3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Pse Shkupi dhe Athina këmbëngulin për emër sllav

Më të lexuarat

Shaban Murati

Rezultati i bisedimeve të gjata natën e 16 majit dhe ditën e 17 majit midis kryeministrit maqedonas ZoranZaev dhe kryeministrit grek Aleksis Cipras, që u takuan … në Sofje në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, ishte njoftimi se dy kryeministrat gjetën gjuhën e përbashkët për emrin e ri të shtetit të quajtur ndërkombëtarisht FYROM. Gazeta greke “Kathimerini” njoftonte në 18 maj se burime qeveritare në Shkup bëjnë të ditur se kryeministri Zoran Zaev i ka propozuar homologut grek emrin kompozitë “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” gjatë bisedimeve me të në kryeqytetin bullgar. Emrin e mësipërm po e lakojnë si gjetje të re të gjitha mediat maqedonase dhe greke. Portali grek “Protothema” shkruante në 18 maj se qeveria e FYROM-it ka propozuar emrin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” dhe pala greke e ka pritur propozimin me një dritë pozitive. Të dy kryeministrat njoftuan se do të takojnë presidentët dhe do të mbledhin liderët e partive politike për të paraqitur propozimin e ri.
Duket se të dy kryeministrat duhet të kenë arritur një shkallë të lartë dakordimi dhe me sa duket janë në prag të deklarimit publik të zgjidhjes, përderisa Cipras deklaroi se pret zgjidhjen deri muajin tjetër, përpara samitit të qershorit të BE. Kurse kryeministri maqedonas ishte më entuziast, sepse deklaroi se “diskutuam zgjidhjen kreative që pala maqedonase ka paraqitur në fazën e fundit të bisedimeve. Nga sot miqësia midis Maqedonisë dhe Greqisë është më e fuqishme”.
Dalja e kryeministrit të Maqedonisë me këtë prononcim entuziast publik në konferencë shtypi tregon se jo vetëm mund të jetë arritur një marrëveshje midis dy kryeministrave, por edhe se të dy ata kanë gjetur një interes të përbashkët edhe dypalësh, edhe rajonal. Kënaqësia diplomatike në të dy kryeqytetet buron nga fakti se të dy kryeministrat janë bashkuar në idenë që FYROM të pagëzohet me një emër sllav dhe konkretisht “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”. Është një emër fetar sllav “Shën Ilija”, që merr referencën nga një kryengritje e popullsisë sllave në vitin 1903 kundër perandorisë osmane dhe që zgjati disa ditë. Dita e Ilindenit përfaqëson një ngjarje historike, të cilën e cilësojnë të veten dhe e festojnë edhe Bullgaria, edhe Maqedonia, ndonëse në atë kohë nuk ekzistonte një entitet politik me emrin “Maqedoni”, të cilin e shpiku Serbia. Kaq ngushtësisht është i lidhur emri Ilinden me historinë e Bullgarisë dhe të Maqedonisë, sa që zëvendëskryeministri dhe ministër i Mbrojtjes i Bullgarisë Krasimir Karakaçanov deklaroi në 18 maj lidhur me emrin e ri se “Ne nuk na pengon ky emër. Në 1 gusht të vitit të kaluar nënshkruam Traktatin Bullgari-Maqedoni, që na obligon të festojmë së bashku festat e përbashkëta. Ilinden është dita e kryengritjes më të madhe. Nëse dy vendet bien dakord për emrin “Maqedonia e Ilindenit” për ne nuk ka asnjë problem”.
Pra, një datë, që është e përbashkët për historinë e dy shteteve sllave, Bullgarisë dhe Maqedonisë, del si propozim për emër i shtetit të deritashëm FYROM. Pra, kemi një emër ekskluzivisht, tipikisht dhe emocionalisht sllav dhe është e qartë se Shkupi me këtë qëllim ia ka paraqitur si propozim Athinës. Nuk është e rastit që deri në takimin e Sofjes propozimi më i pranuar nga të dy palët ishte emri sllav “Gorna Makedonija”. Pas tij, del në plan të parë prapë një emër sllav “Maqedonia e Ilindenit”. Tendenca diplomatike e të dy qeverive është e qartë për sllavizimin publik të shtetit të Shkupit.
Athina e ka pranuar me dëshirë këtë propozim të Shkupit, sepse jo vetëm justifikon veten për pengesën 25 vjeçare që i ka bërë emrit të shtetit fqinj të veriut, por edhe sepse Greqia fiton një pozicion dhe epërsi diplomatike me këtë hap të ri. Suksesi grek është se Athina pagëzon ligjërisht shtetin fqinj me një emër sllav dhe e bën atë shtet të jetë në borxh politik dhe diplomatik ndaj Greqisë. Greqia ndihmon të hipotekohet në listën e anëtarëve të OKB përkatësia e këtij shteti si pronë vetëm sllave. Ky është edhe çelësi i intrigës diplomatike dypalëshe dhe shpjegimi i faktit përse Shkupi dhe Athina këmbëngulin për emrin sllav të shtetit të FYROM-it.
Për klasën politike maqedonase është e kuptueshme se emri “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” e lidh jo vetëm përkatësinë, por edhe me një ngjarje të veçantë historike, e cila ka të bëjë vetëm me historinë dhe me popullsinë sllave. Maqedonia merr me këtë emër tapinë sllave dhe kjo mund të cilësohet fitore nacionaliste e kryeministrit Zaev në planin diplomatik dhe në planin e brendshëm politik dhe ndëretnik. Emri sllav sanksionon shtetin njënacional maqedonas dhe populli shqiptar fshihet nga barazia e pjesëmarrjes dhe e vendimmarrjes së shtetit. Ndaj në mediat greke dhe maqedonase është theksuar ditët e fundit se opozita nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE mund ta pranojë këtë propozim.
Greqia, duke pranuar emrin tipikisht sllav të këtij shteti, me një gur vret tre zogj. Së pari, fiton epërsi dhe pozicion paternalist mbi Maqedoninë, së cilës i dhuron një tapi shumë të vlefshme për Shkupin, por që Athinës nuk i kushton asgjë. Së dyti, merr me të mirë dhe ndërmerr një gjest miqësie ndaj Bullgarisë, së cilës i përfshin një ngjarje historike në emrin e shtetit të Shkupit. Dihet se Bullgaria kishte shprehur zyrtarisht kundërshtimin e saj ndaj çdo emri gjeografik të Maqedonisë. Së treti, Athina godet dhe dobëson faktorin shqiptar në Maqedoni, të cilit i heq të drejtën e ligjshme të pronësisë së shtetit afër gjysmës së popullsisë nëpërmjet emrit historik sllav. Greqia fiton, gjithashtu, një pozitë më të fortë diplomatike në bisedimet e saj në zhvillim e sipër me Shqipërinë, sepse zgjidhja me Maqedoninë i jep Athinës një kartë të re presioni mbi Tiranën.
Emri i ri sllav “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” është në kundërshtim me karakterin demokratik të një shteti multinacional, multifetar dhe multikulturor. Ai neglizhon praninë, të drejtat dhe interesat e popullit shqiptar në Maqedoni. Nuk ka ende informacion se cili është qëndrimi i partive politike shqiptare, në qeveri ose jo, lidhur me emrin e ri sllav. Është e papranueshme që faktori shqiptar të përjashtohet nga procesi i vendimmarrjes shtetërore lidhur me çështjen e emrit. Mendimi im është se partitë politike shqiptare dhe faktori shqiptar nuk duhet ta pranojnë as në qeveri dhe as në parlament një emër sllav të shtetit, që u sanksionon atyre statusin e qiraxhiut apo të qytetarit të kategorisë së dytë. Faktori shqiptar nuk duhet të hutohet nga disa opinione naive, sipas të cilave Ilindeni u takon edhe shqiptarëve, meqë në kryengritjen e asaj kohe ka pasur edhe disa shqiptarë pjesëmarrës. Ilindeni është histori dhe festë bullgare dhe maqedonase. Nuk ka qenë dhe nuk mund të bëhet artificialisht histori shqiptare.
Nuk ka asnjë informacion se cili është qëndrimi zyrtar i Tiranës, e cila nuk mund të vazhdojë me indiferencën ndaj çështjes së emrit sllav të shtetit, i cili cenon direkt interesat jetike të popullit shqiptar në Maqedoni. Tirana nuk mund të përdorë si alibi të heshtjes së saj tezën se rëndësi ka zgjidhja e emrit, sepse hyn Maqedonia në BE dhe në NATO, pavarësisht se po hyn si shtet i maqedonasve. Në datën 26 mars 2018 në analizën botuar në këtë gazetë, me titull “Emri sllav i Maqedonisë-tapi për pronësinë maqedonase”, kam shkruar : “Shqipëria duhet të shprehet me forcë kundër çdo emri sllav të Maqedonisë. Është e pakuptueshme përse diplomacia shqiptare gjatë gjithë këtyre dekadave nuk është prononcuar kurrë se për çfarë emri është dakord ajo”.
Secili shtet duhet të shohë interesin e tij shtetëror dhe kombëtar dhe ky interes shtetëror e kombëtar kërkon që shteti dhe diplomacia shqiptare duhet të jenë në veprim të vazhdueshëm për të kundërshtuar tendencën e sllavizimit të shtetit fqinj dhe të nëpërkëmbjes së të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni./gsh.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit