Një njeri donte ta shiste shtëpinë e tij dhe të shkonte në një shtëpi më të mirë, kështu që shkoi tek një miku i tij, ekspert i marketingut, dhe iu lut që t’i ndihmonte për ta shkruar një reklamë për shitjen e shtëpisë. Miku i tij e njihte mirë shtëpinë dhe shkroi një reklamë në të cilën e përshkroi shtëpinë në mënyrën më të bukur. Pastaj ia lexoi tekstin e reklamës mikut të tij, i cili e dëgjoi i mahnitur, dhe më pas i tha: “Të lutem, ma lexo sërish reklamën!”
Kur menaxheri i marketingut e lexoi sërish reklamën, pronari i shtëpisë i tha: “Sa shtëpi e bukur! Unë kam ëndërruar që ta blej një shtëpi të tillë, dhe nuk e paskam ditur se kam jetuar në të derisa nuk e dëgjova përshkrimin tënd.” Pastaj buzëqeshi duke thënë: “Të lutem, mos e publiko reklamën, shtëpia ime nuk është në shitje!”
Unë jam larg edhe nga të menduarit se reklamat, siç thuhet në popull, “nga deti prodhojnë vaj susami të drenazhuar”, por megjithatë duhet pranuar, se neve reklamat shpesh dinë të na tërheqin dhe mashtrojnë sikurse menyja në aeroplan. Në fakt, herën e parë kur kam udhëtuar me aeroplan, ata ma dhanë “menynë”, në të cilën lexova edhe këtë: “Brumi i fituar nga kokrrat e arta të grurit, i ujitur me ujë të pastër, i cili buron nga shkëmbinjtë e lartë, me vezë të pulave që janë rritur në fermën më të mirë, ku kanë dëgjuar muzikë dhe vallëzim baleti. Me erëza dhe perime të importit ndërkombëtar të mbikëqyrur nga ekspertët më të mëdhenj, të cilët kanë diplomuar në universitetet më prestigjioze botërore.”
Për një moment mendova se ishte fjala për ushqim të xhenetit, ose të paktën për një ushqim të shijshëm për të cilin kam lexuar në tregimet pallateve të mbretërve dhe sulltanëve. Aq shumë isha thelluar duke menduar për atë ushqim, sa që fare nuk e vura re, se në listën e ushqimeve gjenden edhe vezët e fërguara, të cilat kur nëna i përgatiste në shtëpi, ne e dinim se atë ditë nuk ka asgjë tjetër në shtëpi për të ngrënë, përveç vezëve, ose ajo është dita e larjes së qilimave, kështu që nëna nuk ka kohë për të bërë “mrekulli” në kuzhinë.
Duke iu kthyer pronarit tonë të shtëpisë, dua të pyes: Pse gjithmonë të tjerët duhet të na flasin për gjërat e bukura që i zotërojmë? Problemi ynë është se ne gjithmonë duam më shumë, dhe nuk mendojmë që të kënaqemi me atë që kemi.
Ne gjithmonë dëshirojmë shtëpi më të madhe, por harrojmë se shtëpia nuk përbëhet vetëm nga muret dhe mobiliet, por edhe atdheu i vogël i ndjenjave, tregimeve dhe kujtimeve, është edhe më shumë sesa hapësira dhe mobiliet.
Gjithmonë dëshirojmë punë më të mirë, por harrojmë se kjo botë është e mbushur me të papunë, dhe se punë nuk është vetëm paraja, por nderi dhe fitimi me nder i nafakës, pastaj ndjenja e mrekullueshme e pjesëmarrjes në prodhim dhe dhurim (për të tjerët).
Gjithmonë dëshirojmë një bashkëshorte, përkatësisht një burrë më të mirë, por harrojmë që edhe vetë të bëhemi më të mirë.
Nuk ka asgjë të keqe që njeriu të përpiqet të ketë një shtëpi të madhe, që të zë një punë më të mirë, ose të dëshirojë partnerin më të mirë të jetës, por pse gjithmonë ndjehemi të pakënaqur dhe më pak të vlefshëm për shkak të asaj që nuk e kemi, në vend se të jemi falënderues për atë që kemi.
Edhem Sherkavi; http://saff.ba//
Përkthim: Miftar Ajdini