8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Puçistët gylenistë – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Puçistët gylenistë
Pesë vjet më parë në Turqi, një puç i dështuar ushtarak tentoi të përmbyste dhunshëm pushtetin legjitim politik të këtij vendi. Shteti turk bëri përgjegjës për këtë, Fetullah Gylenin dhe ithtarët e tij, që vepronin si strukturë paralele, të infiltruar në ushtri dhe institucione të tjera shtetërore. Vetë Gyleni sigurisht që e mohoi këtë akuzë, dhe disa besnikë të tij e quajtën këtë ngjarje një “intrigë bizantine” të inskenuar nga vetë shteti!
Para pak kohësh po lexoja një libër të një ish-zyrtari të lartë turk në policinë e shtetit, Hanevi Avci, të botuar për herë të parë në vitin 2010, ku ai tregonte intrigat dhe mundimet që ai dhe të tjerë kishin pësuar nga ithtarët e infiltruar të Gylenit në policinë e shtetit dhe organet e sigurisë dhe rrezikun që këta njerëz përbënin për shtetin. Në vitin kur ky libër u botua për herë të parë, pak kush e mori atë seriozisht, por pas puçit të 15 Korrikut 2016, ky libër i ribotua me dhjetëra herë. Paralajmërimi i tij nuk ishte vlerësuar në kohën e duhur dhe popullit turk iu desh të përballej me një ngjarje të dhimbshme, që tashmë e njohim dhe e kemi të freskët në memorien tonë. Se cili ka qenë roli dhe masa e përfshirjes së gylenistëve apo të huajve në këtë ngjarje, kjo do t’i mbetet historisë së ardhshme për ta hulumtuar dhe zbuluar.
Por, në Shqipërinë tonë të vogël, ajo çka është tepër e sigurt, si drita e diellit në mes të ditës, është se gylenistët në një periudhë mbi dhjetë vjeçare kanë kryer një puç të heshtur institucional, duke uzurpuar përmes infiltrimit dhe katapultimit një nga institucionet fetare më të rëndësishme në vend, siç është ai i KMSH-së.
Statuti i KMSH-së, që për hir të së vërtetës është dëmtuar që nga paraardhësit e gylenistëve, parashikon në parim, se ky institucion duhet të jetë përfaqësuesi i xhemateve të xhamive të Shqipërisë në mënyrë demokratike, përmes zgjedhjeve për këshillat e xhamive, pastaj për këshillat e myftinive dhe në fund për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Musliman, që është ndryshe Kuvendi i Muslimanëve të Shqipërisë, dhe organi më i lartë vendimmarrës i këtij institucioni. Pra, teorikisht Këshilli i Përgjithshëm është përfaqësuesi demokratik i besimtarëve muslimanë të këtij vendi, sepse pretendohet të ketë dalë prej tij, por në realitet, imamët dhe besimtarët e xhamive e dinë se ai nuk është i tillë. Kështu që praktikisht zgjedhja e kryetarit prej këtij këshilli me vota, është thjesht një formalitet dhe pa asnjë rëndësi, kur dihet se kush e kontrollon dhe e dirigjon atë.
Ndërkohë edhe pse pretendohet se ky këshill është ai që zgjedh me vota kryesinë e KMSH-së dhe madje miraton emërimet dhe shkarkimet e myftinjve, e gjitha kjo është një farsë, nëse kuptojmë se gati gjysma e tij përbëhet nga njerëz të emëruar nga kryesia e KMSH-së, që janë myftinjtë dhe kryesia e saj. Kryesia e KMSH-së ndërkohë përbëhet nga drejtoritë e ndryshme, shumica e të cilave kanë të bëjnë me administrimin e punëve të KMSH-së, që nuk kanë karakter të drejtpërdrejtë fetar, por që realisht marrin çdo vendim, qoftë edhe me natyrë fetare. Kryesia e KMSH-së shtohet dhe pakësohet në drejtori, sipas oreksit dhe nevojës së drejtuesve të saj.
Sa për të dhënë një shembull të këtij absurditeti institucional, po i kujtojmë lexuesve se kryetari paraardhës i KMSH-së, qe një nga katër nënkryetarët e KMSH-së (!) dhe e mbajti këtë post vetëm për pak muaj, bashkë me kolegun tjetër të tij anonim dhe bashkë me 25 anëtarët e tjerë të kryesisë, që krejt papritur u bënë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm me të drejtë vote, për të përfaqësuar një xhemat që nuk i kishte zgjedhur dhe e gjitha kjo, vetëm e vetëm që gylenistët të kishin të sigurt marrjen e vendimeve në Këshillin e Përgjithshëm, në atë periudhë. Kjo është njëlloj sikur qeveria të shtojë dhe pakësojë numrin e deputetëve në Kuvend, sa herë t’i interesonte sigurimi i votës në të. Pra, kjo do të thotë se de jure dhe de fakto organi më i lartë i KMSH-së është i emëruar nga Kryesia e KMSH-së, e cila ka gjithë fuqinë e KMSH-së në dorë, kështu që praktikisht të emëruarit janë ata që votojnë për punëdhënësit e tyre!
Ndërkohë, realiteti është edhe më i zi dhe ulëritës deri në ngjirje, sepse edhe ata anëtarë të këshillit që nuk janë pjesë e organikës së KMSH-së dhe që duhet të vijnë nga xhemati, nuk zgjidhen në mënyrë të rregullt nga këshillat e myftinive, por praktikisht shumica e tyre vendosen përmes imponimit që u bëhet myftinjve dhe manipulimit nga kryesia e KMSH-së me dokumentacionin përkatës, ku në mjaft raste, as zgjedhje formale nuk bëhen nëpër këshillat e myftinive nëpër rrethe. Ka raste madje ku në Këshillin e Përgjithshëm, në organin ku duhet të ishte ajka intelektuale e besimtarëve muslimanë, ka edhe njerëz që nuk falen dhe nuk përfaqësojnë fare besimtarët e rrethit që caktohen të përfaqësojnë, e nuk i njeh askush. I vetmi kriter i pashkruar që ata plotësojnë është se janë gylenistë, ose njerëz konformistë pranë tyre. Kështu që edhe ajo demokraci e pakët që parashikon statuti i KMSH-së, shkelet me këmbë në mënyrë të paskrupullt nga drejtuesit aktualë gylenistë.
E kjo sigurisht ka vetëm një emër: ILEGJITIMITET. Dhe sigurisht ata që e kanë kapur dhe mbajnë këtë institucion në mënyrë ilegjitime, nuk janë gjë tjetër, vetëm se PUÇISTË. Kjo është e vërteta që nuk e mohon dot askush, e që madje edhe vetë drejtuesit e lartë të KMSH-së e pranojnë, por që të bëjnë armik kur ua vë në dukje dhe i kritikon e i këshillon ta ndreqin këtë super skandal dhe amoralitet të shpifur.
Sigurisht që kjo histori nuk ka filluar sot, por ka vite dhe për të, mund të japim detaje dhe emra me fakte, por këtë thjesht mund ta bëjmë për opinionin publik, sepse ndërkohë ky realitet njihet shumë mirë nga imamët dhe xhemati, dhe pranohet kaq mirë edhe nga vetë gylenistët, saqë e vetmja përgjigje amorale, e turpshme dhe mashtruese, për të justifikuar ilegjitimitetin e tyre në sytë e naivëve, është duke implikuar shtetin shqiptar dhe ambasadën amerikane, si gjoja mbështetësit e sektit të tyre!
Edhe sikur të mos e bënim këtë shpjegim, çdokush mund t’i bëjë pyetje vetes, se si është e mundur që myftinj, drejtues e kryetarë të KMSH-së, bëhen njerëz anonimë, mediokër dhe pa ndonjë reputacion dhe autoritet në xhemat, apo ca çunakë që sapo kanë kaluar të njëzetat e moshës së tyre?! Si është e mundur që ka imamë dhe hoxhallarë që gëzojnë reputacion të gjerë në xhemat, për kontributin dhe dijen që ata kanë dhe nuk i sheh kurrë në nivelet e larta drejtuese të KMSH-së, madje as në Këshillin e Përgjithshëm të tij, ndërkohë që eprorët e tyre janë shpesh njerëz me moshë më të vogël se ata dhe nuk njihen derisa të marrin këto poste?!
Një fenomen të tillë e shkakton vetëm se ILEGJITIMITETI institucional i gylenistëve, që janë përvjedhur në zyrat e KMSH-së, përmes pushtimit të heshtur të institucionit, praktikë kjo, që ata e kanë ndjekur prej vitesh edhe në shtetin turk, sipas modelit mason aq të preferuar të tyre, me të cilin këta të fundit shfronësuan Sulltan AbdulHamidin e dytë.
Gylenistët si sekt hermetik dhe tepër fanatik ndaj liderit dhe organizatës së tyre operojnë në mënyrë tipike si diktatura komuniste. P.sh. kryekrimineli dhe diktatori komunist shqiptar, një intrigant dhe mediokër intelektual, mblodhi dhe afroi rreth vetes vetëm mediokrit si ai, ose njerëz me nivel të ulët intelektual, sepse vetëm kështu mund ta mbante pushtetin, duke larguar çdo individ që qëndronte mbi të dhe që mund ta sfidonte qoftë edhe me prezencën e autoritetin e tij intelektual. Diktatori duhet të ishte njeriu më i ditur, më inteligjenti dhe më largpamësi, përndryshe duhet të lironte vendin, për këtë dhe ai mblodhi në byronë e tij politike ish karrocierë, teneqexhinj, mjelëse dhe vjelëse dhe të tjerë sahanlëpirës, që nuk kishin bërë asnjë shkollë, përveç asaj të partisë, dhe nuk kishin asnjë arritje intelektuale, përveçse dinin t’i lëpiheshin dhe bindeshin verbërisht diktatorit. Të njëjtën gjë bëjnë pak a shumë edhe gylenistët, duke e mbushur institucionin me ushtarë të bindur të tyre dhe duke toleruar, afruar dhe mbajtur pranë, ata njerëz që nuk hapin kurrë gojën për t’i kritikuar dhe këshilluar dhe që kanë profil të ulët inteligjent e fetar dhe që iu binden verbërisht atyre.
Gylenistët puçistë të KMSH-së, që i shantazhojnë imamët dhe myftinjtë me vendin e punës dhe bukën e fëmijëve, duhet ta kishin vendin në prokurori dhe gjykatë, për të dhënë llogari për ilegjitimitetin dhe të gjitha dëmet që ata i kanë bërë KMSH-së. Por, duke qenë se jetojmë në një realitet postkomunist të dhimbshëm, në një tranzicion të tejzgjatur, ku varfëria ekonomike, mediokriteti i imponuar intelektual dhe mungesa e meritokracisë, e kanë dëmtuar së tepërmi shoqërinë tonë të brishtë shqiptare, kështu që KMSH-ja ka qenë shembulli më tipik i korrupsionit moral dhe shprehjes “gjej shesh dhe bëj përshesh” dhe jo vetëm nga gylenistët, të cilët nuk ndryshuan asgjë nga ky realitet, por vetëm e përkeqësuan atë.
Mund të zgjatemi dhe të japim detaje të shumta dhe shembuj të turpshëm dhe konkretë, se me çfarë njerëzish dhe veprimesh është katandisur KMSH-ja jonë, e cila përpiqet në maksimum për të rregulluar dekorin e makijazhit të saj hipokrit, por do ta mbyllim vetëm me një sqarim të fundit, për ata skeptikë që bëjnë shpesh pyetjen: pse tani ky sulm ndaj tyre?
Këshilla dhe kritika ndaj tyre nuk ka munguar përgjatë gjithë kohës, por ajo shpesh nuk ka qenë publike dhe vetëm ka ulur tonet dhe forcën e saj, me shpresën se do të kemi një reflektim dhe me mendimin e mirë si besimtarë, se ka njerëz prej tyre që do të ndërmarrin hapin e përmirësimit dhe legjitimimit, pa qenë nevoja e demaskimit publik. Por, pasi këtij durimi dhe kësaj pritjeje i erdhi kulmi me zhgënjime të njëpasnjëshme dhe pas dy skandaleve të fundit, të paprecedentë, njëri më i shpifur se tjetri, ai i “iftarit të turpit” dhe ai i miratimit të projektit heretik të “House of One”, si dhe arrogancës dhe mos reflektimit, për ne ka mbetur vetëm demaskimi dhe çjerrja e maskës, për të ndërgjegjësuar besimtarët se me çfarë sekti kemi të bëjmë.
Edhe pse është e tepërt ta themi, për disa njerëz na duhet të pohojmë se padyshim që nuk kemi asgjë personale me asnjë prej tyre, madje për ndonjërin prej tyre ruajmë edhe njëfarë respekti dhe sigurisht që as nuk komandohemi dhe as dirigjohemi nga askush, përveç ndërgjegjes sonë personale, duke synuar vetëm përmirësimin, dhe Allahu është Dëshmitar për këtë.
Sigurisht që as nuk na frikësojnë kërcënimet dhe denoncimet e burracakëve gylenistë, për aq kohë sa e dimë se jemi në të drejtën dhe të vërtetën, dhe në rregull me Zotin tonë, e më pas edhe me ligjet e këtij vendi, por që sigurisht, Allahu dhe thënia e së vërtetës, lusim Krijuesin të jetë nijeti ynë i vetëm, përtej çdo pasoje të kësaj bote, që mund të na vijë prej tyre.
Justinian Topulli
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit