuarat

Pushteti simbolik dhe ndërtimi politik i perceptimit publik

Lulzim Hoxha

Shprehjet që përmbajnë epitetin magjik “popullor” mbrohen nga fakti se çdo kritikë që i afrohet sadopak nocionit “popull”, ka prirjen të konsiderohet menjëherë si agresion simbolik ndaj një realiteti të dhënë – duke u dënuar kësisoj nga ata të cilët janë të legjitimuar t’i dalin në mbrojtje “popullit” dhe që në këtë mënyrë vjelin fitimet që sjell mbrojtja e “një kauze të drejtë”.
(Pierre Bourdieu, Gjuha dhe pushteti simbolik)

Mënyra e funksionimit të procesit politik në shoqërinë bashkëkohore varet nga interpretimi që i bëhet perceptimit publik, në bazë të të cilit shoqëria e mbështet, e kritikon, e sulmon ose e shpërfill procesin në fjalë duke përcaktuar kështu suksesin ose dështimin e vetë procesit.

Në këtë kuptim, t’i japësh interpretimin e duhur perceptimit publik, parakupton të identifikosh dhe artikulosh ato çështje të cilat kanë një sensibilitet të lartë në shoqëri dhe që opinioni publik i konsideron si të tilla. Në kushtet e qeverisjes së shumicës, alternativa politike më e suksesshme është ajo që ka identifikuar zgjidhjet e duhura për numrin më të madh të votuesve, mirëpo kjo është e pamjaftueshme për fitimin e zgjedhjeve.

Kryesorja është që partia e cila e ofron këtë alternativë të duket sikur realisht po ofron alternativën më popullore. E që t’ia dalë i duhet të ketë një informacion të detajuar mbi mënyrën se si kjo dukje do të interpretohet nga perceptimi i masave. Kështu për shembull, gjatë regjimit komunist, Partia e Punës kishte krijuar imazhin se shteti i qe përveshur punës. Ky imazh propagandohej përmes planeve ekonomike disavjeçare që të gjitha realizoheshin me mbi 100%. Mandej, pas rënies së komunizmit, sistemi i ri politik e ndërtoi legjitimitetin e tij duke u mëshuar sloganeve që lidheshin kryesisht me lirinë e tregut, forcimin e sektorit privat dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Po njësoj ka ndodhur edhe në zgjedhjet lokale ku ligjërimi dominant i fushatave është përqendruar mbi tema specifike me sensibilitet të lartë publik.

Nëse në zgjedhjet lokale të Tiranës në vitin 2015, çështja kryesore qe “problem i shndërrimit të Tiranës në kantier ndërtimi”, kurse në zgjedhjet e sivjetme, sikurse edhe në zgjedhjet e vitit 2019, kauza me ligjërimin dominant në fushatë ishte dhe vijon të mbetet betonizimi i Tiranës. Mirëpo në periudhën e fushatave elektorale, ligjërimi mbi këto kauza me sensibilitet të lartë për shoqërinë, përkthehet lehtësisht në ligjërim të pushtetit mbi to.

Vërtetë këto problematika janë të lidhura ngushtësisht me qytetarët dhe komunitetin, por në momentin kur ato bëhen pjesë e ligjërimit të partive politike, tashmë ato nuk janë më pjesë e terrenit shoqëror, por kthehen në çështje të përfaqësimit politik dhe grupeve të ndryshme politike ku gjithsecili synon ta instrumentalizojë përmirësimin e realitetit shoqëror në dobi të interesave të veta politike.

Në fakt këtu kemi të bëjmë me një hendek midis dy ligjërimeve të ndryshme: ai i të përfaqësuarve dhe i përfaqësuesve. Ligjërimi i të përfaqësuarve dhe përfaqësuesve politikë, ndonëse janë të ndërlidhur, në fakt karakterizohen nga elementë krejt të ndryshëm dhe shpesh udhëhiqen nga interesa të kundërta.

Nëse ligjërimi i të përfaqësuarve, sikurse shkruan Jacques Rancière, përbëhet nga konsensusi (mbi bashkëndarjen e realitetit social, së bashku me vlerat dhe cilësive përkatëse që e përbëjnë atë), ligjërimi i përfaqësuesve politikë përbëhet nga mosmarrëveshja, kontradiktat dhe antagonizmi ku gjithsecili konkurron me tjetrin mbi përvetësimin dhe kapitalizimin e problematikave shoqërore. Por çfarë ndodh në momentin kur ligjërimi i shoqërisë – kryesisht i bazuar te konsensusi mbi realitetin shoqëror – instrumentalizohet nga ligjërimi i përfaqësuesve politikë që flasin në emër të shoqërisë?

Sociologët Jurgen Habermas dhe Pierre Bourdieu e kanë trajtuar gjerësisht këtë dukuri, e cila mund të evidentohet edhe mes shoqërive demokratike të Perëndimit. Për të bërë dallimin midis realitetit shoqëror dhe atij të institucioneve politike vendimmarrëse, Habermas përdor konceptet Lifeworld dhe System (Sistemi). Lifeworld sipas tij është bota e përditshme që bashkëndajmë me të tjerët ku përfshihet jeta familjare dhe ndërveprimet shoqërore informale.

Shkurt: bëhet fjalë për sferën e jetës në të cilën kalojmë pjesën më të madhe të kohës sonë personale dhe shoqërore. Ndryshe nga Lifeworld, që ka trajtat e një përvoje shoqërore spontane dhe informale, Sistemi karakterizohet nga tiparet e veprimit strategjik që u shërbejnë interesave të institucioneve dhe organizatave.

Sipas këtij kuptimi, Sistemi udhëhiqet më së shumti nga prirja për manipulimin e individëve, korruptimin e shoqërisë dhe kolonizimin e Lifeworld. Në trajtesën e Habermas, këto dy koncepte janë përherë në konflikt me njëri-tjetrin, por një konflikt i cili gjenerohet nga vetë natyra kolonizuese e Sistemit, ndaj të cilit Lifeworld nuk i mbetet veçse t’i bëjë qëndresë dhe rezistencë. Mirëpo parashtrimi i konfliktit ndërmjet sistemit dhe realitetit shoqëror, përtej metaforës së kolonizimit, nuk na shpjegon asgjë mbi mekanizmat kulturorë që i pajisin me kuptim ligjërimet antagoniste të këtij konflikti.

Prandaj, ndryshe nga Habermasi, Bourdieu e vendos theksin te kultura si një ndër mjetet më të rëndësishme që bën të mundur legjitimitetin e përfaqësimit politik. Koncepti i Kapitalit Simbolik që shpjegohet në veprën e tij “La Distinction” na ndihmon të kuptojmë më tepër mbi “konsideratat” dhe “statuset” që shpërndahen në shoqëri për anëtarë të caktuar të komunitetit të cilëve u shtohet “vlera shoqërore” në bazë të çështjeve me sensibilitet publik që ata përvetësojnë në ligjërimin e tyre.

Sipas Bourdieu “Kjo vlerë shoqërore që u jepet disa individëve dhe jo të tjerëve, është ndër rishpërndarjet më të pabarabarta dhe ndonjëherë më të padrejta në shoqëri, por që u jep praktikave shoqërore mundësinë për t’u konsoliduar përgjatë historisë.” Ndryshe nga teoria marksiste që prirej më tepër t’i kushtonte rëndësi pabarazive ekonomike dhe dominimit klasor të të pasurve kundrejt të varfërve, në përqasjen e Bourdieu pabarazia më e rëndësishme është ajo në vlerë sociale ose në status (ajo që në shoqëritë e së shkuarës quhej “pabarazi honorifike”).

Ndryshe nga pabarazia ekonomike e cila bazohet në një vlerë ekonomike të matshme dhe objektive, pabarazia në status reflektohet më tepër në perceptimin e të tjerëve që nuk e kanë atë status dhe është një pabarazi që lidhet më tepër me dukjen dhe reputacionin sesa nga ndonjë vlerë objektive të tillë si pasuria monetare. Nisur nga ky konceptim i vlerës sociale, dhe nga dallimi ndërmjet pushtetit simbolik të statusit dhe pushtetit ekonomik të pasurisë, cili nga këto dy pushtete ka më tepër ndikim në mënyrën se si ndodh përfaqësimi politik në ditët tona?

Funksioni politik i modës në ndikimin e perceptimit politik

“E gjithë jeta nuk është veçse një konflikt i vazhdueshëm midis shijes dhe shijimit”
(Friedrich Nietzsche, Agu i Mëngjesit)

Kapitali simbolik nuk ka thjesht si qëllim të shpjegojë në vetvete grupet shoqërore që mbartin statusin dhe vlerën më të lartë sociale, por ato grupe shoqërore të cilat në perceptimet e masave të popullsisë të përjashtuara prej këtyre grupeve i disponojnë realisht të tilla vlera.

Kësisoj kapitali simbolik përftohet përmes masave të shoqërisë të cilat janë të privuara dhe të përjashtuara prej tij, prandaj kërkojnë që të tjerët (domethënë individët e grupeve me kapital social) të flasin në emër të tyre. Megjithatë, pavarësisht se në pamje të parë janë masat ato që vendosin se cilat do të jenë grupet shoqërore që e ushtrojnë pushtetin simbolik, në të vërtetë, duke qenë se masat – qoftë edhe në sistemet demokratike – janë të përjashtuara nga ky proces, ato e kanë të pamundur të vendosin specifikisht se cili do të flasë në emër të tyre.

Le të marrim një shembull hipotetik për ta shpjeguar në mënyrë më të detajuar: ta zëmë se një zyrtar publik akuzohet për korrupsion nga rivali i tij politik. Përtej aspektit ligjor të çështjes se cilat prova do të marrë në shqyrtim organi i akuzës dhe me cilat argumente do të mbrohet i pandehuri, çështja kryesore këtu – sidomos në kushtet e një sistemi demokratik – është se çfarë qëndrimi do të mbajë shumica e popullsisë mbi këtë ngjarje.

Për këtë arsye, në mënyrë që publiku të ketë një përfytyrim sa më të qartë mbi atë çka po ndodh, vihen në lëvizje mediumet e informacionit (televizioni, shtypi i përditshëm, mediat sociale etj.) të cilët përmes angazhimit të gazetarëve, opinionistëve, juristëve, politikanëve dhe ekspertëve të tjerë bëjnë të mundur që edhe masat e popullsisë që janë të përjashtuar nga ky proces, të mund të “zgjedhin” një qëndrim.

Mirëpo në mënyrë që lajmi dhe interpretimet e tij të mund të kenë një shpërndarje sa më të gjerë, duhet që opinionbërësit dhe ekspertët e ndryshëm të kenë njëfarë statusi apo reputacioni në sytë e publikut, çka do i bënte argumentet dhe qëndrimet e tyre më të vlefshme dhe për rrjedhojë më të besueshme. Nga ky moment, çështja nëse zyrtari ka kryer apo jo një akt korrupsioni bëhet dytësore dhe përparësi merr shtimi ose pakësimi i kapitalit social të të ftuarve që flasin jo vetëm në emër të kësaj ngjarjeje, por edhe në emër të perceptimit publik mbi të.

Nga ana tjetër, duke qenë se mediumet janë pjesë e një kulture konsumi që gëzon legjitimitet te publiku, ua shtojnë edhe më tej legjitimitetin interpretuesve të ngjarjes. Po njësoj ndodh edhe me debate të tjera ku individë të veshur me kapital simbolik duke instrumentalizuar ligjërimet që u mundësojnë ritualet e kulturës së konsumit prodhojnë dhe riprodhojnë legjitimitetin e pushtetit të tyre simbolik.

Prapëseprapë, sikurse shkruante Bourdieu, “konsumi i ritualeve kulturore më legjitime përfaqëson fushëbetejën e një konkurrence të ashpër në përvetësimin e praktikave të rralla, tiparet e të cilave pasqyrojnë më tepër logjikën e ofertës sesa logjikën e kërkesës nga ana e konsumatorëve.” Në këtë rast, konsumatorët e këtyre ritualeve kolektive, nuk janë veçse realiteti ku do të përqendrohet legjitimiteti i grupeve që e disponojnë pushtetin simbolik, i cili përndryshe do të ishte krejtësisht arbitrar dhe i shkëputur nga realiteti shoqëror i konsumatorëve.

Ky është edhe funksioni që luan trendi i shijes dominante, ose i modës, në performancën e individëve që flasin në emër të shoqërisë. Moda vërtet shërben në shpërndarjen e legjitimitetit të një praktike të caktuar kulturore te konsumatori, mirëpo në kuptimin e ngushtë të fjalës, moda nuk është krijuar nga konsumatorët, por nga kultura dominante e cila është përherë shprehje e grupeve që disponojnë pushtetin simbolik për ta krijuar dhe për t’i dhënë asaj një vlerë sociale.

Sikurse demokracia, edhe moda është përherë shënjuese e shumicës. Në mënyrë të ngjashme me demokracinë, edhe moda, si shprehje e shijes dominonte, e ka përherë të nevojshme të përfaqësohet dhe të propagandohet nga ajo pakicë individësh që kanë përvetësuar legjitimitetin e ligjërimit në emër të saj. Andaj, shprehja e Ortega y Gasset se “në epokën moderne shija e shumicës mbetet e padiskutueshme” vijon të mbetet aktuale, pavarësisht se në të vërtetë shija nuk gjenerohet nga shumica dhe vendimmarrja në demokraci nuk realizohet nga votuesit.

Në kushtet e një realiteti ku konsumatorët e demokracisë janë po ata që konsumojnë në përditshmëri rrjetet sociale, bëhet e qartë se reputacioni dhe statusi social mbizotërojnë mbi cilësitë individuale, madje sipas qasjes së Bourdieu, e dyta është rezultat i së parës. Ndonëse ligjërimet janë të të gjithëve pro/kundër të gjithëve, përfaqësimi politik ndodh brenda një grupi të ngushtë individësh, të cilët ndryshe nga çdo sistem politik i mëparshëm, janë të pajisur me më tepër mjete simbolike për ruajtjen e legjitimitetit.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit