1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Pse shkrimi i radhës i Bild u drejtohet ‘ekskluzivisht’ shqiptarëve

Më të lexuarat

Nga Enton Palushi

Kur gazetari i Bild, Peter Tiede, publikoi shkrimin e tij të parë, duke e etiketuar Shqipërinë si një shtet në duar gangsterësh, si një lexues i rregullt i kësaj gazete prej shumë vitesh, publikova një shkrim ku theksoja se artikulli u drejtohej lexuesve dhe politikës gjermane. Vetë Tiede konfirmoi këtë gjë në një postim në Facebook. Edhe një reportazh i mëvonshëm i Bild, ku ‘ofrohet’ një udhëtim në ‘Kolumbinë e Europës’ në kërkim të trafikantëve, sërish ishte për publikun gjerman, pasi ishte edhe me pagesë. Tek e fundit, rezultati u duk më vonë: Gjermania dhe Franca, praktikisht esenca e BE-së, thonë se do bllokojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit. Mos i besoni tezat me populizma e reformizma, thjesht nuk e duan një vend të korruptuar dhe të kalbur në krim.

Por shkrimi me përgjimet për manipulimet zgjedhore të mërkurën ishte ‘ekskluzivisht’ për shqiptarët, edhe pse ishte renditur në kategorinë ‘Politik inland’, që do të thotë politikë e brendshme. Ishte një shkrim për shqiptarët për disa arsye:

Së pari, sepse duke na quajtur republikë të mafies, ku qeverisin paratë e drogës, preknin një problem të ndjeshëm, për të cilin shqiptarët nuk është se janë treguar shumë të ndjeshëm. Kurrfarë reagimi të fortë nuk ka pasur nga shoqëria ndaj faktit se droga po pushtonte qeverinë dhe shoqërinë. Kurrfarë proteste nuk ka bërë shoqëria civile për këtë problem. Kurrfarë komenti apo deklarate nuk kanë bërë elitat, njerëzit e famshëm të skenës apo ekranit- disa prej të cilëve janë mbajtur me paratë e drogës dhe janë gjetur edhe nën bataret e saj. Kurrfarë shqetësimi nuk kam parë edhe kur u tha se shqiptarët janë përdoruesit më të mëdhenj të drogës, edhe pse vende si Kina kanë bërë dy luftëra botërore opiumi kur e kuptuan se varësia ndaj drogës po u shkatërronte shoqërinë me pasoja të parikuperueshme. A nuk shkruante homologia austriake Adelheid Woelfl se droga po shkatërron dhe korrupton shoqërinë shqiptare?

E dyta, sepse pavarësisht se Shqipëria po bën disa përparime në turizëm, modeli i drogës e ka çuar vendin në krizë pasi nuk është kurrë model zhvillimi. Makinat e shtrenjta, kullat apo restorantet mund të krijojnë iluzion zhvillimi, por kërkoni pak në internet e do zbuloni se asnjë vend në histori nuk është zhvilluar falë drogës.

E treta, sepse në shkrim u thuhet shqiptarëve në mënyrë të tërthortë se përgjimet po publikohen për shkak se ishin të fjetura dhe siç mund ta imagjinosh, edhe mund të zhdukeshin. Këto regjistrime, që i kanë bërë hetuesit e tij, ai nuk mund t’i pastrojë nga kjo botë, paralajmëron gazeta Ramën.

E katërta, sepse gazetari Peter Tiede shkruan se në Shqipëri kanë mbetur sërish disa hetues apo gazetarë kurajozë. Në një shkrim të para disa kohëve kam theksuar se në vend po mbizotëron ekuilibri i krimit dhe korrupsionit. Por si çdo ekuilibër, edhe ai është i brishtë dhe mund të thyhet nëse ekziston një grusht njerëzish të guximshëm.

E pesta, sepse gazeta dhe gazetari Tiede po u bëjnë me dije shqiptarëve se në këtë betejë nuk janë vetëm. Shihni sa sinjale i dërgojnë në shkrim kreut të qeverisë, fillimisht duke i përmendur faktin që Rama dhe ekipi i tij e kanë mohuar tradicionalisht kërkesën për të bërë testin e drogës përpara zgjedhjeve. Më pas duke theksuar se “edhe Rama vetë konsiderohet si një njeri me lidhje të ngushta me mafien e drogës”, dhe se këto akuza ia bëjnë hetuesit perëndimorë.

E gjashta, dhe më e rëndësishmja, duke u thënë shqiptarëve se janë përpara një udhëkryqi. Në të vërtetë vendi po zhytet në kaos, gjendet në udhëkryq: ose në rrugën drejt kushteve demokratike- ose përfundimisht si republikë e mafies, thuhet në shkrim.

Alternativën e dytë na e ofron qeverisja e Edi Ramës, atë të parën mund ta arrijmë përmes protestave. Gjermanët i kanë bërë zgjedhjet e tyre, tani është koha jonë, që të mos kalojmë kohën nëpër tavolina duke u mrekulluar me shpirtin e ‘deutsch-eve’, duke besuar te tezat neo-hitleriane se ka diçka në gjenin e tyre që i bën kaq të ndryshëm. Joooo! Është thjesht çështje zgjedhjesh.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit