-2.1 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Pse (s)tremb rikthimi i karantinës?

Më të lexuarat

Shtimi i rasteve të reja, dhe shifra me 44 persona pozitivë me koronavirus, më e lartë se në kohën e pandemisë, ka rikthyer tezën e mbylljes dhe izolimit. Edi Rama paralajmëroi të Enjten, se mund të detyrohemi të kthehemi pas. Kryeministri bën përgjegjës qytetarët, ndërkohë që QSUT është vatra më e madhe e shpërndarjes së virusit. Po sa gjasa ka të kthehet sërish kufizimi dhe bllokimi, që e ka hedhur ndërkohë Shqipërinë në gjunjë? MAPO analizon situatën, dhe sjell mendimin e mjekëve të njohur Gëzim Xhepa dhe Erion Dasho

Të enjten e 11 qershorit rastet e prekura me COVID-19 arritën shifrën më të lartë, që nga shfaqja e virusit në 9 marsin e këtij viti. 44 persona rezultuan pozitivë, pasojë e një trendi në rritje që nga fillimi i qershorit kur Shqipëria u hap plotësisht. Edi Rama lajmëroi konferencë për shtyp në orën 19 ndërsa numri i të shtruarve në spitale nuk është më shumë se 52 persona. Kryeministri, këtë herë nga zyra e tij, paralajmëroi se nëse vazhdohet me këto shifra “atëherë do i rikthehemi karantinës” .

Edhe pse pati thënë ditë më parë se ishte dalja e tij e fundit për COVID, kur shpalli heqjen e çdo kufizimi, edhe pse pati thënë se s’do ta dëgjoni më nga unë fjalën mbyllje, sërish kryeministri paralajmëroi kthim të masave.

Një deklaratë kjo e cila u shoqërua jo pa panik mes shqiptarëve, që nuk duan më t’i rikthehen papunësisë, mërzisë dhe varfërisë që ajo imponoi. Me një gjuhë joelegante Rama, vuri në dukje se “nëse nuk bëhemi njerëz të përgjegjshëm” atëherë, kamxhiku i karantinës është i afërt. Fajin për këtë sipas tij e kanë shqiptarët, që nuk respektojnë distancat, nuk veshin maskat e nuk lajnë duart, megjithëse vatra më e madhe e infeksionit janë shndërruar spitalet që ministrja e tij e Shëndetësisë ka në administrim. E megjithatë, në po atë ditë numri i lartë i infektimeve nuk e ndaloi të provokonte protestë në Velipojë, teksa dërgoi fadromat e IKMT të prishte dyqanet e njerëzve pa marrë miratimin e bashkisë Shkodër. Ashtu si nuk e ndaloi as të dielën e 17 majit, fundit të karantinës, që të shembte godinën e Teatrit Kombëtar. Shqetësimi i kryeministrit sado i sinqertë të jetë, nuk rakordon me atë çfarë ndodh në realitet.

Shumica e të infektuarve po trajtohen në shtëpi dhe nuk shfaqin simptoma të sëmundjes. Shqipëria që prej më shumë se 42 ditësh raporton vetëm tre viktima, dhe ato nuk kanë shkak kryesor virusin. Spitalet COVID, Infektivi, Shefqet Ndroqi dhe Kovaleshenca kanë inflacion shtretërish, ndërsa vetëm para pak ditësh u inaugurua dhe një tjetër spital COVID në anë të autostradës Tiranë–Durrës, që s’dihet se kur do e shohë pacientin e parë. Atëherë pse ky panik i kryeministrit, kur të gjitha shenjat tregojnë se sistemi ynë nuk bie në kolaps?

Kjo mbetet për t’u parë! Vetëm se ajo çka s’mund të fshihet më është fakti se një izolim tjetër qoftë dhe dyjavor do ishte shkatërrimi përfundimtar i kësaj ekonomie të lodhur që ka lënë pas pandemia dhe jo vetëm. Ideja e një rikthimi në izolim e artikuluar nga goja e Kryeministrit ka shkaktuar ankth dhe irritim tek e gjithë shoqëria, por në veçanti te bizneset të vogla a të mëdha qofshin. Shumë prej tyre sidomos ata që i kanë marrë me qira ambientet, kanë ulur qepenat për të mos i hapur më, të tjerët ende përpëliten nën kthetrat e falimentit. Një pjesë e madhe e tyre nuk morën jo vetëm fitimin e munguar por as pagën e “luftës” që pretendon kryeministri. As në paketën e parë, as në dytën ndërsa e treta u fshi nga agjenda qeveritare. Goditjen kryesore e pësoi shtresa e mesme dhe e varfër. Sot ende nuk ka një shifër të saktë se sa është numri i atyre që mbetën pa punë për shkak të pandemisë, por që nuk u rikthyen dhe kur vendi u hap. “Ekonomia ngrihet dhe ulet, por të vdekurit nuk ringjallen” është shprehja e gjetur prej Ramës, për të justifikuar hapjet dhe mbylljet me pretekst COVID-19. Kjo është e vërtetë deri diku, por ama për shtete të cilat kanë baza të shëndosha ekonomike. Shqipëria i ka shterur resurset e saj me PPP dhe keqmenaxhim, ashtu siç ka shterur tashmë dhe durimi i njerëzve nga lufta me “armikun e padukshëm”.

Xhepa: Rikthimi i karantinës, vetëvrasje shoqërore

Për mjekun Gëzim Xhepa rikthimi në karantinë do ishte vetëvrasje shoqërore, dhe jo vetëm për pasojat sociale dhe ekonomike, por dhe për vetë shëndetin e popullsisë. Sipas tij, rritja e rasteve pritej pas daljes nga izolimi, por fakti që shumica e tyre nuk shfaqin shenja të sëmundjes është pozitiv. Për pedagogun e anatomisë në Fakultetin e Mjekësisë, kjo është periudha ideale për të bërë ekspozimin e popullsisë para virusit, me qëllim që një valë tjetër ta gjejë shoqërinë të imunizuar. Sipas tij, doza e ekspozimit në verë është më e ulët dhe kjo mund të shërbejë si një vaksinë natyrale për popullatën. Xhepa thotë, se deklaratat dhe shifrat e përditshme jo vetëm po shkaktojnë stres te njerëzit, por po dëmtojnë rëndë dhe sistemin shëndetësor në përgjithësi. Janë me dhjetëra sëmundje të tjera që po mbeten jashtë kontrollit, qoftë për pasivitetin që ka mbërthyer QSUT-në qoftë për shkak të deklaratave që e paraqesin qendrën spitalore më të madhe në vend si një vend me rrezikshmëri të lartë infektimi.

-A pritej kjo rritje e rasteve pas daljes nga karantina, dhe a duhet të shqetësohemi?

Rritja e rasteve është e pranueshme pasi në ketë periudhë ne kemi dalë nga një izolim i tejzgjatur pa kontakte me virusin dhe është krejtësisht normale që do shihnim një trend të ri të rritjes së rasteve. Megjithatë nuk vërehet një rritje mbi përqindjet e zakonshme të prezencës së virusit në përhapjen e tij, pasi në gjurmim, në target pra në persona kontakti, dhe në hetim epidemiologjik faktikisht hasim vetëm 10 për qind të infektuar, dhe vetëm 1 për qind i rasteve të tamponuara shfaqin sëmundje. Pra, kjo rritje e numrit të rasteve jo vetëm është e pranueshme dhe normale në aspektin epidemiologjik por është edhe pozitive pasi stimulon popullatën në këtë periudhë drejt një imunizimi natyror karshi virusit. Dhe kjo është periudha më e përshtatshme për të bërë këtë imunizim, pasi mungesa e sëmundjeve dhe e viktimave në këtë periudhë, ndihmon në përfitimin e një imuniteti pa pasur viktima. Për sa i përket izolimit, ai asnjëherë nuk është mjet që shmang sëmundjet apo kontaktin me virusin. Duam apo s’duam me virusin do kontaktojë e gjithë popullata. Izolimi ndihmon vetëm në uljen e fluksit të sëmundshmërisë dhe në prevenimin e vdekjeve. Prandaj në situatën aktuale kemi të bëjmë me një rritje normale të numrit, dhe të infektuarve, me një rritje pas një mbylljeje tremujore por pa sëmundshmëri dhe vdekshmëri, pra që është në favor të imunizimit dhe s’ka pse të krijojë panik dhe ankth në popullatë. Por mënyra se si përcillet nga komunikatat e përditshme, nxit ankth, panik, stres që nuk është në favor të sëmundshmërisë.

-Kryeministri paralajmëroi se do kthejë karantinën në rast se vazhdon ky trend, a e justifikon shtimi i rasteve në spital një tjetër mbyllje?
Izolimi i tejzgjatur që u aplikua në Shqipëri, jo vetëm që nuk solli avantazh në drejtim të sëmundjes, por ekspozoi një popullatë të virgjër karshi virusit, në një kohë që mund të përfitohej në kohë për të zgjatur periudhën e ekspozimit karshi virusit. Kështu që një përsëritje e një izolimi do ishte hapi më fatal dhe më i gabueshëm që do thellonte kolapsin shëndetësor, social dhe ekonomik në Shqipëri, pasi aktualisht kemi një rritje të madhe të problemeve të tjera. Mjekësia nuk është vetëm kurbë epidemiologjike COVID 19. Janë me dhjetëra sëmundje që mbeten jashtë kontrollit, qoftë për pasivitetin që shfaq QSUT me rregullat tepër striktë duke qenë një zonë që trajton Covid19, qoftë dhe për shkak të terrorit dhe panikut që është shpërndarë në popullatë me anë të komunikatave, përditësimeve dhe rasteve të coronavirusit pozitiv që e konsiderojnë qendrën spitalore si një vend risku. Flitet në komunikata mjekësore për Covid asimptomatologjik, domethënë për Covid pa shenja. Por Covid 19 është sëmundje dhe ajo ka gjithnjë shenja, duhet folur për virus që është i paaftë për të krijuar sëmundje. Përdorimi i emrit të sëmundjes, kur në vend të ekzistencës së saj, flitet për raste asiptomatike është tepër shqetësuese për popullatën që dëgjon këto komunikata. Pra, COVID asiptomatik nuk ka, ka coronë pozitiv çka do të thotë se virusi ka rënë në kontakt me individin por nuk është e aftë të shkaktojë sëmundje apo të përhapet në popullatë. Ajo çka ai mund të bëjë është vetëm imunizimi i trupit ku ka hyrë. Pra, virusi është i pranishëm në popullatë, është i aftë të shkaktojë imunitet te njeriu por nuk është i aftë të shkaktojë sëmundje. Ne kemi avantazh stinën e verës. Sepse nuk është kontakti ynë me virusin që shkakton sëmundje, por është doza e virusit që marrim ne që shkakton sëmundje. Rrjedhimisht doza e virusit në stinën e verës duke qenë që flihet me dritare të hapura, jetojmë më shumë në mjedise të hapura, nuk kemi nevojë të mbyllemi nëpër shtëpi ia bën shumë të vështirë virusit të shkaktojë sëmundje. Dhe fakti është që të sëmurët janë shumë të pakët dhe janë kryesisht komplikacione të sëmundjeve të tjera.

-Rastet më të shumta janë shënuar në spitale, mendoni se kjo ka ardhur si neglizhim i protokolleve nga mjekët siç flitet?
Jo nuk mendoj ashtu. Spitalet janë vende grumbullimi për të sëmurët të cilët kanë ardhur pas një periudhe të madhe izolimi, dhe problem në spitale është ajri i kondicionuar dhe qëndrimi në mjedise të mbyllura, dhe shtimi i rasteve në spitale është i kuptueshëm. Që një virus, në një ambient të mbyllur nën efektin e ajrit të kondicionuar është i aftë të përhapet më shumë. Por gjithsesi në këtë periudhë edhe në rastet më të rënda nuk ka qenë i aftë të shfaqë sëmundje. Ajo që mbetet për t’u theksuar në këtë moment, qoftë për rastet që janë shfaqur në klinika të caktuara, qoftë dhe për ata që shtrohen në spital për kujdes hospitalier tek infektivi (covid 1), duhet të shfrytëzojnë stinën e verës. Pra duhet t’i largohemi ajrit të kondicionuar, dhe të aplikojmë dritaret e hapura pasi ajrimi ul dozën e infektimit të virusit. Prezenca e virusit në këtë moment ashtu siç është shtrirë në popullatë, dhe ne jemi të paaftë ta identifikojmë, ashtu është prezent në ambientet spitalore. Aktualisht duhet të ikim nga metoda e gabuar e thirrjes së numrit të urgjencës. Në këto momente situata duhet t’i lihet në dorë mjekut të familjes, qoftë dhe me anë të telefonatave. Të kontrollohet paraprakisht gjendja e tyre, se po vihet re që shumë raste paraqiten në spitale, vetëm kur temperatura ka avancuar prej shumë ditësh. Vetëm atëherë 127-ta arrin ta hapë sinjalin e alarmit për transferimin e tyre në spitale. Aktualisht mjeku i familjes duhet të jetë në lidhje me të gjithë të sëmurët që identifikohen si coronë pozitiv, që janë të detyruar që të trajtohen në shtëpi, ose të qëndrojnë të izoluar në shtëpi. Duhen ndjekur me kujdes shenjat e tyre që nëse avancojnë të kapet sa më shpejt sëmundja. Kemi shumë raste që paraqiten dhe pas dhjetë ditësh me temperaturë në gjendje të agravuar. Pra si zgjidhje e vetme mbetet vetëm 127-ta që ka krijuar jo pak probleme gjatë periudhës së izolimit. Për sa i përket çështjes së protokolleve, për parandalimin e përhapjes së virusit? Është tepër e vështirë në shkencë që të mendosh se mund të krijosh protokolle me forma të ndryshme të izolimit, si përdorimi i maskave dhe dorezave që pretendohen nga OBSH-ja apo organizata të tjera, apo dhe vetë protokollet që rekomandohen nga ne. Virusin duam apo s’duam ne do e kemi të pranishëm dhe në spitale dhe në qendra pune edhe kudo. Problem kyç në këtë periudhë është të ulim dozën e infektimit, dozën e ekspozimit karshi virusit. Nëse kjo dozë kalon një nivel të caktuar në mjedise të mbyllura mund të shkaktojë sëmundje. Në raste të tjera prania e virusit është pozitive. Pra nuk mund të flasim për protokolle në parandalimin e futjes së virusit në spitale. Këto janë thjesht masa parandaluese, por është tejet e vështirë të prevenohen. Të vetmit që mund të kontrollohen janë personeli që ndjek sëmundje të rrezikshme, jetësore siç janë repartet e urgjencës së onkologjisë, së kardiologjisë, reanimacioni qendror i sëmundjeve interne etj. Por është një kosto e rëndë të mbash nën kontroll të gjithë personelin, sepse do të thotë që të përsërisësh në mënyrë të herëpashershme tamponet. Pra nëse kjo kosto është e papërballueshme alternativë tjetër mbeten, që këto mjedise të hapen dhe ato mos jenë nën efektin e ajrit të kondicionuar. Pra gjithnjë të tentohet në uljen e dozës së ekspozimit për të prevenuar shfaqjen e sëmundshmërisë te të sëmurët dhe personeli. Deri më tani shihet se s’kemi dozë të lartë infektimi, sepse me gjithë ekspozimin nuk kemi arritur të evidentojmë agresivitet të sëmundjes.

-Si e shihni rolin e OBSH në menaxhimin e pandemisë? A mundet që në vitin 2020 të aplikohet sërish karantina?

OBSH-ja ka treguar që këtë herë nuk është drejtuar nga profesionistë por është drejtuar nga burokratë të cilët me vetë veprimet e tyre, duke kaluar nga izolimi kinez, në distancimin suedez, pastaj në masa shtrënguese të tjera tregon që s’ka një strategji dhe një plan të mirëpërcaktuar, apo nuk kanë një logjikë epidemiologjike të ndjekjes së rasteve. Duhet të kemi parasysh që ne si Shqipëri, deri në këto momente nuk kemi pasur nivel risku. Ne duhet të dimë nivelin e rrezikut, pra me sa të infektuar shfaqet niveli i rrezikut. Gjermania për shembull e ka 50 të infektuar për 100 mijë banorë në javë, të cilin me kalimin në stinën e verës për shkak të ajrosjes dhe rritjes së rrezeve ultraviolet, oksigjenimit etj., u kalua në 75 të sëmurë në javë për 100 mijë banorë. Ndërsa ne si Shqipëri akoma nuk kemi parametrat e nivelit të riskut. Ne nisemi thjesht nga një numër të infektuarish që janë në varësi të numrit të tamponeve dhe mjedisit ku bëhet investigimi, që është mjedis kontaminues, dhe sa më shumë njerëz të tamponosh do japë numër më të lartë infektimi, por asnjëherë nuk kemi thënë se sa është numri ynë i rrezikut që të na rikthejë në izolim. Rrjedhimisht tendencat për të çuar në izolim Tiranën, do ishte për shembull kur ajo të shfaqte mbi 375 të infektuar në javë, por edhe kjo nuk është ekzakte sepse ne ato i bëjmë në një target të caktuar dhe nuk kemi ekzaminime kontrolli në hapësirën e gjerë për të kontrolluar se sa është prezent virusi, në mjedisin ku jetojmë. Në këto kushte mund të themi që tendenca për të kaluar sërish në izolim kur kemi rritje rastesh infeksioni, por nuk kemi sëmundje është me plot gojën një vetëvrasje në të gjitha aspektet.

 

Jo më izolim, mund të përballojmë dhe 1000 raste në ditë

Nga Erion Dasho*

Pavarësisht nga ajo që po ndodh me COVID, një rimbyllje e shoqërisë është totalisht e papranueshme dhe nuk duhet të mendohet në asnjë mënyrë! Sistemi ynë shëndetësor është sot në një gjendje mizerabël dhe është në shumë aspekte i pabesueshëm, por ai mund të menaxhojë fare lehtë një sëmundje infektive.
Në pikën ku është katandisur, sistemi nuk trajton dot me efikasitet tumorin dhe nuk realizon dot transplantin, por mund të trajtojë COVID-in që, siç po provohet, është një sëmundje vetëm 2-3 herë më e rrezikshme se gripi! Nuk duhet harruar se është sistemi që zhduku malarien dhe sifilizin, përballoi kolerën dhe fruthin, të gjitha sëmundje infektive më të rrezikshme se COVID!

Mund t’i kuptoj anëtarët e Komitetit të ‘Ekspertëve’ që kanë frikë, pasi janë të vetëdijshëm ku është katandisur sistemi, por parandalimi i COVID sot nuk kërkon çudira, kërkon thjesht aftësi minimale organizative dhe ‘thërrime’ investimesh. Me 8.000 shtretër spitalorë dhe 200 shtretër reanimacioni, sistemi shëndetësor shqiptar mund të përballojë lehtësisht nga 500 deri 1.000 raste të reja COVID në ditë! Mos luani me shëndetin fizik, shëndetin mendor, ekonominë dhe jetën sociale të qytetarëve, por kujdesuni për: Të korrigjuar urgjentisht dështimin e madh: transmetimin e COVID në institucionet shëndetësore. Të mbrojtur tre kategori personash në risk ndaj COVID: të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe personelin mjekësor. Të rifituar besimin e publikut!

COVID nuk është luftë, është sëmundje! COVID nuk parandalohet dhe as kontrollohet me tanke dhe bunkerë, por me masa inteligjente dhe medikamente! Një maskë kur hyn në mjedise të mbyllura apo kur flet në distancë të afërt me dikë! Higjienë personale dhe sociale! Distancim fizik! Vetëm kaq duhet sot për të kontrolluar çdo situatë epidemiologjike lidhur me Covid! Prandaj, lërini shqiptarët të gëzojnë verën, të rifitojnë shëndetin e humbur nga tre muaj izolim absurd dhe të ringrejnë ekonominë e shkatërruar!

*Mjek infeksionist

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit