3.4 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Psikologjia e Religjionit

Më të lexuarat

1. Feja dhe Psikologjia

Për të sqaruar lidhshmërinë mes fesë dhe psikologjisë, pikësëpari duhet bërë përkufizimin e fesë. Feja si term i ndërlikuar në gjuhën arabe emërtohet me termin“din” i cili sipas asaj që transmetohet në literaturën fetare mban kuptimet siç janë “traditë, doke, borxh, respekt, rrugë e cila mbahet dhe ndiqet, dënim, shpërblim, popull”.

Në Kur’anin Famëlartë me termin “fe nënkuptohet jeta e cila kalon me rregullsi dhe plan jetësor siç është të përkulurit ndaj një autoriteti, përshtatja dhe respektimi i urdhrave dhe ndalesave të atij autoriteti; në qoftë se këtyre urdhrave dhe ndalesave u përmbahet ka shpërblim, e në të kundërtën, të besohet se do të ketë dënim”.2

Në gjuhët e Perëndimit termi “fe” më së shumti njihet me emrin “religjion”. Në qoftë se e shikojmë nga aspekti etimologjik, do të vërejmë se termi fe është në lidhshmëri me termin e gjuhës latine “religio”. Ky term si i këtillë më së shumti përkufizohet si: fe, fetarësi, të lidhurit për Zotin me dashuri e respekt.3

Vështirësitë që hasen në përkufizimin e fesë janë të natyrës siç është njohja e karakterit thelbësor, cilësitë e personit i cili i jep përkufizimin, botëkuptimet, profesioni në të cilin vepron, periudha në të cilën bëhet përkufizimi, gjendja sociale, politike, ekonomike, veçoritë kulturore dhe njohja e mënyrës se si bëhet përkufizimi i saj.4

Krahas të gjitha këtyre vështirësive, ne këtu do të japim disa nga ato përkufizime që i janë bërë fesë.

William James-i termin “fe” e percepton nga tre aspekte siç janë “ndjenjë, sjellje dhe përvojë”.5

Sipas James-it, feja është “besimi i njerëzve në gjërat, të cilat i njohin si hyjnore, të medituarit gjatë kohës kur gjenden para tyre, të përjetuarit e përvojave personale të njerëzve, aktivitetet dhe ndjenjat e tyre”.6

Prej mendimtarëve të njohur të fesë Regis Jolivet-i në fjalorin filozofik e ka përkufizuar fenë nga dy aspekte edhe atë:

a) Nga aspekti subjektiv: “Feja është dashuria e ardhur nga brendia e njeriut, të lidhurit për Zotin me lartmadhërim dhe mbështetje (mirëbesim); pranimi dhe respektimi i asaj se njeriu është i detyruar të jetë i lidhur për Allahun dhe ndaj të gjitha ligjeve, parimeve dhe qëllimeve të tij me mendje të shëndoshë dhe ndjenja të pastra.

b) Ndërsa nga aspekti objektiv: Të shprehurit me vepra dhe aktivitete të asaj subjektives që ndihet me ndjenjat fetare dhe besohet siç janë: ritet fetare, sakrificat, duaja dhe adhurimet, sikur edhe obligimet morale-etike”.7

Një ndër përkufizimet është edhe ky: “Feja është ajo që i sjell në lidhshmëri vetë individët me Zotin, me një jetë mbinatyrore dhe në marrëdhëniet e tyre shoqërore; ajo sjell vendime dhe bën vlerësime për gjërat e paraqitura në botë dhe si e tillë është një sistem traditash, manifestimesh, ritesh dhe besimesh”.8

Të zbuluarit e tezës në filozofinë moderne dhe psikologjinë e fesë “qartë e sqaruar” (eksplicite) ose “kuptim i fshehur” (implicite), është tregues i vazhdueshmërisë së fesë. Kjo do të thotë se feja është diç permanente, e përhershme dhe e pashkatërrueshme. Shkaku i kësaj qëndron pikërisht aty se i është inherente (karakteristikë e lindur) natyrës së njeriut dhe çdo humbje e saj prej shikimit, në të vërtetë është mënyrë e një transformimi të ri të përhershmërisë së saj.9

Antoine Vergote në librin e tij të emërtuar Religion, Foi et Incroyance: Etude

Psychologique (Feja, besimi dhe mosbesimi: Një hulumtim psikologjik), përkufizimine fesë e bën kështu: “Feja ka të bëjë me një qenie (ose më shumë) mbinatyrore dhe është një tërësi në lidhje me disa shenja (indikacione), sjellje, ndjenja dhe gjuhë”. Në këtë mënyrë Vergote duke e pranuar pozitivitetin kulturor të fesë, mendon se nëpërmjet lidhjeve psikologji, fe dhe disa gjërave të tërësishme që shprehin ngjashmëri me fenë, do të gjejë mundësinë e hulumtimit të këtyre lidhshmërive.10

Sa i përket Freud-it, ai mundohet që zanafillën e fesë ta largojë nga botëkuptimi se mund të jetë diçka e mbinatyrshme ose e lindur në njeriun. Ai fenë mundohet ta përkufizojë si fryt të mendimit të njeriut rreth asaj se është figurim i babait nga frika apo nga shkaqe të tjera. Për të me rëndësi është se feja është lindur dhe përhapur me paraqitjen e kulturave të ndryshme.11

Sipas Freud-it, sikur që janë ngjarjet e sublimacionit në shkencë, moral, art, gjithashtu edhe feja është një fryt i tillë dhe është superego. Para se të bëjë ndërrimin e lëkurës dhe të dalë sipër superegos, anë themel ka komponentë të tjerë. Shenja e vërtetë e Zotit është babai. Me të vërtetë Zoti, sipas tij, është babë i sublimuar (lartësuar).12

Freud-i ka pasur për qëllim që përjetimin e fesë ta sqarojë nëpërmjet komplekseve dhe ndjenjave instinktive të brendshme. Mendimeve të Freud-it i pari që u është kundërvënë ka qenë Jung-u, i cili zanafillën e fesë e ka kërkuar në nënvetëdijen kolektive.13

Psikologjia, jetën fetare të një individi e pranon dhe e bën lëndë studimi, sikur që e studion vetëdijen ose nënvetëdijen e individit, po ashtu edhe sikur të gjitha sjelljet edhe fenë apo jetën fetare e studion në të njëjtën mënyrë.14

Si për fillim, meqë feja ka ardhur bashkë me njeriun, atëherë çdo gjë fetare është psikologjike; mirëpo kjo assesi nuk jep të kuptojmë se feja rrjedh prej psikologjisë.

Feja si një sistem simbolik, nuk është e njëjtë me psikologjinë. Atëherë obligim i psikologjisë është që të studiojë çdo gjë psikologjike në fe, të krijojë mjete dhe metoda matëse, ndërsa për materialet që janë tubuar gjatë hulumtimeve, të ndërtojë një sistem teorik në lidhje me termat dhe si përfundim të jetë në gjendje që mundësisht dhe në bazë të së perceptuarës të shprehë dhe të marrë vendime.15

Sado që feja është një e vërtetë objektive, ajo po ashtu është edhe një e vërtetë psikologjike. Sikur që zë vendin më të rëndësishëm në sistemin e vlerave të përgjithshme, në të njëjtën kohë për shpirtin e njeriut është dhe paraqet një fuqi superiore. Feja drejtpërsëdrejti mbështetet në gjërat e përjetuara dhe përvojat individuale.16

Në këtë kontekst feja është një asociacion që përcakton dhe nga i cili ndikohen qëndrimet dhe sjelljet njerëzore, marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe jeta individuale dhe shoqërore.17

Po qe se fenë dhe jetën fetare e marrim si një të vërtetë sociale dhe psikologjike, atëherë jemi të detyruar që brenda psikologjisë sociale dhe psikologjisë së fesë ta cekim rëndësinë e jetës fetare në jetën shoqërore dhe në marrëdhëniet ndërnjerëzore.

Meqë feja është një e vërtetë brenda kulturës, atëherë medoemos që individët dhe grupet shoqërore duke e pasur ndikimin fetar, atë e shprehin në veprat dhe sjelljet e tyre.18 Feja si e tillë, me ndikimin e saj në jetën shpirtërore dhe morale të individit apo shoqërisë, në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe në disa ligje me të cilat e rregullon shoqërinë, i mundëson njerëzimit dhe shoqërive të ndryshme në botë një jetë të lumtur dhe të qetë.19

Ai që funksionin social të fesë e vë në shprehje më së tepërmi është Durkheim-i, i cili fenë e përkufizon në këtë mënyrë: “… është sistem i përbashkët i plotësuar me gjëra të shenjta, ose thënë thjesht, me gjëra të ndaluara dhe të lejuara. Ky sistem përbëhet prej besimeve dhe disa praktikave të cilat i vë në shprehje popullata”.20 Vetëm se këto praktika fetare nuk janë të veçanta vetëm për fenë, por si të tilla edhe respektimi dhe përshtatja e ligjeve të një individi bien në këtë grup. Sipas Durkheim-it burimi i fesë janë faktet psiko-sociale.21

Në përkufizimin që e bën T. Parsons-i, thekson se: “Feja është një botëkuptim dhe proces i zhvilluar mbi gjithësinë, pozitën e njeriut në gjithësi, marrëdhëniet e individit me të tjerët, me rrethin dhe shoqërinë; mbi gjëra të dëshiruara apo jo, mbi atë që ekziston ose nuk ekziston, e kështu me radhë”.22

Si përfundim mund të themi se feja, me atë formë me të cilën e ekspozon veten brenda jetës kulturore paraqet një sistem simbolik,23 një institucion (asociacion) social dhe është e përbërë nga jeta subjektive. Atëherë, me të studiuarit e fenomenit fe nga jashtë në jetën sociale dhe kulturore të njeriut, edhe përbrenda me të studiuarit e fushës psikologjike mund të arrihet në të dhëna më frytdhënëse.24

Në qoftë se i afrohemi temës sonë, atëherë do të shohim se të marrët me të studiuarit më tepër të anës përjetuese dhe përvojës së fesë është më rezultuese, sepse përbërja shpirtërore e individit, bota e brendshme e tij, të ngjallurit e ndjenjave dhe mendimeve fetare dhe nga këto të ardhurit e gjithë veprimtarisë së tij fetare, janë pjesët përbërëse të jetës fetare në përgjithësi.25

Të studiuarit dhe të sqaruarit e besimit si një fakt shpirtëror (psikik), vatërzimi i adhurimeve (lutjeve) që janë vepër e vullnetit dhe dëshirës, qëndrimeve fetare me ndikimin e tyre në jetën fetare dhe shoqërore, me metoda psikologjike sado që janë temë e Psikologjisë së Fesë, po aq janë lëndë e studimit të Psikologjisë Sociale.

Studimi i jetës fetare, besimit, ibadeteve (lutjeve) dhe ndikimit fetar duke e lënë mënjanë aspektin individual, aspekti social i këtyre dukurive hyn në fushën e studimeve shoqërore-psikologjike.26 Për këtë arsye, në studimin tonë jeta fetare (fetarësia) me të gjitha aspektet është menduar si “një synim qëndrimi” dhe është studiuar me metoda të psikologjisë sociale, që do të thotë se mundësia e studimit të jetës fetare me këto metoda, na i bën me dije gjërat e përbashkëta dhe lidhjet që ekzistojnë ndërmjet psikologjisë së fesë dhe asaj sociale.

Në nëntitullin që vijon, do të përpiqemi që në mënyrë sa më të thuktë t’i paraqesim çështjet e studimit të këtyre dy drejtimeve të psikologjisë.

2. Psikologjia e Fesë dhe Psikologjia Sociale

Të gjitha përkufizimet dhe sqarimet e dhëna kanë pasur për qëllim që të tregojnë lidhshmërinë ndërmjet fesë dhe psikologjisë, e kjo na bën të kuptojmë se lidhshmëria e tillë më së shumti i intereson shkencës së psikologjisë së fesë. Për këtë arsye ne këtu duhet që lëndë studimi t’i bëjmë njohuritë që janë në lidhje me të.

Psikologjia e fesë studion ndjenjat dhe mendimet fetare të individit që janë cilësi të veçanta të tij, veçoritë fetare të njeriut në shpirt dhe ndikimet që i ka feja në sjelljet e tij si individ.

Po qe se vërejmë nga ky kënd i psikologjisë së fesë, do të vërtetohemi se psikologjia e fesë nuk është perspektivë tjetër nga psikologjia e përgjithshme. Si degë e psikologjisë së përgjithshme dhe e cila lëndë të studimit të vet ka ndjenjat dhe zhvillimin e mendimit fetar të individit, veten e gjen brenda kufijve të teologjisë dhe psikologjisë.

Lëndë studimi e kësaj disipline është jeta fetare e individit; ndërsa qëllimi i saj është që në aspekte psikologjike të studiojë mendimin, ndjenjat dhe sjelljet fetare të tij.27

Në shkallë të parë temë e studimit të psikologjisë së fesë është kuptimi dhe strukturimi (përbërja) i psikikës (shpirtësisë) së jetës fetare. Temë e studimit të psikologjisë së fesë është të vërejë jetësimin e fesë në shpirtin (psikikën) e individit, studimi dhe hulumtimi i dukurive subjektive që paraqiten në jetën e tij.28

Psikologjia e fesë si shkencë njerëzore që studion ngjarjet (fenomenet) fetare, temë të studimit të vet bën çdo përjetim shpirtëror të njeriut dhe sjelljet e tij të cilat në vete ngërthejnë karakteristika fetare.29 Në bazë të kësaj mund të thuhet se tendenca dhe zgjuarsia fetare, dëshirat dhe interesi fetar, ndjenjat dhe përjetimet fetare, qëndrimet dhe besimi fetar, lutja dhe adhurimet, pendimi dhe udhëzimi janë temat pikë nise të psikologjisë së fesë.30

Nga të gjitha këto përkufizime dhe sqarime, temat që i merr si çështje studimi, mund të radhiten në këtë mënyrë: Si formohet dhe zhvillohet besimi në Zotin dhe besimi në fe? Çfarë mendimesh kanë njerëzit rreth fesë dhe temave fetare? Çfarë janë konceptet (botëkuptimet) për fenë te njerëzit? Cilat janë ato ndjenja që e ushqejnë jetën fetare të njeriut dhe në çfarë shkalle është ndikimi i tyre? Në çfarë veprash dhe sjelljesh fetare gjenden njerëzit dhe si ndikojnë këto sjellje në jetën e brendshme të njeriut?31

Psikologjia e fesë është shkencë që studion përjetimet dhe sjelljet fetare dhe faktorët të cilët ndikojnë në daljen në shesh të këtyre dukurive. Qëllimi i saj si shkencë është që duke u thelluar në hollësitë e veprave fetare, të japë njohuri sa më objektive brenda kornizave të objektivitetit dhe kritereve shkencore si dhe të mundohet që ta përshkruajë ndikimin fetar dhe dimensionet e ndikimit në jetën e njeriut.32

Nga detyrat parësore të psikologjisë së fesë janë fushat në të cilat depërtojnë sjelljet fetare, format, kombinimet, të bëjë observimin dhe me metoda përshkruese ta nxjerrë në shesh zhvillimin e tyre. Një nga synimet kryesore të psikologjisë së fesë nga njëri aspekt është pjesëmarrja dhe përjetimi fetar, i cili detyrimisht ndonjëherë është rezultat i një vetëdijeje të shëndoshë ose disa qëllime të fshehura dhe nxjerrja e këtyre kuptimeve në shesh, ndërsa nga ana tjetër, vënia në pah e mënyrës së organizimit dhe përbërjes individuale të fesë, mënyra si formohet dhe qëllimi i saj.33

Qëllimi i psikologjisë së fesë duhet të jetë vetëm përfitimi i të vërtetave shkencore dhe qëndrimi objektiv ndaj çdo aktiviteti fetar. Nuk duhet të marrë përsipër mbrojtjen, kritikën ose shkatërrimin e asnjë feje, por duhet të bëjë vetëm studimin e gjërave ashtu siç janë.

Psikologjia e fesë si nëndegë e psikologjisë së përgjithshme nuk lidhet për degët dhe drejtimet e psikologjisë dhe nuk u vihet në shërbim atyre, por me sy të një paanshmërie mundohet që t’i studiojë ngjarjet. Ka për qëllim që në saje të të dhënave të cilat i ka arritur në studimin e vet të bëjë gjeneralizimin (përgjithësimin) e tyre si dhe sistematizimin e parimeve që i ka arritur pas hulumtimit të bërë.34

Një qëllim tjetër i psikologjisë së fesë është ta sqarojë formulimin e besimit, mendimit fetar, ndjenjave fetare, qëndrimit fetar dhe sjelljet fetare në njeriun, ndaj kësaj të sqarojë zhvillimin dhe ndryshimin e tyre dhe t’i gjejë dallimet dhe ngjashmëritë ndërmjet njerëzve në çështjet fetare.35

Meqë bëmë disa sqarime dhe dhamë disa përkufizime në lidhje me shkencën e psikologjisë së fesë, tash do të mundohemi të japim disa njohuri në lidhje me psikologjinë sociale.

3. Psikologjia Sociale dhe tema e saj

Fjala e parë e togfjalëshit Psikologji Sociale ka kuptimet e veta të cilat do të ceken pak më poshtë. Ndërsa sa i përket fjalës së dytë e që është “Sociale” ka kuptimin e proceseve sociale dhe sjelljeve ndërnjerëzore. Termi psikologji përbëhet prej fjalëve “psiko”-shpirt dhe “logos”-shkencë (njohuri). Nëse vijmë në përfundimin se psikologjia është shkencë që studion shpirtin, duhet të kemi parasysh se ajo merret me shpirtin. Këtu do ta përmendim Zimbardo-n (1979), i cili psikologjinë e përkufizon në katër shkallë të ndryshme:

Në aspekt të shkallës shkencore: Hulumtimi i sjelljeve të ndryshme të njeriut dhe llojeve të gjalla dhe shkaqet e tyre duke i përdorë vëzhgimin e kujdesshëm dhe provat e sakta si metoda studimi.

Në shkallë të kuriozitetit (courios): Psikologjia në vete përmban pyetjet me të cilat mundohet të arrijë deri te e vërteta, të kuptuarit e mënyrës dhe shkakut të ngjarjeve (dukurive) dhe në fund, zbërthimi i fshehtësive të natyrës njerëzore.

Nga aspekti i shkallës së gjithanshme është: Një mënyrë e të menduarit se si gjallesat ia dalin në fund me rrethin e tyre dhe mënyrën se si ndikohen në mes vete.

Ndërsa në aspekt të shkallës pragmatike: Njihet si mjet i cili përdoret për zhvillimin e cilësisë (karakteristikave) të jetës njerëzore.36

Tani kur i kthehemi përkufizimit të psikologjisë sociale, vërejmë para nesh një tablo të shumëngjyrshme. Për këtë arsye ne do t’u qasemi çështjeve që psikologjia e fesë i merr për lëndë studimi-hulumtimi.

“Psikologjia sociale është shkencë e cila me metoda shkencore hulumton (studion) jetën dhe përvojat (përjetimet) e individit në lidhje me rrethin e stimuluesve (paralajmëruesve) socialë”. Këto gjendje stimuluese sociale përbëhen ose formulohen prej njerëzve (individëve dhe grupeve) të rrethit kulturor-social.37

Me një përkufizim tjetër do të kishim thënë se psikologjia sociale nënkupton studimin në mënyrë shkencore të sjelljes ndërnjerëzore (interpersonal behavior) dhe ngjarjeve apo dukurive.38 Me fjalë të tjera “Psikologjia sociale është degë shkencore që ka për qëllim të studiojë sjelljen, ndjenjën ose mendimet e një individi me sjelljen apo vetitë e individëve të tjerë si formohen dhe në çfarë aspekti ndikohet prej tyre”.39

Qëllimi fundor i psikologjisë sociale është që të gjejë ligje përkatëse për zhvillimin, ndryshimin dhe natyrën e vërtetë të ngjarjeve të sjelljes ndërnjerëzore. Nga ky aspekt kuptojmë se ajo hulumton (analizon thellë) ndikimin social ndërmjet njerëzve dhe individit në grup, turmë, në marrëdhëniet formale ose të afërta. Ky lloj hulumtimi mund të realizohet në tri shkallë themelore edhe atë: shkallën e sjelljes, njohjes (informuese) dhe ndjenjës. Në shkallën e sjelljes kërkohet një lidhje midis llojit të sjelljes, frekuencës dhe fuqisë me veçoritë e marrëdhënieve ndërnjerëzore. Në shkallën e njohjes gjurmohen përkapjet e personit, periudhat mendore dhe veçoritë e qëndrimit dhe pritjeve (shpresave). Ndërsa, shkallën e tretë e përbëjnë gjurmimi i ndjenjave, emocioneve (ngacmimeve) në marrëdhëniet midis njerëzve.40

Psikologjia sociale si një disiplinë e fokusuar mbi marrëdhëniet njerëzore, me këtë cilësi është në rrugë për t’u bërë njëra ndër degët shkencore parësore të shoqërive moderne. Ajo është një mes, disiplinë e fushëveprimit e cila në vete ngërthen rrymat sociologjike dhe psikologjike. Psikologjia sociale studion sjelljen e individit apo individëve brenda kornizave të ndikimit social. Analiza psiko-sociale dallon nga analiza sociale e cila aspak nuk i vë në konsideratë veçoritë njerëzore ose nga ajo

psikologjike, e cila nuk i vë në konsideratë veçoritë e shoqërisë në të cilën gjendet individi, në atë mënyrë që veten e drejton në studimin e ndikimit të shkallës personale me atë shoqërore d.m.th. i bashkon veçoritë e individit me ato të shoqërisë. Duke e bërë këtë, në shkallë të analizës psiko-sociale qëndrohet në marrëdhëniet kauzale mes, në raste të shumta, ndryshimit të pavarur të dukurisë sociale, ndryshimit personal dhe një ndryshimi të varur i cili shtrihet në dimensionin sjellor-social.41

Nga e gjithë ajo që u cek deri më tani në lidhje me fushëstudimin e psikologjisë sociale, mund të thuhet se psikologjia sociale përkufizohet si degë shkencore që i studion sjelljet dhe marrëdhëniet e njeriut brenda shoqërisë. Këtu duhet cekur edhe atë se brenda sjelljeve dhe marrëdhënieve, mund të futen edhe simbolet apo përvojat fetare që i përjetojnë individi ose shoqëria. Prej këtu na bëhet me dije edhe lidhja e ngushtë ndërmjet psikologjisë së fesë dhe psikologjisë sociale. Në këtë punim do të hulumtohen marrëdhëniet ndërmjet identitetit social dhe jetës fetare brenda perspektivave të psikologjisë sociale dhe psikologjisë së fesë.

4. Disa pikëpamje në lidhje me jetën fetare

Feja si dukuri e cila lidhshmërinë e saj e mban me atë që është mbinatyrore, si pikësynim të vetin ka që t’i afrojë dhe bashkojë të gjitha aspektet e jetës dhe botës. Ky bashkim nuk mbështetet vetëm në rregullimin e disa termave por përkundrazi, ajo është një lidhshmëri dhe një tërësi e gjallë. Njeriu fetar në lidhshmëri apo marrëdhënie të këtilla, merr pjesë me të gjitha përmasat e personalitetit të vet. Pikërisht këtu duhet cekur se jeta fetare është ajo e cila në vete i ngërthen të gjitha dimensionet e jetës së njeriut.42

Jeta fetare si një ndër temat më tërësore të psikologjisë së fesë, në vete i përmbledh të gjitha ato dukuri dhe përvoja që i ngërthejnë të gjitha aspektet e jetës së njeriut.

Jeta fetare nga një pikëpamje mund të përkufizohet si tërësi ndjenjash, mendimesh dhe sjelljesh që janë të lidhura me diçka të pafund e të mbirealtë. Duhet cekur se: “Në përjetimet psikike që kalojnë në jetësimin fetar marrin pjesë ndjenjat, mendimet, gjendjet dhe të gjitha qëndrimet fetare”.43

Jeta fetare, është ajo e cila në individ apo në shoqëri na bie në sy si një tërësi e disa lëvizjeve. Ajo përbëhet prej dy komponentëve: asaj që ka të bëjë me besimin dhe asaj që ka të bëjë me sjelljet (adhurimet). Në këtë kontekst besimi dhe adhurimet janë thelbi i jetës fetare dhe këta dy komponentë janë në lidhshmëri të ngushtë dhe të fortë midis vete. Besimi si pjesë përbërëse e jetës fetare në aspektin shpirtëror, është ngjarje psikologjike. Meqenëse adhurimet janë rezultat apo sjellje të cilave përjetësimi u vjen nga rrënja e besimit (imanit), edhe ato i kanë themelet e tyre psikologjike. Thelbi i jetës fetare është besimi. Vetëm në atë vend ku shihet besimi, adhurimi gjen jetë.44

Besimi është një përjetim psikik dhe si i tillë përbën anën subjektive të fesë. Ai nuk është vetëm një besim i zakonshëm. Aty vërehet një lidhje e fortë e vullnetit për një fuqi absolute, ku individi gjen të vërtetën dhe rehatinë e kënaqësinë shpirtërore. Me këtë besim njeriu vjen deri te ndjenjat me të cilat arrin ta kuptojë rehatinë e brendshme të tij. Njeriu që beson është i lumtur, është ai i cili ballafaqimin e tij me ngjarjet e përditshme e bën me pjekuri dhe mbështetje të vërtetë në Zotin. Adhurimet janë sjellje ose vepra të cilat mbështetjen e tyre e gjejnë në burimet fetare (shpalljet) dhe si traditë fetare e cila me format dhe mënyrën e saj bën lartmadhërimin e Zotit. Po sikur besimi, i cili e ndriçon jetën e një fetari dhe ushqimin e fuqinë i merr nga ibadeti, po ashtu edhe adhurimi është një nevojë shpirtërore. Me adhurimin kemi për qëllim të përmendurit e Zotit, eliminimin e qëndrimeve shtazarake, dashurinë ndaj njerëzve të tjerë dhe mëshirën ndaj tyre.45

5. Dimensionet e fesë

Hulumtuesit të cilët mendojnë se për ta studiuar fenë e individit apo të ndonjë grupi nuk mjaftojnë vetëm besimet dhe shpeshësia e adhurimeve, bëjnë përpjekje me të cilat fenë e studiojnë brenda shumë dimensioneve të llojllojshme. Në veçanti kjo metodë më së shumti është e përvetësuar nga sociologë dhe psikologë që merren me çështjet e besimit dhe fesë. Qëllimi fundor i tyre është që duke e studiuar fetarësinë nga aspekte dhe dimensione të llojllojshme dhe duke ofruar komente dhe tipologji, në mënyrë sa më të efektshme ta kuptojnë jetën fetare.

Meqenëse studimi ka të bëjë me temën të cilën ne e trajtojmë, këtu do ta cekim punimin të cilin së bashku e ka realizuar Glock dhe Stark-u, të cilët për klasifikimin kryesor të dimensioneve fetare, si bazë i kanë marrë pesë dimensionet e saj për të cilat edhe ne këtu në mënyrë të shkurtër do të mundohemi të japim disa sqarime.

Sipas mendimit të këtyre dijetarëve, dimensionet e fesë janë këto:

.. Dimensioni ideologjik

Ky është një dimension që ka të bëjë me anën teorike të besimit i cili mbështetet në themelet e besimit fetar. Ky lloj i lidhshmërisë fuqinë e vet e gjen dhe shpreh në të besuarit. Njeriu fetar, ka bindje të caktuara të cilat këtë individ e lidhin me Krijuesin dhe e fusin në marrëdhënie me të.46 Këtë dimension e përbëjnë mendime të cilat njeriun e lidhin me një botë jashtë qenies dhe fuqisë së tij47 ose, thënë më ndryshe me botën tjetër apo me qenie mbi botën.48

b. Dimensioni i adhurimeve (riteve fetare)

Ky është dimension që në vete ngërthen aprovimet (aplikimet) fetare dhe si i tillë i përmbledh adhurimet sikur që janë lutja, namazi, haxhxhi (pelegrinazhi), ritet, sakrifica (kurbani), të cilët janë shprehje e përjetësimit fetar. Këto janë disa fjalë ose lëvizje të cilat shprehin lidhshmërinë dhe robërimin ndaj Zotit ose janë sjellje fetare që kanë për qëllim afrimin me Të. Kur jemi te ky dimension H. Peker thekson qartë se te adhurimet roli i vullnetit është shumë i rëndësishëm.49 Sa u përket shkaqeve që janë të lidhura me adhurimet, në përgjithësi aty shprehet falënderimi ndaj Zotit dhe

mirënjohja ndaj begative të dhëna.50 Thënë shkurt, ato janë disa lëvizje që i mbajnë të gjalla marrëdhëniet apo lidhshmërinë tonë me Zotin.51

c. Dimensioni i përvojës

Në këtë dimension bëjnë pjesë intuita, ndjenjat (emocionet), ndjeshmëritë dhe tërësia e përkapjeve që zënë vendin më të rëndësishëm në jetën fetare të njeriut dhe të cilat e mbajnë ndikimin e Qenies Hyjnore dhe nëpërmjet tyre e informojnë besimtarin në lidhje me to.52 Elementet më të rëndësishme të këtij dimensioni janë ndjenjat, sikur frika fetare, dashuria, habia, lidhja e ngushtë, qëndrueshmëria, siguria-besimi, strehimi, dorëzimi, shpresa, durimi, mirënjohja, nderi, lartmadhërimi, pikëllimi e të tjera.53 Në ndjenjën fetare frika dhe dashuria janë pranë njëra tjetrës. Schleiermacher pohon se ndjenjën fetare e formon “lidhshmëria absolute”.54

Ndërkaq Paviqeviqi

drejtimin e ndjenjave fetare kah “qenia e botës tjetër” nga aspekti psikologjik e konsideron më se normal. Sipas tij, të kesh aspirata ndaj asaj nuk pengon asgjë.55

ç. Dimensioni intelektual

Në bazë të mendimeve të një grupi të konsiderueshëm autorësh, ky dimension konsiderohet pjesa më kryesore e fetarësisë. Këtu ka për qëllim personin i cili sadopak ndjehet fetar në lidhje me temat fetare dhe burimet e tyre, dhe që ka njohuri për këto çështje. Gazaliu paraqet mendimin se “hulumtimi i disa argumenteve në lidhje me besimet fetare dhe në suaza të intelektit të shëndoshë, krijimi i një bindjeje të sinqertë mbi gjithësinë, realizojnë dimensionin intelektual të fesë”.56

d. Dimensioni i ndikimit

Në këtë dimension hyjnë të gjitha tekstet fetare që i udhëzojnë njerëzit për veprat që duhet bërë, e në të njëjtën kohë me ndikimin fetar përcaktojnë llojin e botëkuptueshmërisë te njerëzit. Dimensioni i ndikimit si i tillë, mund të thuhet se më së shumti ka të bëjë me relacionin njeri-njeri se sa me atë njeri-Zot.57 Feja është faktor i tillë që ka fuqinë të ndikojë në rregullimin e jetës së njeriut, në planifikimet e tij të ardhmërisë, në marrëdhëniet që i ka me të tjerët, thënë shkurt, në të gjitha poret e jetës së tij.

Duhet cekur atë se krahas atyre pesë dimensioneve të fesë të cilat ne këtu në mënyrë të shkurtër u munduam t’i sqarojmë, sipas psikologëve dhe sociologëve të fesë ose sipas atyre që merren me studimin e çështjeve fetare, ekzistojnë edhe dimensione të tjera të fesë. Njëri ndër ta është G. Allporti. Ai paraqet dy lloje të ndryshme të fetarësisë: edhe atë me burim të jashtëm (extrinseque) dhe fe me burim të brendshëm (intrenseque).

Në modelin e fesë me burim të jashtëm, feja nuk është faktori përcaktues i gjithë veprimtarisë, mirëpo ajo është mjet që përdoret nga disa për t’i arritur qëllimet e tyre personale dhe poseduesit e kësaj prirjeje fenë e përdorin me qëllim të realizimit të idealeve dhe planeve të tyre jetësore. Ndërsa sa i përket atij me burim të brendshëm, ose poseduesit të një prirjeje të lindur nga brenda, në fe i gjen motivimet kryesore të jetës së tij, dhe të gjitha nevojat tjera të kësaj jete i vë në konsiderim të rendit të dytë.

Tipat e këtillë planifikimet e tyre mundohen t’i bazojnë në burimet fetare dhe çdo gjë e sjellin në pajtim me burimet fetare.58 Po qe se nga aspekti Islam bëjmë një vlerësim rreth këtyre çështjeve, mund të themi se ky model në plan të parë e nxjerr dimensionin e tasavvufit (pra atë mistik).

Një pikëpamje e ndryshme e dimensioneve fetare është e paraparë nga ana e Pantiqit, i cili në hulumtimin e tij, sjelljet e njerëzve ndaj institucioneve fetare i konsideron si një dimension fetar të veçantë nga të tjerët. Qëllimi i autorit këtu nuk është vetëm forma e organizimit ose përbërjes së institucioneve fetare, por në rend të parë vijnë veçoritë në lidhje me qëndrimet e njerëzve fetarë ndaj xhamisë apo kishës.59

Ekzistojnë edhe njerëz të tillë të cilët pohojnë se simbolet luajnë rol të rëndësishëm në fe dhe këto simbole i konsiderojnë si dimension i veçantë i fesë. Pohimet e tyre i bazojnë duke thënë se nën simbolet ekzistojnë disa shenja nëpërmjet të cilave disa njerëz arrijnë të thellohen në mendime abstrakte, ndjenja të ndryshme ose udhëzohen në disa ide të cilat jashtë këtyre simboleve nuk mund t’i realizojnë. Këto simbole mund të jenë fetare ose jashtë kontekstit të fesë. Sa për ilustrim pohojnë se kisha është ajo që të përkujton “shtëpinë e Zotit”, ose një simbol jofetar sikur gjarpri i cili është një simbol i përhershmërisë.60

Sa u përket atyre të cilët organizimet fetare i konsiderojnë pjesë përbërëse dhe tejet të rëndësishme të fesë, ata pohojnë se, pjesëtarët të cilët i përkasin një feje të përbashkët për t’i mbrojtur botëkuptimet e tyre fetare dhe për t’i mëkëmbur ato duke u drejtuar kah disa rrugë të organizimeve, kanë nxjerrë në shesh disa organizata të këtilla. Këto organizata fetare me vetëkontributin e prijësve fetarë dhe me idenë e përhapjes së mendimeve të veta, arrijnë deri te realizimi i qëllimeve të tyre. Format themelore të këtij lloj organizimi janë grupëzimet: medhhebet (sektet), tarikatet e kështu me radhë.61

Është temë e cila është bërë diskutim i rëndësishëm mes psikologjisë së fesë dhe sociologjisë së fesë, rreth asaj se brenda kornizave të hulumtimeve empirike të jetës fetare (fetarësisë), çështja e indikacioneve (tabelave) që përdoren gjatë studimeve të ndryshme. Këto lloje tipologjish në ditët e sotme si tema të dimensioneve të fetarësisë, dalin nga vetë fakti se brenda një shoqërie vijnë në pyetje mënyra e matjes, vërtetimit dhe ardhjes në përfundim të shkallës së fetarësisë së njeriut, llojet e sferave të jetës së njeriut që janë nën ndikimin fetar dhe në çfarë shkalle është ndikimi i fesë tek njerëzit.62

6. Studimet empirike të realizuara mbi fetarësinë

Punimet empirike të realizuara mbi fetarësinë datojnë që prej pas Luftës së Parë Botërore në Amerikë, të realizuara nga ana e një grupi sociologësh dhe psikologësh.

Numri i punimeve të këtilla në veçanti shtohet mes viteve 1954-1965. Tërheq vëmendjen fakti se brenda këtyre viteve nga ana e hulumtuesve është bërë zhvillimi i hulumtimeve të cilat matin dhe vërtetojnë shkallën e fetarësisë.63 Këto hulumtime studiuesve të jetës fetare u kanë mundësuar që nëpërmjet metodës eksperimentale shkencore të vijnë deri në përfundime sa më objektive.

Punimet empirike të realizuara në lidhje me jetën fetare (fetarësinë) në Jugosllavinë e vjetër janë bërë me metodën e anketimit. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre punimeve duke hulumtuar llojet e fetarësisë së njerëzve, në anën tjetër kanë tentuar që nëpërmjet këtyre punimeve t’i nxjerrin në shesh edhe llojet e ateizmit (mosnjohjes së Zotit). Një ndër ata të cilët përkrahin idenë se ateizmi është çështje të cilën duhet studiuar në fushën e psikologjisë së fesë është edhe Antoine Vergote.64

Sa për ilustrim do të sjellim disa shembuj të punimeve të këtyre trojeve në lidhje me fetarësinë apo jetën fetare. Punimi “Socijalisticko Društvo i Religija” (Feja dhe shoqëria socialiste) i autorit Esad Cimic, i cili në një perspektivë sociologjike i ka studiuar rrethanat në lidhje me jetën fetare dhe ateizmin në Bosnjë e Hercegovinë, ka arritur të bëjë klasifikime të fetarësisë dhe jofetarësisë. Ai ka ardhur në përfundimin se popujt që jetojnë në këto troje shumica prej tyre janë grup i “besimtarëve tradicionalë”, një pakicë e “besimtarëve të papërcaktuar” dhe në aspekt të përqindjes grupi më i vogël janë grupi i “besimtarëve të vetëdijesuar (racionalistë)”. Grupin e ateistëve shumicën e përbëjnë “ateistët me ndjenja”, ndërsa grupi i “ateistëve të vetëdijesuar (racionalistë)” ka qenë shumë i vogël.65

Hulumtimi i Pantic J. Dragomir me titullin “Klasicna i svetovna religioznost:

socijalno-psihološko istraživanje stanovnika Beogradskog regiona” (Fetarësia klasike dhe shekullare: Hulumtim psiko-social i banorëve të rrethit të Beogradit), krahas fetarëve tradicionalë (fetarësisë tradicionale), ka studiuar edhe anuesit ndaj shekullarizmit dhe ateizmit si dhe faktorët të cilët ndikojnë në qëndrimet e tyre.

Përfundimi në të cilin ka arritur ai tregon se tipologjitë janë këto: fetarësi e fuqishme (e fortë), fetarësi e mesme (këtu i përfshinë të papërcaktuarit në çështjet fetare si dhe ata që fare nuk interesohen për fenë) dhe fetarësi e dobët. Në të njëjtën mënyrë, në aspektin e animit jofetar ekziston një gjendje e njëjtë sikur te fetarësia.66

Në vitin 1972 në Maqedoni nga ana e Stefan M. Kostovskit është realizuar një punim i titulluar “Religijata kaj selskoto naselenie vo Dolni Polog” (Dukuria e fetarësisë te popullata e fshatrave të Pollogut të Poshtëm), i cili e ka hulumtuar fetarësinë në dimensione të ndryshme. Ndaj kësaj nëpërmjet anketimit ka arritur t’i formulojë dhe t’i nxjerrë llojet e fetarësisë. Temat që i ka bërë lëndë studimi kanë qenë: format e fetarësisë dhe shenjat e përhapjes (dimensioni adhurimor i fesë), përhapja e sistemit të besimit fetar (dimensioni i besimit), gjendja e shkallës së përhapjes së aktiviteteve fetare dhe mësimit fetar (dimensioni intelektual i fesë), ndikimi i fesë në marrëdhëniet ndërnjerëzore (dimensioni i ndikimit të fesë). Në veçanti është ndalur në dy llojet e fetarësisë: në lloj të bindur tradicional-fetar aktiv dhe lloj i fetarit skeptik – të pavendosur. Po ashtu ka theksuar se ky lloj klasifikimi haset edhe tek ateistët.67

Studimet dhe hulumtimet që u përmendën pak më lart, në përgjithësi si shembull kanë marrë dhe shfrytëzuar ndarjen e dimensioneve të fetarësisë të shkencëtarëve Glock dhe Stark.

Dr. Musa Musai

Read more: http://psikologjiaislame.webnode.com/news/psikologjia-e-religjionit/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit