Disa mijëra shqiptarë kanë dalë të shtunën për të protestuar kundër dhunës që është ushtruar të premten ndaj fëmijëve shqiptarë, pas protestës së organizuar gjatë ditës së djeshme nga ish-forcat e sigurisë maqedonase “Dinjiteti”. Protesta që është organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale, ka nisur në mesditë nga Çairi i Shkupit, duke kaluar nëpër Bit Pazar për të vazhduar para Qeverisë së Maqedonisë. Por, një pjesë e protestuesve tentoi të dalë nga kolona dhe të nisej drejt sheshit të Shkupit, me ç’rast është përleshur me forcat policore. Protesta doli jashtë kontrollit kur një pjesë e protestuesve kanë vazhduar të dhunojnë objektet përgjatë rrugës, në mesin e të cilave edhe ato të projektit “Shkupi 2014”. Pas kësaj forcat policore kanë shtuar radhët dhe në përforcim kanë mbërritur edhe autoblinda, të cilët kanë përdorur dhe gaz lotsjellës dhe bomba tymi për të shpërndarë protestuesit, që demolonin disa makina në Çarshinë e Shkupit. Jozyrtarisht mësohet se policia ka arrestuar tre protestues, ndërkohë që disa pjesëtarë të sigurisë kanë kërkuar dhe ndihmë mjekësore.