-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Punëtorëve iu shkelen të drejtat me të dy këmbët, por ata festojnë

Më të lexuarat

Derisa në shumë vende të botës për 1 majin, festën ndërkombëtare të punës, protestohet por edhe numërohen rezultatet në përmirësimin e gjendjes së kushteve të punëtorëve, në Kosovë nuk do të ndodhë as njëra, e as tjetra.

Drejtuesit e shoqatave thonë se diskriminimi ndodhë në sektorin publik, kurse ata të sektorit privat trajtohen si skllevër dhe nuk guxojnë të protestojnë. Ndërkohë, Policia e Kosovës është e vetmja në botë që nuk ka sigurim shëndetësor. Ndërsa, zjarrfikësit luten të mos lëndohen në vendin e punës sepse asnjë kompensim material e as moral nga institucionet nuk iu bëhet.

Hajrullah Hoxha, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shërbimit Civil në Kosovë, ka thënë për KosovaPress se festa e një majit, Kosovën e gjen para një momenti shumë të vrazhdë sa i përket mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në gjithë sektorët, pasi siç thotë Hoxha, të drejtat e punëtorëve po shkelen në vazhdimësi si nga aspekti i pagave, por edhe të drejtat tjera që janë të precizuara në kontratën kolektive dhe ligjin mbi pagat e shërbimit civil, e që asnjë nga këto të drejta nuk janë realizuar deri më tash.

Hoxha mendim më kritik për sektorin privat ku sipas tij në mënyrën më të vrazhdë shkelen të drejtat e punëtorëve. “Aty mbrohet veç interesi i pronarit dhe nuk mbrohet interesi i punëtorit, gjë që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka për detyrë imanente, ligjore që ta përcjell së paku realizimin e pagës minimale në Kosovë dhe ajo nuk përcillet dhe diskriminohen të drejtat e atyre punëtorëve në atë sektor. Thash diskriminim kemi edhe në sektorin publik, në sektorin tek ne por ai diskriminim është më i vrazhdë në sektorin privat”, theksoi ai.

Kurse, nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, ka thënë se nuk ka vend për këtë festë pasi pakënaqësitë veç po rriten edhe në këtë institucion. Sipas tij, akoma nuk është realizuar shtesa e premtuar prej 0.5 për qind, e cila parashihet edhe me kontratë kolektive dhe ligj.

Kjo sipas Tashollit, është mjaft e dhimbshme dhe dërgon drejt nxitjes për revoltë në ditët e ardhshme. “Është mangësi shumë e madhe dhe prekëse se sigurim shëndetësor ende nuk ka Policia e Kosovës, unë konsideroj se askund në botë nuk ka pa sigurim shëndetësor në polici, jemi e vetmja polici në botë, prandaj nëse hyjmë në gjëra tjerat pavarësisht sa do të jenë pozitive kjo është mangësi shumë e rëndë e cila është premtuar që dy vite”, tha ai.

Ndërsa, Muharrem Beka, Kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovë ka thënë për KosovaPress se festa e 1 majit, shërbimin e zjarrfikësve dhe shpëtimit e gjen me një mori problemesh dhe mangësish. Ai këtu ka përmendur mungesën e pajisjeve personale të punës, pastaj mos kompensimin e ndërrimeve të natës për orët jashtë orarit, mos aplikimi i masave për mbrojte dhe siguri në punë, etj. Madje, Beka me shqetësim ka thënë se kanë edhe raste kur zjarrfikësit lëndohen në vendin e punës dhe asnjë kompensim material e as moral nga institucionet nuk iu bëhet.

“Ne kemi pajisje të cilat asnjëherë nuk i është kryer kontrolla teknike sipas kontrolles periodike të cilat duhet të kryhen, kemi pajisje të rrezikshme të cilat i përdorim që e rrezikojnë drejtpërdrejtë jetën e zjarrfikësit, të cekim aparatet e frymëmarrjes që ju ka kaluar afati 10 vjeçar i përdorimit dhe asnjë test nuk ju është bërë dhe ne ato pajisje i përdorim, është momenti i fundit, ne apelojmë te Qeveria e Kosovës që gjithsesi duhet të reflektojë, të shqyrtojnë këtë gjendje të rëndë që ka mbërthyer shërbimin e zjarrfikësve ”, është shprehur ai.

Ndërkaq, nënkryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, ka thënë për KosovaPress, se kjo ditë manifestohet në tërë botën si dita e punëtorit, përmes protestës duke realizuar të drejtat dhe liritë e veta, kurse, sipas tij për fat të keq tek ne shohim shkelje drastike të punëtorëve duke filluar nga ligji i punës, pastaj mos mbrojtja në punë ku jeta e punëtorit është e rrezikuar gjithmonë.

Ajdini ka shtuar se janë edhe problemet sociale, ku një profesor fakulteti me 40 vite përvojë merr vetëm 120 euro pension dhe kjo ndodh vetëm tek ne.

Ai thotë se këto probleme të shumta po shtyjnë që rinia me kualifikime superiore të marrin edhe rrugën e migrimit, dhe kësisoj po ik ardhmëria e Kosovës.

“Për fat të keq këtu p.sh tani po manipulohet me një numër mjaft të madh të punëtorëve sepse për një vend pune konkurrojnë 500 vetë dhe aty tash abuzimi është i punëtorëve, d.m.th për një fjalë goje e largon ose personi i cili është vozitës shofer në kamion kur nuk ka çka të bëjë me kamion e angazhojnë në punë fizike”, tha ai.

Sipas Ajdinit, ka mjaft arsye për protesta dhe ka bërë thirrje që të gjithë punëtorët pavarësisht frikës së largimit nga puna duhen të kërkojnë të drejtat e tyre dhe themelimin e shoqatave sindikale gjithkund. “Ne kemi qenë edhe në ish- sistemin mirëpo ne kemi kërkuar të drejtat tona përsëri edhe pse nuk na kanë pyetur, megjithatë një ligj që ka qenë është respektuar, më besoni se ligji është respektuar, mirëpo tash është, votohet nga parlamenti jonë, draftohet edhe atje, dhe nuk zbatohet. Siguria në punë, çfarë sigurie në punë nuk kemi kurrfarë sigurie në punë. Sigurimet nuk jepen, shujta nuk jepet”, ka pohuar ai.

Ajdini ka nënvizuar se BSPK-ja merr pjesë vazhdimisht në këshillin ekonomik social dhe nga aty kanë adresuar kërkesa në Qeveri për ngritjen e standardit të punëtorëve, duke kërkuar kështu që paga minimale të bëhet 250 euro, por sipas tij e njëjta nuk ka lëvizur fare dhe nuk është marrë parasysh.

Ai thotë se ka punëtor që paguhet 170 euro por edhe të tillë që paguhen edhe më pak vetëm 120 euro, dhe sipas tij nuk duhet qëndruar duarkryq përballë kësaj gjendje dhe situate të krijuar por të ngritët zëri për të drejtat e punëtorëve.

Në anën tjetër, Ylber Aliu, ushtrues detyre i Divizionit për Monitorim të Zyrave të Punësimit në MPMS, ka thënë për KosovaPress se në bazë të ligjit për regjistrimin dhe evidencën e të papunëve dhe punëkërkuesve numri i qytetarëve të regjistruar si të papunë dhe punëkërkues aktiv, që frekuentojnë së paku dy herë në një periudhë kohore gjashtë mujore këtë Zyrë është 95 mijë e 693 qytetarë, ku prej tyre 41 mijë e 872 janë femra.

“Ndërkaq numri i qytetarëve të ndërmjetësuar në punësim përmes zyrave të punësimit në periudhën janar- dhjetor të vitit 2014 është 4 mijë e 667 persona, prej tyre 1 mijë e 376 janë femra, dhe numri i qytetarëve të ndërmjetësuar në punësim në periudhën janari- mars të vitit 2015 përmes zyrave të punësimit është 884 persona dhe mbi 300 prej tyre janë femra”, tha ai.

Ndërsa, Aliu ka nënvizuar se në bazë të informatës së Tregut të Punës, të muajit dhjetor 2014, numri i qytetarëve të regjistruar si të papunë dhe punëkërkues, përfshirë këtu edhe të papunët jo aktiv, pra ata që në një moment të caktuar kanë ardhur dhe janë regjistruar si të papunë dhe punëkërkues në Zyre të Punësimit, është 274,487 persona, prej tyre 127, 921 femra. kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit