2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Pse e-zanit nuk i degjohet zani?

Më të lexuarat

Pse e-zanit nuk i degjohet zani?

Enes Neza (Universiteti i Ankarasë, dega gazetari)

Në këto ditë kur mediat shqiptare jane mbushur me tituj bombastik rreth arrestimit të bujshëm të dy imamëve dhe pesë besimtarëve të tjerë muslimanë, me akuzat për thirrje për xhihad dhe për dërgim të luftëtarëve në Siri, e-zani, media online e vetëshpallur si mbrojtëse e Islamit dhe e të drejtave të muslimanëve shqiptarë, si gjithmonë, rrin e merret me debate shterpë të tipit “e lagu s’e lagu”; a e ofendoi Napolitano Islamin në Shqipëri apo jo?, A është Skendërbeu hero fetar apo jo?

Tani që kemi të bëjmë me një problem real, ku imazhi i Islami dhe i shoqërisë muslimane po nxihet si pasoje e zërave islamo-fobë, por edhe si pasojë e një pakujdesie të pafalshme të forcave të rendit në mënyrën e trajtimit të një çështjeje kaq delikate, ata rrinë në heshtje.

Këtyre ditëve është e pamundur të lexosh komentet nëpër mediat e shkruara dhe rrjetet sociale pa ndier një si përzierje që zë fill nga fundi i barkut. Klima armiqësore e këtyre ditëve e krijuar nga mediat e papërgjegjshme nuk i shërben aspak rendit social dhe qëtësisë, e aq më pak komunitetit musliman. Përkundrazi e vendos atë përballë një presioni psikologjik dhe e bën shenjestër të thirrjeve të urrjetjes, të tipit: “Ta zhdukim nga faqja e dheut këtë racë të qelbur islamike”.

Jemi mësuar tashmë me papërgjegjshmërinë e medias shqiptare, e cila si mision të vetin asnjëherë nuk ka pasur interesin publik, por atë të grupeve dhe individëve të veçantë, të cilët paguajnë shuma të majme për të promovuar politika anti-islame dhe amorale në shoqërinë shqiptare.

Edhe në të kaluarën janë arrestuar hoxhallarë, si rasti i Artan Kristos, i njohur si Muhamed Abdullahi, në vitin 2010, i cili u akuzua për nxitje të terrorizmit në ligjeratat e tij. E që më pas gjykata e shpalli të pafajshëm. Edhe në atë kohë mediat vlonin me kryetituj anti-islam. Edhe pse kjo kaloi pa ndonjë pasojë të drejtëpërdrejtë, kësaj here, me sa duket, çështja është më e madhe dhe më e rrezikshme. Kësaj here arrestimet janë bërë në masë dhe kanë përfshirë njëkohësisht disa qytete.

Ndërsa mediat, si asnjëherë më parë, janë vënë në ndjekje të çfarëdo lloj lajmi që mund t’u shërbejë atyre si armë në luftën mediatike për audiencë. Që nga ata fëmijët që pretendohej se “mbaheshin në katin e poshtëm të xhamisë”, e deri te “spiuni i shikut, i cili pretendonte se në xhami nuk mund të hyje pa autorizimim e imamit dhe pa një fotografi identifikuese (???!!!!), dhe frika e tij se mos e vrisnin muslimanët nëse e zbulonin”. Një frikë krejtësisht irracionale kjo, pasi deri më sot, asnjërin prej spiunave të Shërbimit Informativ që prej vitesh infiltrohen në xhami nuk i ka vrarë njeri.

Artikuj të tillë shërbëjnë vetëm për të krijuar pështjellim të opinionit dhe krijimin e idesë se muslimanët janë të dhunshëm e vrasës terroristë.

Bomba të tilla që hidhen në shoqërinë shqiptare janë edhe në interesin politik të qeverisë, e cila për të fshehur paaftësinë e vet në luftimin e terrorizmit të vërtetë që shpërthen çdo ditë makina në mes të qytetit, arreston disa besimtarë muslimanë, të cilët kurrë nuk kanë qënë të njohur si problematikë. Ndërkohë që krimi i vërtetë endet rrugëve me X5-a dhe me kollare deputetesh, muslimanët shqiptarët vazhdojnë t’i vuajnë pasojat e një politike diskriminuese të paprecedentë. Njësoj si paganët dikur që bënin kurban virgjëreshat për perënditë e tyre, sot, qeveria shqiptare ka zgjedhu të bëjë kurban disa anëtarë të një komunitet të virgjër nga kriminaliteti dhe dhuna, në emër të zotave të saj europiano-perëndimor.

Në mes të kësaj gjurulldie dizinformatash, akuzash të pavërtetuara dhe shpifjesh mediatike, autorët e e-zanit, që shquhen për penën e tyre gazetareske në të tilla raste, kësaj here rrinë e bëjnë sehir, duke bërë kështu rolin e shejtanit memec.

Nëse ka pasur ndonjë moment kur pena ka hyrë në punë, ky moment është tani! Ky është momenti kur zërat e arsyes duhet të prevalojnë mbi çoroditjen e shkaktuar nga injoranca dhe gjuha e urrejtjes mediatike. Një gjuhë, e cila vetëm dëme i ka sjellë kësaj shoqëria lehtësisht të manipulueshme.

 * Përmbajtja e paraqitur është vetëm refleksion i autorit dhe jo domosdoshmërisht ajo reflekton edhe qëndrimet e redaksisë kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit