9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Pse çmimi i naftës u rrit sërish në tregun botëror?

Më të lexuarat

Çmimet botërore të naftës u rritën ndjeshëm javën e kaluar, pas dy javësh rënie, pasi tregtarët shqetësoheshin për ndërprerjet e mundshme të furnizimit, ndërsa stoqet botërore të naftës ranë në nivelet më të ulëta që nga viti 2014, sipas Reuters.

Çmimi i një fuçie në tregun e Londrës u rrit me 11.7 për qind javën e kaluar – në 120.65 dollarë, ndërsa çmimi i një fuçie në tregun amerikan u rrit me 8.8 për qind – në 113.90 dollarë.

Tregtarët janë të shqetësuar për pezullimin e eksportit të naftës ruse dhe kazake përmes terminalit CPC në bregdetin rus të Detit të Zi, i cili u dëmtua nga lufta.

Ngarkimi më pas u rifillua pjesërisht, por nervozizmi i tregtarëve u rrit nga një reduktim i përkohshëm i përpunimit në rafinerinë Aramco në Arabinë Saudite për shkak të një sulmi të huthinjve jemenas.

Arabia Saudite ka thënë se nuk do të mbahet përgjegjëse për ndërprerjet e mundshme në furnizimet globale, duke sinjalizuar pakënaqësi me politikën e SHBA-së ndaj Iranit dhe Jemenit.

Një zyrtar i paidentifikuar në Ministrinë e Jashtme saudite tha se sulme të tilla rezultojnë në pasoja të rënda në prodhimin dhe rafinimin e naftës dhe ndikojnë në kapacitetin prodhues të Arabisë Saudite dhe përmbushjen e detyrimeve kontraktuale.

Sanksionet ndaj Rusisë, sërish në fokus

Në fokus të tregtarëve ishin edhe bisedimet në Bashkimin Evropian për vendosjen e embargos për importin e naftës ruse.

Çështja e përfshirjes në embargon amerikane ka ndarë ministrat e jashtëm të BE. Disa vende, përfshirë Gjermaninë, paralajmërojnë se unioni nuk mund të përballet me pasojat e një lëvizjeje të tillë, sepse është shumë i varur nga karburantet fosile ruse.

“Evropa është blerësi më i madh i vetëm i naftës ruse, kështu që çmimet në tregjet botërore do të rriten më të forta sa më shpejt të përpiqet të reduktojë importet nga Rusia,” thanë analistët e J.P. Morgan.

Burime në Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) thanë se zyrtarët e grupit besojnë se ndalimi i naftës ruse në BE do të dëmtonte konsumatorët dhe se këtë frikë ata ia përcollën Brukselit.

Rritja e çmimeve u frenua disi nga sinjalet se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj mund të rifillonin shitjet e koordinuara të naftës nga rezervat strategjike për të qetësuar tregjet dhe për të zbutur frikën e nxitur nga agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore ndaj Moskës.

Stoqet globale janë aktualisht në nivelet e tyre më të ulëta që nga viti 2014, ndaj analistët paralajmërojnë se tregu mbetet i prekshëm ndaj goditjeve të mundshme të ofertës. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit