Shpejtim Morina
Pyetja që shpeshherë parashtrohet, sidomos këto ditët e fundit, pse një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në Kosovë kanë një konsideratë të veçantë ndaj presidentit turk Erdogan? Pse kjo simpati ndaj një lideri që nuk është shqiptar, a kanë bazë reale shqiptarët, që ta shfaqin aq hapur simpatinë e tyre ndaj tij?
Është fakt i pakontestueshëm se në Kosovë ka një klimë politike dhe institucionale diskriminuese që ushqehet në vazhdimësi në raport me besimtarët muslimanë. Diskriminimi vërehet në shumë segmente, kjo vërehet duke filluar që nga tekstet shkollore, mediat elektronike dhe në ato të shkruara, në institucione lokale dhe qendrore, në qëndrimet politike të liderëve politikë, në qarqet intelektuale dhe akademike, në shkolla dhe në universitete. Në shumë raste një qasje paragjykuese, diskriminuese dhe nënçmuese ndaj tyre. Largim të vajzave nxënëse me shami nga shkolla, diskriminim në punë, mosfutjen e mësim-besimit nëpër shkolla, fryma pro kristiane që mbizotëron tek elita politike dhe kulturore (tek një pjesë e madhe), dhe shumë gjëra të tjera. Kosova me kushtetutë është e definuar si shtet laik, por realisht është shtet pro krishter, duke bërë anime nga një komunitet i caktuar fetar dhe një lloj diferencimi ndaj shumicës muslimane, kjo rrjedhimisht shkakton irritim tek ta.
Në një situatë të tillë aspak favorizuese, por diskriminuese, një shumicë e madhe e besimtarëve e hedhin shikimin e tyre drejt një figure politike që i takon të njëjtës linjë kauze dhe interesi, dhe ai është presidenti Erdogan. Gradualisht ai po shikohet edhe si një lloj lideri politik që ngërthen në vete edhe segmentin shpirtëror (islam). Erdogani shpesh përdor frazën e tij politike “vëllezër” (për shkak të besimit) shqiptarëve në Kosovë, dhe kjo ndikon në aspektin psikologjik tek ta. Pastaj përkrahja ekonomike dhe financiare përmes realizimit të projekteve me karakter publik, fetar e kulturor, angazhimi për njohjen ndërkombëtare të Kosovës si shtet, këto e bëjnë edhe më të pranueshëm tek ta.
Muslimanët në rrafshin global, janë në një pozitë më inferiore dhe nënçmuese në raport me pjesën perëndimore-krishtere. Personi i cili ka bërë kthim të dinjitetit të muslimanëve (perceptim i shumë besimtarëve në Kosovë) është pikërisht presidenti Erdogan, të cilin e personifikojnë si një figurë politike e cila nuk njeh nënshtrim në rrafshin global.
Këto janë arsyet (sipas mendimit tim) se pse një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve në Kosovë e duan presidentin Erdogan.
Autori është prof. i historisë dhe jurist financiar.