3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Punimet në seksionin e pestë të autostradës i janë afruar fundit

Më të lexuarat

Janë kryer 85 për qind e punimeve në seksionin e pestë të autostradës Vërmicë-Merdar, që përfshin segmentin nga Dula deri në Gjergjicë, në gjatësi prej 18.4 kilometrash, ka njoftuar Ela Ruçi, zëdhënëse e kompanisë “Bechtel-Enka”, e cila po i realizon punimet në këtë projekt.

“Çdo gjë do të jetë gati dhe ky seksion do të përurohet më 27 nëntor, shtatë muaj para afatit”, ka thënë ajo, duke treguar dinamikën e punimeve përgjatë trasesë së autostradës. “Ja, ajo sipërfaqe e zhveshur anash rrugës e gjitha mbillet dhe sforcohet me bar teknologjik, në interes të stabilizimit të terrenit anash trasesë”, ka shpjeguar Ruçi.

Anëve të autostradës “Ibrahim Rugova” vërehen edhe disa rezervuarë apo laguna, siç i quan Ruçi, të cilat shërbejnë për tërheqjen e ujërave, vajrave e rrjedhjeve të brendshme dhe bëjnë filtrimin e ujërave të autostradës, ndërkohë që vija kanalizimesh deri në majë malesh në mbrojtje të trasesë nga reshjet atmosferike vërehen gjithandej autostradës.

Janë gjithsej 17 laguna në seksionin e pestë. Nga Dula deri në Bellanicë të Malishevës rruga është asfaltuar dhe ka mbetur të vendoset vetëm shtresa e fundit e asfaltit. Varësisht nga dinamika e punës së departamenteve të ndryshme, shtresa asfalti janë vendosur edhe më në thellësi të rrugës, duke pritur arritjen e kësaj dinamike në pjesët tjera të trasesë.

“Çdo ditë sheh diçka të re, sot mund të kalosh në këtë anë të trasesë, nesër të duhet në anën tjetër”, ka thënë Ruçi, derisa ngiste makinën e kompanisë për të cilën punon.

Aty ku rruga i afrohet fshatit Bellanicë, kalimtari mund të shohë prerjen dhe shtresimin e bjeshkës anash autostradës që veç anës së sigurisë i jep edhe një hijeshi “Rrugës së kombit”.

“Këtu janë bërë prerjet më të mëdha shkëmbore deri tani”, shpjegon zëdhënësja Ruçi. Janë një kompani franceze dhe një kroate, të cilat sipas saj e përcjellin tërë dizajnin e projektit.

Dëmtimi i rrugëve lokale në fshatrat e Malishevës, sipas saj, kishte ndodhur për shkak se ishin vonuar shpronësimet në trase dhe se “Bechtel-Enka” nuk ka dashur të humbasë kohën. Përndryshe deri në këtë segment ky konsorcium e kishte shfrytëzuar për lëvizje vetëm trasenë e autostradës.

Ruçi ka thënë se “Bechtel-Enka” ka shprehur gatishmërinë e ndihmës ndaj Ministrisë së Infrastrukturës kurdo që ata të nisin punën në meremetimin e rrugëve lokale të dëmtuara nga makineria e rëndë. Në periferi të fshatit Banjë, sipas Ruçit, është lidhja e vetme për në autostradë për banorët e qendrës së Malishevës. Hyrje-dalja tjetër mbetet ajo në Gjergjicë të Drenasit, në magjistralen Prishtinë-Pejë, ku fshati më i afërt i Malishevës është Balinca.

“Kjo është autostradë e shpejtësisë së lartë dhe e trafikut ndërkombëtar, e tipit të mbyllur me hyrje-dalje vetëm nëpër lidhje, shpejtësia e projektuar është 120 deri 130 kilometra në orë”, ka theksuar zëdhënësja e projektit më të kushtueshëm në historinë e re të Kosovës. Aktualisht, sipas saj, janë rreth 2 mijë e 600 punëtorë të përfshirë në punimet e autostradës, 75 për qind e të cilëve janë nga Kosova dhe të cilët punojnë me pagën mesatare kosovare, varësisht nga kualifikimet dhe aftësitë e tyre profesionale.

Zyrtarë të “Hill International”, sipas Ruçit, janë tërë kohën në terren në mbikëqyrje të punimeve të autostradës. Anash trasesë aty-këtu vërehen edhe vendpunishte, prodhohet materiali për punë, ndër të cilët edhe trarët e betontë të madhësive të ndryshme.

Në seksionin e pestë, sipas zëdhënëses Ruçi, janë gjithsejtë 3 ura të ngritura për të cilat nevojiten 144 trarë të tillë. Në këtë seksion janë edhe 7 nënkalime dhe 4 mbikalime. Ndonëse ka pasur 2 raste vdekjesh të punëtorëve gjatë punës në këtë seksion, zëdhënësja Ruçi ka thënë se siguria në punë është një nga angazhimet më të mëdha të konsorciumit. Dhe, departamenti i sigurisë, sipas saj, është një nga më të rëndësishmit.

“Ne flasim çdo ditë për siguri teknike dhe marrim masa, por çështja e sigurisë është edhe çështje e kulturës së përgjithshme të njerëzve”, është shprehur ajo.

Për secilin punëtor që nuk i respekton masat e sigurisë në punë, Ruçi ka thënë se aplikohen kartonët e verdhë dhe ata të kuq, si vërejtje për moszbatim masash. Kartoni i verdhë paraqet vërejtje, ndërkaq ai i kuq për një punëtor do të thotë largim nga puna për 3 javë. Kohëzgjatja e punimeve në tërë projektin e autostradës “Ibrahim Rugova” parashihet të jetë 36 muaj. Autostrada do të ketë 22 ura për të cilat do të prodhohen 605 trarë, 19 nënkalime, 30 mbikalime dhe 12 nyje lidhëse. Gjerësia e rrugës parashihet të jetë 28 metra brenda së cilës do të jenë 2 shirita qarkullues me 3.75 metra, shirit ndihmës emergjent me 2,5 metra dhe bankina 1.5 metra.

Duke folur për gërmimet dhe asfaltin e hedhur në autostradë zëdhënësja e projektit të autostradës ka preferuar të citojë krahasimin që e përdor drejtori i këtij projekti Mike Mix.

“Janë 14.5 milionë[ metër kub mbushje aq sa për të mbushur 5 herë tërësisht stadiumin e Camden Yards, në Baltimore, janë 840 mijë tonë asfalt ose sa të mbushësh 7 herë stadiumin Fedex Field, Washington DC, janë 30.9 milionë metër kub gërmime, sa për të rrafshuar plotësisht 13 herë Piramidat e Gizes në Egjipt”, është shprehur ajo.

Seksioni i parë 4A i autostradës nga Vërmica deri në Suharekë në gjatësi 37.7 kilometra është hapur më 12 nëntor 2011, seksioni 4B nga Suhareka deri te nyja lidhëse e Dulës prej 4.6 kilometrash është hapur më 13 korrik të këtij viti.

Qeveria e Kosovës këtë vit ka ndarë 239.6 milionë euro për ndërtimin e autostradës.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit