Partia Socialiste ka lëshuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Sali Berisha se ka shpenzuar miliona euro për blerje armësh me qëllim mbajtjen nën kontroll të turmave. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe në një dalje publike nga selia rozë ka deklaruar se skandali me blerjen e armëve lidhet me dy ministritë e qeverisë “Berisha”, Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e e Mbrojtjes, ndërkohë që akuzoi drejtpërdrejt ish-ministrin Lulzim Basha, tashmë kryebashkiak i Tiranës, se ka kontraktuar një firmë anonime për blerjen e armëve luftarake. Sipas Braçes, pas 21 Janarit të vitit 2011, Berisha ndërroi marrëdhënie dhe me popullin shqiptar, që kundërshtonte politikën e kryeministrit Berisha.
“21 janari ndryshoi marrëdhëniet e Sali Berishës me opozitën dhe popullit shqiptar që kundërshton politikën e tij. 21 janari ndryshoi edhe fondet publike që paguajnë shqiptarët duke e orientuar për blerjen e armëve luftarake për kontrollin e turmave. Pas 21 Janari ministri Arben Imami dhe ish- ministri Lulëzim Basha, kanë blerë pajisje të mëdha për kontrollin e turmave. 1.6 milionë euro, për të kuptuar si Berisha në mes të krizës blen armë për të kontrolluar popullin”,- deklaroi Braçe./GSH