1.6 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Pse nuk e kemi gjendjen më të mirë?

Më të lexuarat

Ne kemi pasuri, miniera, pyje, burime të ujit. Ne kemi tokë pjellore të pa ndotur. Nuk na mungojnë as njerëzit profesionistë dhe të zgjuar, por vetëm duhet tu jepet mundësia. Ne kemi klimë shumë të këndshme e cila është begati shumë e madhe. Kush mund t’i numërojë të gjitha ato të mira që Allahu i dashur na i ka dhuruar?

Mirëpo, pavarësisht nga të gjithat, gjendja në shoqëri dhe në vend është e vështirë, e rënduar me varfëri e skamje dhe me papunësi. E rënduar me marrëdhënie të prishura ndërnjerëzore. Njerëzit i ka kapluar një apati dhe letargji për tu ballafaquar me problemet dhe për t’i zgjidhur ato. Shumica janë në një pritje, të hutuar sillen përreth dhe pyesin veten, çka po ndodh me ne?

Edhe Hasan Basriu i madh, ishte përballur me të njëjtat pyetje, sepse edhe në kohën e tij, edhe në shoqërinë e tij kishte probleme dhe fenomene të cilat e shqetësonin shoqërinë dhe e ngadalësonin në rrugën e saj drejt përparimit. Duke e shikuar gjendjen, ky gjigant, kishte thënë: Ju e keni Shpalljen (Kur’anin), i dëgjoni fjalët dhe mesazhet e saj, por sjellja juaj është larg nga ato mesazhe!

Vëllezër të respektuar;

Allahu i Madhërishëm nuk e ka dërguar Kuranin që të garojmë me të, se kush di më shumë e kush e lexon më bukur. Është shumë e qartë se pse Kurani është këtu midis nesh:

Për t’ia tërhequr vërejtjen ati që është gjallë (me mend e zemër) dhe dënimi të bëhet meritë për jobesimtarët. (Jasin, 70)

Ne jemi të zotët e mendjes, jemi të zgjuar, andaj kjo Vërejtje neve na është drejtuar. Aty është ligji i jetës së saktë. Në të janë kufijtë e lumturisë së njeriut. Nëse e tejkalon kufirin, nëse e neglizhon fjalën e Allahut, lumturia zhduket. Në Shpallje është kërkesa drejtuar njeriut për të besuar dhe për të bërë vepra të mira. Po e përsëris, për të besuar dhe për të bërë vepra të mira. Ka pak njerëz që nuk besojnë. Nëse na pyesin neve, a jemi besimtarë, përgjigja do të jetë pozitive gati nga të gjithë. Por çka është besimi nëse nuk ka bamirësi?

Ne nuk jemi të gatshëm që kudo që na jepet mundësia për të bërë mirë, të bëjmë mirë. Vetëm te ne ekziston thënia: Më mirë rri kot e mos puno kot! Seriozisht duhet të pyesim, a është e mundur që besimtari musliman mendon dhe flet kështu. Besimtari musliman e di se nuk ka asnjë vepër të mirë që shkon kot. Fjalën – më mirë rri kot e mos puno kot! – mund ta thotë vetëm ai që e injoron tërësisht ahiretin. Premtimi i Allahut është i vërtetë. Ai na porosit se nuk ka vepër të mirë që nuk do të shpërblehet, dhe nuk ka vepër të keqe që nuk do të sanksionohet. Mospuna dhe dembelizmi janë vepra të këqija. Situata në shoqëri na tregon se ne tashmë jemi duke i vuajtur sanksionet.

Ju jeni mosmirënjohës për begatitë, e Allahu ju ka dhuruar begati të panumërta! ka vazhduar Hasan Basriu.

Edhe kjo është një arsye pse ne jemi në këtë gjendje, dhe pse të hutuar shikojmë diku dhe nga aty diku presim ndihmë dhe zgjidhje. Falënderimi është detyrë e njeriut. Ky falënderim të cilin e ka për detyrë njeriu, nuk është vetëm një fjalë, elhamdulilah. Falënderimi i vërtetë është vepra. Me vepër të mirë, bëhet falënderimi i vërtetë. Begatitë duhet të shfrytëzohen si duhet, kjo është forma e falënderimit për to. Allahu i Madhërishëm na ka dhënë arat, livadhet pyjet, përrenjtë i ka përshkuar përmes tyre, siç na ka dhënë edhe burimet e ujit të pastër. A po i shfrytëzojmë ne ato? Ndoshta i kemi lënë të shkreta, e ndoshta i kemi shkatërruar.

Vëllezër të dashur,

Allahu na ka dhënë shëndetin, këtë begati të paçmuar. Pejgamberi na inkurajon ta shfrytëzojmë shëndetin para sëmundjes.

Ta shfrytëzojmë shëndetin dhe të falemi sa jemi të shëndoshë, derisa mundemi. Kur nuk mundemi, do të dëshirojmë, por nuk do të jemi në gjendje. Ne kemi dëgjuar që Pejgamberi ynë ka thënë se nuk e ka vlerën e njëjtë namazi i falur ulur dhe ai i falur në këmbë. Nuk është problem kur të plakemi, kur nuk kemi mundësi do të falemi edhe ulur, se patjetër duhet të falemi si të mundemi, por gjithsesi duhet ta shfrytëzojmë shëndetin.

Ta shfrytëzojmë pasurinë, sepse kush e di se çka do të ndodhë nesër. Ta blejmë për vete ahiretin nga begatitë e kësaj bote. Sadaka është një mrekulli e veprave të mira. (…)

Pse nuk e kemi gjendjen më të mirë?

Hasan Basriu ka vazhduar të përgjigjet: Ju nuk po kërkoni falje pasi të bëni mëkate! dhe kjo është një nga arsyet që gjendja jonë është e këtillë, me të cilën nuk jemi të kënaqur. Ne bëjmë mëkate, sepse çdo njeri është mëkatar, por besimtari, përveç që bën mëkate ai edhe pendohet dhe mëkatin e bërë nuk e përsërit.

Njerëzit tonë shpesh i dëgjojmë duke e ngushëlluar veten dhe thonë se Allahu është i mëshirshëm dhe do të na falë. Këta njerëz janë të vetëdijshëm për mëkatet e tyre, por nuk e shprehin pendimin, ata me arrogancë e kryelartësi thonë se Allahu është i mëshirshëm dhe në kuadër të asaj mëshire edhe pa tevbe do të ketë vend edhe për ta!

Pse ti o vëlla, prej atij që të ka bërë keq ty po kërkon të kërkojë falje? Pse po kërkon që ai nga ti të kërkojë falje dhe të premtojë se nuk do të bëj më shumë? Ti kështu, vëlla i dashur, po e kënaq egon tënd. Dëshiron të thuash se ke qenë i drejtë por të është bërë padrejtësi. Allahu i Madhërishëm është i pavarur, Atij asgjë nga ne nuk i nevojitet, as tevbeja jonë. Ai për tevbe na inkurajon për të mirën tonë, për lumturinë tonë, për suksesin tonë, për hir të nevojave tona që të na bëhet jeta më e mirë.

Ju nuk po veproni sipas asaj që e dini! Edhe për këtë arsye thotë Hasan Basriu, shoqëria është në krizë. Të gjithë e dimë se çka është e mirë e çka nuk është. Të gjithë e dimë se çka është hallall e çka është haram. Të gjithë e dimë se cila është rruga e drejtë e cila është rruga e gabuar.

Ne e dimë se në Ezel Allahu na ka pyetur: A nuk jam Unë Zoti juaj? Ata thanë: Po, me të vërtetë. Na ju kemi bërë dëshmitar që të mos thoni në Ditën e Kiametit: Na për këtë nuk kemi qenë të informuar. (el-A’raf, 172)

Ne për ato, se si rregullohet shoqëria, të gjitha i dimë. Ne e dimë saktësisht se pse jemi në këtë gjendje çfarë e kemi, dhe pse po jetojmë në pasiguri ekonomike dhe konfuzion politik. Cili prej nesh mund të thotë se unë nuk e kam ditur?

Ju nuk po merrni mësim nga vdekja e të dashurve tuaj! Edhe kjo është arsyeja pse ju jeni aty ku jeni, ka thënë Hasan Basriu.

Ky mesazh është i thjeshtë dhe lehtë i kuptueshëm për mendjen e njeriut. Kur të na vendosin në tabut nuk ka asgjë më të rëndësishme se veprat e mira. Ajo vepra e mirë të cilën gjatë kohës së lirë duke e humbur kohën kot nuk e kemi bërë.

Prandaj, vëllezër muslimanë, të ndryshohemi dhe të jemi të sigurtë se në asnjë mënyrë nuk është më mirë të rrimë kot sesa të punojmë kot.

Ta bëjmë nijet që çdo gjë që bëjmë, ta bëjmë në emër të Zotit, dhe kështu do të jemi të lumtur edhe këtu edhe atje.

O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo që të ndryshohemi dhe të ecim në drejtim të kënaqësisë Tënde !

Izet ef. Çamxhiq

Perktheu: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit