Cilin ta zgjidhni?
Shumë jogurtë kanë shije të frutave, disa pretendojnë të jenë pa yndyra, ndërsa të tjerët kanë pak kalori apo nuk kanë sheqer të shtuar. Disa prodhues shtojnë vitamina, yndyra omega 3 dhe probiotikë për përmirësim të mëtejshëm të shëndetit. Çka do të thotë e gjithë kjo, dhe si ta zgjedhim atë më të mirin?
Jogurtët e aromatizuar shpesh përmbajnë përbërës plotësues, siç janë sheqeri dhe frutat, dhe mund të përmbajnë edhe ngjyra artificiale, konservans dhe ëmbëltues (natyror dhe artificial) dhe përbërës të cilët përmirësojnë shijen. Stabilizatorët siç është xhelatina zakonisht shtohen për t’u krijuar teksturë më e trashë, transmeton Koha.net. Edhe pse nuk janë të dëmshëm, stabilizatorët dhe përbërësit që e bëjnë më të dendur jogurtin përdoren në vend të përbërësve qumështorë me vlera më të mëdha ushqyese (dhe më të shtrenjta), siç është qumështi pluhur, i cili po ashtu mund ta dendësojë jogurtin dhe të rrisë qëndrueshmërinë e tij.
Disa përparësi shëndetësore të jogurtit
Jogurti është i pasur me kalcium, i cili është thelbësor për mirëmbajtjen e shëndetit, por edhe zvogëlon rrezikun nga kanceri i zorrës së trashë.
Kalciumi bashkëpunon me kulturat e gjalla të cilat gjenden në disa jogurtë dhe rrit absorbimin e eshtrave, duke e bërë jogurtin të shkëlqyeshëm për parandalimin e osteoporozës.
Jogurti është burim i rëndësishëm i kalciumit për njerëzit të cilët kanë vështirësi në tretjen e laktozës në qumësht, sepse jogurti përmban laktazë – enzima e cila duhet ta zbërthejë laktozën për tretje si duhet.
Jogurti është i pasur me proteina, vitamina B dhe minerale esenciale, ndërsa përmban pak karbohidrate dhe yndyra.
Jogurti mund të ndihmojë te tretja e keqe, por për këtë efekt pozitiv duhet të konsumohet çdo ditë. Pse? Vetën një sasi e vogël e baktereve në të mund të përballojë aciditetin e stomakut dhe të arrijë në zorrë. Bakteret do të kalojnë përmes sistemit tuaj të tretjes brenda një apo dy dite, dhe për t’u siguruar që janë në zorrë në çdo moment duhet të konsumoni jogurt çdo ditë.
Që jogurti të jetë më i shëndetshëm për konsumatorët, disa prodhues shtojnë përbërës ushqyes thelbësorë të caktuar të cilët shpesh i mungojnë ushqimit tonë. Lexoni përbërjen në etiketë që të dini ta përzgjidhni jogurtin i cili është më i mirë për ju.
Mungesa e acidit folik është e lidhur me deformimet në fëmijë, prandaj është jashtëzakonisht i dobishëm për femrat shtatzëna dhe ato që ushqejnë fëmijët në gji. Nivelet e ulëta të acidit folik po ashtu janë të lidhura me sëmundjet koronare të zemrës dhe sulmin në tru.
Disa jogurtë përmbajnë vitaminën D, e cila është e rëndësishme për absorbimin dhe shfrytëzimin e kalciumit, vitamina D është veçanërisht e rëndësishme për njerëzit mbi moshën 50-vjeçare, të cilët kanë nevojë për dyfish më shumë vitamina D se personat më të rinj se 50 vjet.
Meqenëse trupi ynë nuk mund të sintetizojë acidet yndyrore omega 3, duhet t’i marrim me anë të ushqimit. Acidet yndyrore omega 3 janë të rëndësishme për rritje normale dhe zhvillimin e trurit, syve dhe sistemit tonë nervor, dhe po ashtu mund të zvogëlojnë rrezikun nga sëmundjet e zemrës, inflamacioneve dhe depresionit.
Llojet e jogurtit
Desertët
Produktet të cilët janë më të ëmbla se jogurti i zakonshëm, por prapëseprapë përmbajnë kalcium, proteina dhe vitamina të cilat e bëjnë jogurtin e shëndetshëm. Por si çdo desert, ata kanë kalori dhe yndyra të tepërta.
Pijet dhe frapetë
Janë të mira nëse nuk keni kohë për të ngrënë mëngjes, por mbani mend që lëngu apo pemët krijojnë më shumë fluide të cilat zvogëlojnë koncentrimin e kalciumit dhe proteinave. Kërkoni proteina me qumësht të skremuar.
Blini jogurt me sasi të madhe të kalciumit dhe të proteinave. Sa u përket kalorive dhe sheqerit ndiqni këto udhëzime.
– Shmangi produktet që kanë më shumë se një kalori për një gram të jogurtit. Nëse tentoni të zvogëloni konsumimin e kalorive zgjidhni jogurtin e payndyrshëm;
– Disa jogurtë janë pa yndyra, ndërsa të tjerët kanë gati po aq yndyra sa akullorja. Zgjidhni jogurtin i cili ka më pak se dy gramë yndyra në 100 gramë sasi. Nëse blini jogurt për fëmijët deri në dy vjet, ata kërkojnë më shumë energji se të rriturit dhe nuk duhen të hanë ushqim me më pak yndyra;
– Kërkoni produktet me më pak se 16 gramë sheqer në 100 gramë. Sasia e shënuar në etiketë ka të bëjë me sheqerin e shtuar (fruktoza, glukoza apo saharoza) dhe sheqeri natyral i pranishëm në çdo pemë, si dhe sheqeri natyral në qumësht.