1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Pse protesta është dhe duhet të jetë politike

Më të lexuarat

FATOS LUBONJA

Një nga gjërat që bie në sy në protestën e studentëve është ngulmimi i një pjese jo të vogël për të deklaruar se protesta nuk është politike. Siç e kuptoj unë, ky ngulmim vjen për t’i mbajtur të gjithë bashkë në një emërues të përbashkët, që mbledh sa më shumë studentë në protesta: plotësimi i tetë pikave, ndër të cilat më e rënda për qeverinë duket se është rritja e shpenzimeve për arsimin në buxhet në 5%.

Po, a mund të konsiderohet kjo një kërkesë “jopolitike”? Le ta arsyetojmë. Që të ndryshosh buxhetin, duke e çuar në 5% pjesën për arsimin, do të thotë minimumi të bësh ndryshime në politikat e investimeve të parashikuara. Ajo që bie në sy në investimet e qeverisë janë milionat, që do të derdhen në rrugët e florinjta të Edi Ramës, ndër të cilat p.sh. 40 milionë shkojnë vetëm për 2 km rrugë tek “Astiri”. E pra, aritmetika më e thjeshtë ekonomike ta do që, nëse do të transferosh të holla te studentët, duhet t’ua heqësh këto një pjese prej këtyre rrugëve.

Mirëpo, Edi Rama e ka shumë zor ta bëjë këtë, pasi sistemi, që ai ka zgjedhur për të qeverisur e që po e çon nga krimi në krim, është ai i bashkëpunimit me një pakicë (që fëmijët i çon nëpër shkolla private jashtë shtetit) për të sunduar shumicën. Kjo pakicë është shumë më me vlerë për Edi Ramën sepse me atë kontrollon krejt buxhetin sipas qejfit, që pastaj e përdor për të blerë votën, për të korruptuar drejtësinë, shoqërinë civile, televizionet, por edhe për t’u pasuruar reciprokisht, duke futur në xhepa një pjesë të majme të parave të këtyre investimeve.

Është kaq e thjeshtë, të dashur studentë. Kryeministri nuk është “me ju” dhe “për ju” në atë zyrë, pasi është “me ata” dhe “për ata”, me të cilët ju vjedh e grabit përditë. Siç e keni kalkuluar edhe vetë, rikryerja e provimeve për së dyti për ata që ngelin, i kushton shtetit një shifër tejet të vogël, por Kryeministri jua dhjetëfishoi tarifën, pasi pjesën tjetër synonte ta çonte te rrugët e florinjta, prej ku do të merrte pjesën që i duhet për partinë, për xhepat e veta, të ministrave e me radhë. Ai sot është vënë në hall të madh nga protestat sepse po i prishin planet e parasë që i siguron pushtetin dhe të pushtetit që i siguron paranë. Mjafton të shikosh se si i ka stërfryrë buxhetet e rrugëve të florinjta për të kuptuar se nuk ka hallin tuaj e të njerëzve, por të vjedhjeve.

Protesta juaj, edhe kur thoni “jo politikës” prandaj do qëndrojmë te Ministria, edhe kur thoni “po politikës” prandaj do shkojmë te Kryeministria, është politikë. Ndryshimi është se janë dy politika të ndryshme që të çojnë në dy zgjidhje/zgjedhje të ndryshme.

Zgjidhja e parë “jopolitike” është ajo që Edi Rama aplikoi pas protestave në Kukës dhe që, për fat të keq, u aprovua nga kuksianët dhe nuk u denoncua si duhet nga opozita. Rama pranoi që kuksianët të paguajnë më pak, por vendosi që paratë që do të merrte “Kastrati” të paguheshin nga gjithë pjesa tjetër e shqiptarëve. Në rastin tuaj kjo zgjidhje do të thotë që, nga halli, t’ua plotësojë juve kërkesat (në një masë të caktuar) dhe paratë që kishte parashikuar nga buxheti për t’i grabitur e për t’i çuar në offshore t’i mbledhë nëpërmjet taksash të tjera që do t’ju vihen në mënyra të tjera juve dhe prindërve tuaj. Me një fjalë, ajo që do t’ju jepet me një dorë, do t’ju merret me dorën tjetër dhe ju dhe prindërit tuaj do të dilni në të njëjtën qafë mali. Kjo është zgjidhja që ju premton zgjedhja e kësaj politike “jo politike”, që nuk kërkon të merret me sistemin e sundimit politik që ka ngritur Edi Rama & Co.

Zgjedhja tjetër, e protestave “politike”, nënkupton që, nisur edhe nga halli juaj, të hidhni vështrimin në krejt trupin e sëmurë të Shqipërisë – siç edhe ju takon. Të ndërgjegjësoheni pra, se “halli” juaj është thjesht një metastazë, siç është metastazë edhe skandali i falsifikimeve te tenderi i “Astirit”, edhe ai i rrugëve të florinjta të Edi Ramës. Dhe ju takon ta bëni këtë më shumë se kujtdo, si pjesa më intelektuale e vendit. Sepse nuk është e ndershme dhe as inteligjente që ju të shihni vetëm hallin tuaj. Nuk është e ndershme dhe as inteligjente që ju të keni hall vetëm t’ju kthehen lekët dhe të mos denonconi dhe dënoni hajdutët. Nuk është e ndershme dhe as inteligjente të mos bashkoheni me protestuesit e “Astirit” e këdo tjetër që synon të ndalë turravrapin kriminal të këtij regjimi.

Nëse bëni zgjedhjen e parë që ju e quani “jopolitike”, në fakt, do të votoni për një politikë nënshtrimi ndaj këtij sistemi hajdutërie, që rrezikon t’ju vendosë në anën e gabuar të barrikadës. Prandaj, gjykoj se duhet të bëni zgjedhjen e dytë: të shkoni te burimi i kancerit, që e ka lënë arsimin në Shqipëri në ditë të hallit, që i ka bërë shqiptarët të kërkojnë të ikin nga sytë këmbët prej këtij vendi të bekuar për nga pasuritë dhe klima, që do t’ju ofronte të gjitha të mirat sikur të qeverisej nga njerëz të ndershëm siç kërkojmë nga ju të bëheni. Mos harroni për asnjë çast se protesta juaj u ka dhënë shpresë shumë shqiptarëve të dëshpëruar, jo sepse ju do të zgjidhni hallin tuaj, por sepse te ju ata panë të ringjallet shpresa se e mira dhe drejtësia mund të fitojnë në këtë vend, se shqiptarët mund t’i japin fund një sistemi qeverisjeje të bazuar në grabitjen dhe shkatërrimin e së ardhmes së shumicës nga një pakicë kriminale. Po të luftoni edhe në emër të tyre, do të bëheni shumë më shumë e mund t’i jepni udhë një procesi ndryshimi për mirë. Po të luftoni vetëm për hallin tuaj, shumë shpejt do të mbeteni vetëm, nën kthetrat e së keqes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit