1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Pse shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë është i vështirë

Më të lexuarat

Monitoruesit ndërkombëtarë njoftuan javën e kaluar se Siria i ka shkatërruar tërësisht pajisjet që shërbejnë për prodhimin dhe mbushjen e armëve kimike. Por shkatërrimi i vetë kimikateve – më shumë se 1 mijë tonë ingredientësh helmues – pritet të jetë një punë shumë më e vështirë.

Problemi është se nuk është e lehtë të shkatërrosh armët kimike, të paktën jo aq lehtë sa qe dikur. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, çdo fuqi madhore e botës e pajisur me armë kimike, i ngarkoi ato në anije apo në varka dhe i hodhi në det.

“Vlerësime të përafërta dhe hamendësimet thonë se ndoshta 300 mijë tonë helme të tilla janë hedhur në çdo oqean të botës, me përjashtim të Antarktikut”, thotë Pol Uollker, (Paul Walker), drejtor i grupimit mjedisor Green Cross International, i cili merret me sigurinë mjedisore dhe gjurmon efektet e shkatërrimit të armëve kimike.

Mendimi në atë kohë qe që thellësia e oqeanit do të jetë një vend i sigurt. Por në fakt nuk qe kështu. Fuçitë mund të rrjedhin toksina të rrezikshme si agjentët mustard. Në vitet që pasuan, pjesët e armëve kimike të hedhura në det kanë djegur plazhistë dhe kanë vrarë peshkatarë. Groposja e armëve kimike krijoi po aq probleme në tokë.

Kështu, vonë në vitet 1980, kur SHBA-ja dhe Rusia vendosën të heqin qafe arsenalet e tyre të stërmëdha të kohës së Luftës së Ftohtë, ata tentuan diçka tjetër: djegie. Por nuk qe aq e thjeshtë sa mund të imagjinohet, thotë Uollker: “Kur ti djeg diçka ajo nuk është se thjesht zhduket është fizikisht e pamundur që diçka thjesht të zhduket”. Në natyrë gjërat thjesht transformohen.

Impiantet e djegies duhet të ndërtohen posaçërisht bashkë me aparate pastrimi kimik që duhet të pastrojnë bartësit e kimikatëve, kanoçet apo predhat. Kjo është një punë që kërkon shumë dekada dhe kushton miliarda dollarë.

Gjërat lëvizën më shpejt në Irak pas luftës së Gjirit Persik të vitit 1991. Aleatët duhej të hiqnin qafe mijëra tonë të agjentëve kimikë të Sadam Huseinit. Shumica e punës u bë në një impiant të ndërtuar posaçërisht për djegie. Por disa municione qenë tepër të dobëta apo qenë dëmtuar gjatë bombardimeve ajrore aleate.

Shumë raketa 122 milimetërshe të mbushura me gazin nervor sarin përbënin një problem të veçantë. Ato nuk mund të transportoheshin në mënyrë të sigurt, thotë Ron Manlei, (Manley), kimisti që mbikëqyri shkatërrimin. “Për rrjedhojë, mënyra e vetme për t’i shkatërruar qe jo: Ne krijuam një shpërthim me karburant dhe ajër dhe këto raketa u shkatërruan nga shpërthimi”.

Me fjalë të tjera, ata i hodhën në erë raketat. Por Uollker thotë se ky nuk është një opsion në vitin 2013.

“Të gjitha djegiet në mjedis dhe shpërthimet tashmë janë të ndaluara nga Konventa e Armëve Kimike”, thotë ai. “Hedhja në oqean është e ndaluar, siç është ndaluar edhe groposja”.

Do të kërkojë kaq shumë kohë ndërtimi i një impianti për djegie dhe të pajisjeve të tjera sot, kështu që SHBA-ja shpreson që agjentët të mund të dërgohen jashtë vendit.

“Shpresa ime është që shumica e këtij materiali do të zhvendoset sa më parë të jetë e mundshme në një vend – mirë do të qe në një anije – dhe të largohej nga rajoni”, thotë sekretari i Shtetit, John Kerry.

Ekspertët mendojnë se kjo është e mundur. Në praktikë të gjithë kimikatet e Sirisë janë përbërës, jo armë. Kjo do të thotë se janë toksike, por shumë më të sigurta për t’u transportuar. Dhe ka edhe një metodë të re shkatërrimi. Ajo quhet hidrolizë dhe në thelb nënkupton shpërbërjen e kimikateve duke përdorur ujë të nxehtë dhe kimikate të tjera si zbardhues. Lëngu i mbetur nga hidroliza sërish ka nevojë të trajtohet, por është shumë më pak i dëmshëm.

Konkluzioni është se pas shumë dekadash praktikë, heqja qafe e armëve kimike mund të bëhet në mënyrë të sigurt, thotë Uollker. “Është bërë në Europë përgjatë të gjithë kohës, dhe në shumë mënyra – në Francë, Belgjikë, Gjermani e Itali”, thotë ai.

Çelësi është të gjendet një vend i gatshëm për të pranuar kimikatet nga Siria. Me rregullat mjedisore të ditëve tona, diplomacia – jo teknologjia – do të jenë pjesa e vështirë. Norvegjia sakaq ka refuzuar ftesën e SHBA-së për të pranuar armët, pjesërisht për shkak të rregullave të veta mjedisore. Franca, Belgjika dhe Shqipëria, e cila shkatërroi stokun e vet të armëve kimike më 2007, besohet se janë ende duke u konsideruar.

Bashkësia ndërkombëtare pëlqen të shohë armët e Sirisë të shkatërruara nga mesi i vitit 2014. Duke parë sfidën e gjetjes së një vendi pritës, ky është një “objektiv tepër optimist”, thotë Manlei. Uollker shton se metodat e shkatërrimit duhet të jenë në përputhje me ligjet mjedisore, gjë që mund ta zgjasë procesin.

Megjithatë, ai thotë se ka rëndësi kritike që të gjendet një vend pritës sa më parë: “Ne nuk mundet që thjesht t’i fusim ato në një anije”, thotë Uollker “dhe pastaj të sorollatemi në Mesdhe përgjithmonë”./GSH/kohaislame.com

Geoff Brumfiel, NPR.org

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit