2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Pse Perëndimi e ka keqkuptuar Pranverën Arabe

Më të lexuarat

Dhjetë vjet më parë, protestat anti-qeveritare në Tunizi, Libi, Egjipt, Jemen, Siri dhe Bahrein nxitën shpresën brenda rajonit dhe jashtë tij, se po niste më në fund një lëvizje pro-demokratike pan-arabe. Por, me përjashtim të Tunizisë, kryengritjet e Pranverës Arabe dështuan.

Edhe suksesi i Tunizisë është i diskutueshëm:ekonomia e këtij vendi është në krizë, teksa eksperimenti i tij demokratik është i brishtë. Në vitin 2011, shumë analistë në Perëndim e keqkuptuan natyrën e atyre protestave. Dhe shumë prej tyre vazhdojnë për fat të keq të bëjnë të njëjtin gabim.

Miti kryesor që duhet hedhur poshtë,është koncepti se Pranvera Arabe ishte një lëvizje e unifikuar e gjithëpërfshirëse proteste, kur në fakt ajo ishte një koleksion kryengritjesh në fillim të fshehta. Ankesat ekonomike dhe politike iu mbivendosën njëra-tjetrës përtej kufijve, por ato ishin protesta lokale kundër regjimeve lokale.

Përtej frymëzimit se ajo që mund të ndodhte në një vend, mund të kishte ndoshta sukses në një vend tjetër, nuk kishte asgjë që i lidhte protestuesit në Tuniz, ku ndodhën demonstratat e para, me ata në Kajro, Damask apo diku tjetër. Nuk kishte asnjë fije të përbashkët, siç ishte për shembull vala e protestave që përfshiu Evropën Lindore dy dekada më herët.

Për më tepër, në ato protesta nuk kishte asgjë qartazi“arabe”. Koncepti se kryengritjet u nxitën nga një ndjenjë e përbashkët e “arabizmit” është i gabuar. E them i zhgënjyer se shumë perëndimorë -ashtu si edhe shumë arabë dhe regjime arabe – vazhdojnë që ta shohin rajonin përmes thjerrës së gabuar, duke i konsideruar banorët e tyre si një “bllok arab” homogjen, kur është pikërisht e kundërta.

E ashtuquajtura “botë arabe”, është në fakt një rajon me 22 shtete, i banuar nga afro 400 milionë individë të larmishëm, kombet dhe identitetet e të cilëve janë farkëtuar nga traditat të kundërta gjenealogjike, politike, sociale, kulturore, tregtare, fetare dhe gjuhësore.

Një keqkuptim përfundimtar që duhet kapërcyer:koncepti që Pranvera Arabe kishte – ose do të ketë ndonjëherë – një datë të saktë të fundit të saj. Kërkesat për një drejtësi më të madhe ekonomike dhe sociale, përfaqësojnë disa momente me kalimin e kohës.

Shkëputja nga kontrolli i liderëve autoritarëve do të kërkojë një seri hapash, të pasuara nga tërheqje ose shtypje, dhe të ndjekura sërish nga hapa të tjerë përpara. Kjo luftë është – dhe në fakt duhet të jetë – një proces kaotik dhe përsëritës.

Megjithatë, ka ende arsye për të qenë optimistë të kujdesshëm. Lajmi i mirë është se siç thotë edhe fjala e urtë “xhindi ka dalë nga shishja”. Po, regjimet autoritare brenda rajonit, dhe sidomos Egjipti, patën sukses në rikthimin e tij në shishe për momentin.

Por xhindi, i shndërruar pak pas çdo ballafaqimi, vazhdon që të dalë nga shishja, siç dëshmohet edhe nga e ashtuquajtura vala e dytë e protestave të Pranverës Arabe që nisën në vitin 2018 në Irak, Sudan, Liban dhe Algjeri.

Ndërsa Algjeria e zëvendësoi sundimtarin e saj, por nuk arriti të ndryshojë dot regjimin, dhe në Liban vazhdojnë pazaret korruptive të ndarjes së pushtetit, protestuesit nuk kanë treguar asnjë shenjë të pendimit në kërkimin e të drejtave të tyre.

Por nuk është vetëm Perëndimi, ai që duhet të rivlerësojë perceptimet e tij rreth këtyre kryengritjeve. Dhe në rast se banorët e rajonit do të shtrojnë para regjimeve kërkesa të mëtejshme për demokratizim, ata duhet të marrin parasysh edhe kontradiktat e tyre të brendshme.

Për shembull, pse e protestuesit që kërkojnë liri të zgjeruara politike dhe ekonomike për të gjithë, vazhdojnë të mbështesin kufizimet e lirive individuale për disa – sidomos gratë, pakicat fetare dhe ata të komunitetit LGBTQ?

Banorët e rajonit duhet ta konsiderojnë largimin e një diktatori vetëm si hapin e parë të një udhëtimi të gjatë dhe jo si një destinacion përfundimtar. Siç e dinë mirë tunizianët, puna më e vështirë do të jetë kalimi në demokraci dhe ruajtja më pas e kësaj të fundit.

Dhe kjo do të kërkojë transformimin e shoqërive nga brenda por jo nga lart. Një brez në zhvillim i arabëve të rinj, me më shumë mendësi globale, duhet të marrë përsipër sfidimin e ortodoksisë së kalçifikuar, duke rritur pjesëmarrjen e shoqërisë civile për të mbrojtur ndryshimin.

Kjo gjë nuk do të jetë e lehtë, pasi në botën arabe post-koloniale, diktatorët vendosën me vetëdije që t’u mpinin mendjet qytetarëve të tyre, duke i indoktrinuar ata me propagandë hiper-nacionaliste, me një retorikë përjashtuese dhe ligjërim fetar dogmatik.

Kjo formë e despotizmit intelektual, ka prodhuar breza të tërë arabësh që jo vetëm janë privuar nga një arsimim cilësor, por që kanë mësuar të jenë intolerantë, respektues të verbër të autoritetit, dhe të pa pajisur për të lulëzuar në një botë të globalizuar dhe demokratike.

Nëse demokracia do të hedhë rrënjë, qytetarët e rajonit duhet të fillojnë të ri-programojnë mendjet e tyre, dhe të mësojnë të bashkëjetojnë me pikëpamje dhe mënyra të ndryshme të jetës, që të mos kthehen kundër njëri-tjetrit, pasi kështu do t’i hapnin rrugë rikthimit në pushtet të liderëve autoritarë.

Dhjetë vjet pas kryengritjeve të para, shumë njerëz në Lindje dhe Perëndim duan të besojnë se ka ende shpresë për demokratizim. Por nëse kjo gjë do të ketë sukses, duhet të evoluojnë perceptimet e perëndimorëve mbi arabët dhe perceptimet e arabëve për veten e tyre. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Nga Safwan Masri, Al Jazeera
Shënim: Safwan Masri, është nënkryetari ekzekutiv për Qendrat Globale dhe Zhvillimin Global në Universitetin e Kolumbias, SHBA.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit