9.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Pse shkurorëzimi është bërë dukuri?

Më të lexuarat

Dr. Shefqet Krasniqi

Fakti se Kosova nuk është duke degraduar vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në atë shoqëror, ndër të tjera, flet edhe fenomeni i shkurorëzimeve, i cili, nga viti në vit, sa vjen e bëhet më shqetësues.

Ditë më parë, mediet tona raportonin për shifra alarmante të shkurorëzimeve në vendin tonë. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, janë regjistruar mbi njëqind shkurorëzime, që përkthyer në gjuhën e realitetit tonë nënkupton se janë prishur dhe shkatërruar dyqind familje, ngase të dy familjet, edhe ajo e djalit edhe e vajzës, nuk mund të jenë të qeta e stabile në raste të tilla.

Është për keqardhje se si nuk i kushtojmë rëndësi edukimit të mirëfilltë shoqëror, kur sot, ekspertë të ndryshëm, rënien ekonomike, kolapset dhe falimentimet e shumë shteteve ia faturojnë pikërisht ngecjes së tyre në zhvillimin shoqëror. Ne shqiptarët nuk kemi pasur mundësi të mburremi para botës me diç më shumë se me nderin tonë familjar dhe shtimin e madh – natalitetin. Këto dy asete, siç duket, janë në shkatërrim e sipër. Një vëzhgim i vazhdueshëm i gjendjes sonë politike dhe shoqërore do të na sillte imazhet e një të fundosuri hap pas hapi.

Sot, nderi dhe morali janë dobësuar shumë, për të mos thënë kanë rënë krejtësisht. Sot prindi, e as bashkëshorti, nuk e ka dert se ku e ka të bijën, apo gruan e tij; kur del, me kë del, me kë shoqërohet dhe kur kthehet?! Jo vetëm kaq, por femra sot nxitet dhe stimulohet për zhveshje e lakuriqësi. Të gjitha këto, dhe të tjera, ndikojnë në tradhtinë bashkëshortore dhe në devijimin moral. Nuk ka dyshim se ndër shkaqet kryesore të shkurorëzimeve është tradhtia bashkëshortore.

Nëse duam të flasim për shkaqet e shkurorëzimeve, atëherë duhet të themi se shkaqet mund të jenë të përbashkëta mes burrit dhe gruas, dhe shkaqe me të cilat veçohet secili nga ta.

– Shkaqet e përbashkëta, ndër to janë:

1. Zgjedhja jo e mirë, qoftë nga ana e burrit, apo nga ana e gruas. Kjo për faktin se jo rrallë herë nuk zgjedhin, nuk vërtetohen e nuk sigurohen mirë për çiftin e jetës se çfarë cilësish e vetish ka, çfarë familje e rrethi janë, çfarë mentaliteti e edukimi kanë etj., por me një të shikuar, apo me një cilësi të tij, e që zakonisht bukuria është ajo që shikohet më së shumti, vendosin të martohen. E pas martese fillojnë të zbulojnë një oqean të metash, mospajtimesh dhe mospërputhshmërisë mes vete, me çka e bëjnë të pamundur vazhdimin e jetës së tyre bashkëshortore.

2. Ndërhyrja e familjes. Jo rrallë herë çifti bashkëshortor fillimisht nuk ka probleme mes vete, përderisa më vonë të fillojnë të tjerët të ndërhyjnë në jetët e tyre private, në veçanti nënat, qoftë e djalit apo qoftë e vajzës.

Por më e theksuar është ndërhyrja e nënës së vajzës në punët e vajzës dhe dhëndrit të tyre, ku mundohet t’ua imponojë dëshirat dhe mendimet e veta, ku ajo do që të komandojë, ku ankohet shumë se po i bëhet padrejtësi bijës së saj, se ajo nuk i ka kushtet sikurse motrat dhe shoqet e saj, se ajo dhe dhëndri duhet të ndahen prej prindërve të burrit.

Ose nëna e djalit i përzihet në çdo gjë resë së saj, dhe se ajo është personi që duhet të pyetet në çdo gjë, të vogël apo të madhe, çka i bie se djali nuk ka kurrfarë kompetencash e as autoriteti ndaj gruas së tij.

E kështu me radhë, gjë kjo e cila ndikon qoftë nga vajza, apo qoftë nga djali, të mendojnë edhe për shkurorëzim.

3. Devijimi i gruas, apo i burrit. Kjo zakonisht ndodh më shumë tek burrat, të cilët pas martese devijojnë, ndryshojnë shumë për së keqi duke u shoqëruar me shokë të këqij, duke u marrë me alkool, drogë dhe dukuri tjera negative, me çka edhe i bëhet e pamundur gruas të jetojë me një njeri të tillë. Ani pse ky devijim ka mundësi të ndodh edhe nga ana e gruas, në veçanti nëse ajo punon, por më rrallë sesa nga ana e burrit.

4. Shikimi i të tjerëve dhe më pas krahasimi me çiftin tjetër. Kjo më shumë ndodh tek gratë, të cilat i shikojnë punët e huaja më shumë sesa meshkujt, dhe ajo natyrisht sheh që ka ma mirë, se çiftet tjera kanë para më shumë, po shëtisin më shumë, po blejnë gjëra të reja më shumë, e kështu me radhë, ndërsa ne kemi mbetur shkret, nuk po përparojmë, e kështu me radhë, me çka lindin edhe mosmarrëveshjet, kacafytjet dhe vjen deri tek shkurorëzimi. Ani pse kjo dukuri mund të ndodhë edhe nga ana e burrit, i cili sheh shumëçka më mirë dhe nuk është i kënaqur shumë me gruan e tij, por kjo ndodh më rrallë sesa nga ana e gruas.

5. Dëgjimi i shpifjeve, thashethemeve, të cilat thuhen për njërin apo për tjetrin çift. Duke u besuar fjalëve të të tjerëve dhe shpifjeve për burrat e tyre, në veçanti kur është fjala për tradhti bashkëshortore.

6. Paragjykimet dhe mendimet e këqija për njëri tjetrin. Në vend se të mendojnë mirë njëri për tjetrin dhe të mos i lënë hapësirë shejtanit të mallkuar të fut përçarje e huti mes tyre, ata paragjykojnë e imagjinojnë gjëra të pavërteta fare. Gjëra këto, të cilat e shkatërrojnë shtëpinë.

7. Polemikat dhe kacafytjet e shumta. Shumë çifte nuk dinë as të debatojnë dhe të bisedojnë për ndonjë problem të lindur. Por menjëherë fillojnë e kacafytën mes vete, duke u justifikuar se nuk po mund të përballojë më, nuk po mund të durojë, e kështu me radhë. Kësisoj problemet e vogla vijnë duke u rritur e shtuar derisa secili mendon për ndarje dhe shkëputje të lidhjes martesore. E në realitet gjërat janë shumë të vogla e të imta. Por paaftësia e tyre për t’i perceptuar dhe për t’i mjekuar problemet ka bërë që ata të vijnë deri në këtë gjendje.

8. Paaftësia e perceptimit të martesës, apo të jetës bashkëshortore. Çka do të thotë se dikush, ani pse është pjekur fizikisht për martesë, ai nuk është pjekur fare psikikisht për ta kuptuar jetën bashkëshortore, përgjegjësitë që i ka secili bashkëshort ndaj tjetrit. Por, thjesht martesën e merr si një dëfrim fiziologjik dhe kaq, e më pas me momentin e shfaqjes së problemeve nuk është në gjendje fare t’i menaxhojë ato, apo të merret me to.

– Shkaqet nga ana e burrit, ndër to janë:

1. Mungesa e madhe dhe e gjatë e burrit nga shtëpia. Nuk i intereson fare çështja e gruas apo e fëmijëve, nuk dihet kur del e kur kthehet. Më shumë nuk është në shtëpi sesa që është.

2. Mosdhënia e hakut gruas dhe fëmijëve. Shumë burra, ani pse janë martuar dhe kanë krijuar familje, ata nuk çajnë kokën fare për ta, për çka jo rrallë herë gruaja detyrohet që të dalë vetë për të punuar, apo detyrohen vetë fëmijët e vegjël që të kujdesen për veten e tyre. Ku kjo përkujdesje i takon burrit, apo të zotit të shtëpisë, por fatkeqësisht “ai është haram”, siç thotë populli.

– Shkaqet nga ana e gruas, ndër to janë:

1. Kur gruaja përzihet në punët e burrit. Ajo mundohet që me çdo kusht të jetë komandant në atë shtëpi. Sipas saj, ajo duhet të pyetet edhe në raportet e burrit me prindërit dhe familjen e tij të ngushtë, se lëre më në çështjet e financave dhe punët tjera. Çka i bie se burri nuk ka kurrfarë kompetencash e as autoriteti në atë shtëpi. Për atë arsye gjejmë jo rrallë herë kur djali para se të martohet është shumë i mirë e i sjellshëm, por me martesë tek ai ndryshon çdo gjë, e pastaj populli thotë: “E ka bërë gruaja për vete. Apo ai nuk pyetet në atë shtëpi, por gruaja.” Allahu na ruajttë nga gratë e tilla.

2. Rebelimi i gruas dhe mosdëgjueshmëria e saj. Bën çka të dojë, vepron çka të dojë, del kur të dojë, kthehet kur të dojë, nuk pyet askënd për asgjë.

Në fund, themi se këto janë vetëm disa nga shkaqet, të cilat ndikojnë në njërën apo në formën tjetër që të vijë deri tek shkurorëzimi dhe të përhapet kjo dukuri me të madhe.

Pasojat pastaj janë aq të mëdha saqë jo rrallë herë edhe shkatërruese për njërin bashkëshort, e në veçanti për femrën. Për çka e humb besimin tek meshkujt, nuk ka vullnet më për martesë e as për të krijuar familje. Pason me shkaktim të stresit e të mërzisë së madhe, në veçanti nëse kanë pasur fëmijë, sepse me shkurorëzim po ndahet edhe nga fëmijët, e kjo për dikë është e papërballueshme.

Pastaj shkurorëzimi shkakton edhe përhapjen e imoralitetit dhe të prostitucionit, bile edhe të trafikimit me qenie njerëzore. Fëmijët e kanë më së vështiri, shumë nga ta kalojnë edhe në depresion, e më pas edhe devijojnë rrugën duke u munduar “ta inkurajojnë dhe shtendosin veten” me konsumimin e alkoolit, drogës, e kështu me radhë.

Natyrisht se për këtë temë kam shumë për të folur, dhe ia vlen të flitet e të shkruhet shumë, por kësaj radhe mjaftohemi me kaq dhe deri në javën e ardhme, selam alejkum.

/krenaria/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit