5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Punëkërkuesve iu nevojitet aftësim profesional

Më të lexuarat

Punëkërkuesit e rinj në Kosovë, për të cilët janë hedhur një varg kritikash për mungesë të përgatitjeve adekuate për tregun e punës, u janë hapur mundësi të reja të trajnimit në profesione të caktuara.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë treguar për Radion Evropa e Lirë se qendrat e aftësimit profesional, të cilat veprojnë në Kosovë, kanë shtuar aktivitetin e tyre për trajnimin e personave, që paraqiten në këto qendra.

Megjithatë, këto qendra, kanë theksuar ata, nuk i kanë të gjitha profilet që i kërkon tregu i punës.

Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se këto qendra zhvillojnë politika për aftësim profesional në harmoni me kërkesat e tregut të punës.

Ajo ka bërë të ditur se interesimi i punëkërkuesve për aftësim profesional është jashtëzakonisht i madh.

“Nuk janë të gjitha profilet në këto qendra të aftësimit profesional. Ne po mundohemi që edhe npërmjet marrëveshjeve të ndryshme që i kemi me shtete tjera, të sjellim profesionistë në këto qendra dhe t’i trajnojmë këta persona. Kryesisht, kërkesat më të mëdha për tregun e punës i plotësojmë”, ka thënë Hajzeraj.

Trajnime profesionale për të papunët, të cilët paraqiten në qendrat e punësimit në Kosovë, ofrohen falas për afër 30 profesione të zgjedhura në bazë të analizës së tregut të punës.

Aftësim profesional ofrohet për rrobaqepësi, furrtari, inxhinieri, kuzhinier dhe shumë profesione tjera.

Zëvendësministrja Rita Hajzeraj ka theksuar se mundësitë e punësimit janë shumë të mira pas trajnimit që marrin punëkërkuesit në këto qendra të aftësimit profesional.

“Personat, të cilët ne i aftësojmë gati të gjithë gjejnë punë, në ato profesione që i kërkon tregu i punës dhe të cilët ne nuk arrijmë që t’i aftësojmë, ata punëtorë i dërgojmë jashtë vendit(për trajnim). Tani ne jemi duke tentuar që të avancojmë teknologjinë, e cila mungon aktualisht në këto qendra në mënyrë që këta persona të aftësohen në Kosovë dhe jo të dalin jashtë vendit”, ka sqaruar Hajzeraj.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë, në veçanti investitorët ndërkombëtarë që vijnë në Kosovë, në vazhdimësi kishin theksuar se njëra prej barrierave që u paraqitet atyre, është edhe fuqia punëtore e pakualifikuar.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka treguar se bizneset ankohen se nuk arrijnë të gjejnë punëtorë të përgatitur mirë për punë. Ai ka shtuar se punëkërkuesve iu duhen aftësime profesionale.

Megjithatë, sipas tij, qendrat e aftësimit profesional, të cilat janë në Kosovë, nuk ofrojnë përgatitjen, e cila nevojitet.

“Qendrat e aftësimit profesional edhe më tutje duhet t’u nënshtrohen reformave që ngrenë performancat e tyre. Në bazë të hulumtimit të tregut, ata duhet të trajnojnë punëkërkuesit, në mënyrë që ata të hyjnë në treg të aftësuar dhe të japin kontributin e vet që nga dita e parë kur ata hyjnë të punojnë”, ka theksuar Shahini.

Ai ka thënë se bizneset në Kosovë hezitojnë të marrin punëtorë, të cilët trajnohen në këto qendra, për shkak të mostrajnimeve adekuate.

Ndryshe, me qëllim të krijimit të mundësive të reja të punësimit për punëkërkuesit dhe të papunët e rinj, institucionet e Kosovës kanë iniciuar edhe projekte tjera të trajnimit të punëtorëve.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Për çdo vit në tregun e punës hyjnë rreth 30 mijë persona, ndërsa tregu i punës absorbon vetëm 6 mijë sosh.

Të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat flasin për vitin 2015, tregojnë se niveli i papunësisë në Kosovë ka arritur në 32.9 për qind.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit