3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Pse falen myslimanët?

Më të lexuarat

Islami ndërtohet mbi pesë shtylla, e dyta është falja e namazit pesë herë në ditë. Profeti (a.s) ka thënë: “Namazi është shtyllë e fesë”.

Pas një dite të gjatë dhe të lodhshme në punë, ka njerëz që mund të mendojnë se është e vështirë, që një njeri i lodhur të përqendrohet në namazet e tij për Allahun, të Plotfuqishmin.

I shtrirë në krevatin e ngrohtë dhe të rehatshëm, sa e vështirë është të ngrihesh pas thirrjes së muezinit: “Ejani në namaz! Ejani në shpëtim!”

Doktori dhe filozofi i njohur Ibn Sina (Avicena) për ta përshkruar këtë cast, tregoi se një natë të ftohtë dhe të akullt ai dhe shërbëtori i tij po pushonin në një bujtinë në një vend të largët të Khurasanit.

Gjatë natës kishte etje, prandaj thirri shërbëtorin t’i sillte ujë. Shërbëtori nuk dëshironte të ngrihej nga shtrati i ngrohtë, prandaj bëri sikur nuk e dëgjoi thirrjen e Ibn Sinas.

Por pas disa thirrjeve ai u ngrit pa dëshirë dhe shkoi mori ujin. Pak më vonë, tingulli i ëmbël i ezanit u përhap kudo.

Ibn Sina nisi të mendojë për personin, që po bënte thirrje për në namaz. Shërbëtori im u mendua ai më ka respektuar dhe më ka admiruar gjithmonë.

Ai në çdo çast më lavdëron dhe më respekton, ndërsa sonte ai preferoi rehatinë e tij dhe jo përmbushjen e nevojave të mia.

Nga ana tjetër shiko këtë rob të Allahut. Ai la shtratin e tij të ngrohtë dhe doli jashtë në natën e ftohtë, mori abdes në ujin e akullt, pastaj u ngjit në minaren e lartë të xhamisë për të lartësuar Allahun, të cilit i shërben me të vërtetë, duke bërë thirrje për namaz;

“Dëshmoj se asnjë nuk meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut. Dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Tij”.

Ibn Sina thotë: “Mësova thelbin e dashurisë së vërtetë, atë dashuri që kërkon bindje të plotë”. Dashuria e Allahut kërkon bindje të plotë dhe të pakushtëzuar.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë”. (Kuran, 3:31)

Pasi profetit Muhamed iu dha profecia, gjëja e parë për të cilën u urdhërua të bënte, ishte namazi.

Engjëlli Xhibril shkoi tek ai dhe një burim uji vërshoi nga shkëmbinjtë para tyre. Pastaj Xhibrili i tregoi profetit Muhamed si merrej abdesi. Pastaj i tregoi si t’i falet Allahut. Pastaj profeti Muhamed shkoi në shtëpi dhe i tregoi gruas së tij Hatixhes, çfarë kishte mësuar nga engjëlli Xhibril.

Në fillim profeti (a.s). falte dy rekate, dy herë në ditë, njëherë në mëngjes dhe njëherë në mbrëmje.

Që nga ajo kohë profeti (a.s) u fal çdo ditë të jetës së tij. Para shpërnguljes së tij në Medinë, ai bëri një udhëtim gjatë natës për në Jeruzalem pastaj në qiej (Mirazh).

Gjatë udhëtimit të tij, Allahu i Plotfuqishëm e urdhëroi të falej pesë herë në ditë. Namazi ishte një dhuratë për çdo besimtar, që t’ia bënte atij të mundur, të përjetonte një ngritje shpirtërore pesë herë në ditë.

Profeti Muhamed ka thënë: “Namazi është Mirazhi i besimtarit”.

Namazi i jep mundësinë çdo besimtari, të komunikojë me Zotin e tij. Gjatë çdo faljeje myslimani thotë Suren El-Fatiha. Ky lexim nuk është një monolog monoton i besimtarit, por Allahu premton se është një bisedë mes Tij dhe adhuruesit.

Profeti Muhamed (a.s) transmeton, se Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Kur robi im thotë gjatë namazit: “Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!”, Unë them: “Robi im më ka lavdëruar mua”.

Kur ai thotë: “Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Sunduesit të Ditës së Gjykimit (përgjegjësisë-shpërblimit)!”, Unë them: “Robi im më ka lartësuar mua”.

Kur ai thotë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej teje ndihmë kërkojmë!”, Unë them: “Kjo është ndërmjet meje dhe robit Tim”. Kur ai thotë: “Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë!”, Unë them: “Kjo është për robin Tim dhe unë i jap robit Tim atë që ai dëshiron”.

Profeti ka thënë: “Namazi është shtylla e fesë”. (Transmetohet nga Al-Baiheki)

Ai na ka informuar gjithashtu, se Islami ndërtohet mbi pesë shtylla, e dyta është falja e namazit pesë herë në ditë. (Transmetohet nga Buhariu)

Kjo e bën imazhin shumë të qartë: Islami është si ndërtesë që mbështetet mbi pesë shtylla; hiq një shtyllë dhe gjithë ndërtesa dobësohet.

Në të njëjtën mënyrë, kur një njeri nuk falet më, besimi i tij dobësohet dhe goditjet më të vogla mund të bëjnë, që ai të thërrmohet.

Në lidhje me gjendjen e vështirë të jobesimtarëve në Ditën e Gjykimit, Allahu thotë: “Ata thonë: “Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin (që bënin namaz)”. (74:43)

Allahu thotë gjithashtu: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët. Ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit”. (23:1-2)

“Edhe ata që janë të kujdesshëm ndaj rregullave të namazit të tyre. Të tillët janë në xhenete dhe janë të nderuar”. (Kuran 70: 34-35)

Allahu ka theksuar nevojën për nënshtrim dhe përqendrim në namaz. Nuk ka dyshim, se shejtani është armiku më i keq i njeriut; ai mundohet gjithmonë t’i prishë namazet e besimtarëve.

Myslimani papritur mund të pushtohet nga kujtimet, problemet, shqetësimet, puna dhe familja dhe shpesh do të pyesë veten, nëse ka falur tre apo katër rekate.

Kështu e vjedh shejtani namazin. Allahu thotë, se njeriu është krijuar vetëm që ta adhurojë Atë. Ai thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë”. (Kuran, 51: 56)

Njeriu duhet të jetojë në këtë botë si adhurues i Allahut dhe namazi është forma më e mirë e adhurimit. Ditën e Gjykimit njeriu do të japë llogari për veprat e tij.

Allahu thotë: “Pastaj në atë ditë do të pyeteni për të mirat (e dynjasë)”. (Kuran 102:8)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit