Pandemia e COVID-19 dhe sulmet verbale dhe fizike ndaj punonjësve të mediave, kanë kontribuar që Kosova të shënojë rënie në raportin e sivjetmë për lirinë e shtypit të Reporterëve pa Kufij.
Kështu thotë Ardita Zejnullahu nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës.
“Ajo që ka bërë që Kosova të bie tetë pozita më poshtë (në raportin e Reporterëve pa Kufij) është viti pandemik, mbyllja e njerëzve dhe konsumimi i tepërt i mediave. Pastaj, sulmet verbale dhe kibernetike, po ashtu edhe sulmet fizike që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe. Në anën tjetër, iniciativa ligjore që mund të censurojnë lirinë e mediave dhe shprehjes nuk ka pasur”, tha Zejnullahu për Radion Evropa e Lirë.
Në raportin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e shtypit, të publikuar më 20 prill, Kosova u radhit në vendin e 78-të, përkatësisht tetë pozita më keq se vitin paraprak.
Studiuesi i mediave në Universitetin e Agderit në Norvegji, Abit Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë se faktorët e rënies nuk varen drejtpërdrejtë nga Kosova. Sipas tij, vlerësimi është global dhe nëse dikush tjetër përmirësohet, Kosova natyrisht bie me poshtë në listë.
Megjithatë, ai thekson se së fundmi, presioni dhe sulmet ndaj gazetarëve janë në rritje.
Edhe në raportin e Reporterëve pa Kufij thuhet se “gazetarët në Kosovë dhe mediat janë të ekspozuara ndaj një ambienti armiqësor, që përfshin sulme fizike dhe verbale, sulme kibernetike, presion për censuruar veten dhe mungesë të transparencës për pronësi të mediave”.
Po ashtu, në raport thuhet se mediat e brishta financiarisht janë të ndjeshme edhe ndaj ndikimit politik.
Ndarjet në vija etnike
Reporterët pa Kufij kanë potencuar se mediat në Kosovë, sikurse edhe në pothuajse secilin shtet, janë të ndara në linja etnike. Kjo organizatë thotë se qasja në informacione shpesh është e kufizuar në një grup të veçantë etnik dhe politik dhe mediat kanë tendencë të fokusohen në çështjet që përbëjnë shqetësim për kombësinë e tyre dhe i mbulojnë ato nga këndvështrimi i tyre.
Abit Hoxha e pranon se mediat në Kosovë kanë pak bashkëveprim ndëretnik, por ai këtë e arsyeton me mosnjohjen e gjuhës së komuniteteve.
“Këtë si duket nuk e kupton shumë Reporterët pa Kufij sepse Kosova është e ndarë në aspektin etnik, gjuha është e ndryshme. Nuk është ndarje vetëm politike apo konfliktuoze, por gazetarët në të dyja anët kanë moshën mesatare shumë të re dhe nuk mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit. Është ndarje praktike, pra”, tha Hoxha.
Por, Ardita Zejnullahu, nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës, thotë se mediat në vend mundohen që ngjarjet dhe situatat t’i mbulojnë në bazë të interesit publik dhe jo në linja etnike.
Në anën tjetër, Zorica Vorguçiq, gazetare e RTV Kim në Çagllavicë pranon që gazetarët nga komunitetet e ndryshme, janë të fokusuar kryesisht në komunitetet e tyre. Kjo posaçërisht është vërejtur, shtoj ajo, gjatë pandemisë COVID-19.
“Nuk kam vërejtur se kolegët shqiptarë janë marrë shumë me situatën në komunat me shumicë serbe ashtu siç edhe nuk po shoh që edhe kolegët nga redaksitë serbe raportojnë lidhur me situatën në komunitetin shqiptar në Kosovë. Kjo ndoshta ka të bëjë edhe me faktin se sistemi i shëndetësisë, ku mjekohen serbët dhe shqiptarët, janë të ndara”, tha ajo.
Ajo po ashtu tha se si gazetare, që raporton në gjuhën serbe, është ballafaquar me sfida të ndryshme gjatë raportimit për pandeminë, siç është qasja e kufizuar në informata në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, por edhe në ato institucione shëndetësore në sistemin serb në Kosovë. Ajo po ashtu e potencoi si sfidë edhe mungesën e komunikatave nga institucionet shëndetësore në gjuhën serbe si dhe mungesën e përkthimit gjatë konferencave për media.
AGK: Raporti pasqyron gjendjen reale
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësim lidhur me gjetjet e organizatës “Reporterët pa Kufij” Rënia që ka pësuar Kosova për tetë vende në Indeks, sipas këtij asociacioni dëshmon gjendjen reale, jo të kënaqshme të lirisë së medieve në Kosovë.
AGK-ja vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari.
Ndryshe, nga vendet e rajonit, Bosnje dhe Hercegovina është renditur e 58-ta në listë, Maqedonia e Veriut në vendin e 90-të, Serbia 93 dhe Mali i Zi 104.